1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Biri i njeriut, profetizo e thuaj:
Kështu thotë Zoti Perëndi:
Ulërini: ‘Mjerë ajo ditë!’,
3 sepse erdhi dita,
po afrohet dita e Zotit,
ditë e zezë, koha e paganëve!
4 Shpata do ta korrë Egjiptin,
tmerri do ta pushtojë Kusin,
kur përtokë të bien të plagosurit e Egjiptit,
kur të merret pasuria e tij,
të jenë rrënuar themelet e tij.
5 Shpata përdhe do t’i hedhë
Kus e Fut e Lud e të huaj të tjerë,
me Kub e bij të tokës së besëlidhjes!
6 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:
Do të bjerë kush përkrah Egjiptin,
do të përulet krenaria e fuqisë së tij:
nga Magdoli deri në Sienë
prej shpatës përtokë do të bien
‑ është fjala e Zotit Hyj!
7 Do të bëhet shkretëtirë mes tokash të shkretuara, qytetet e tij mes qyteteve të shkretuara.
8 Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur Egjiptit t’i shtie zjarrin e të shfarosen të gjithë ndihmëtarët e tij.
9 Atë ditë do të dalin lajmëtarët e mi me anije për ta thyer shpresën e Kusit. Tmerri do ta pushtojë në ditën e zezë të Egjiptit që do të vijë.
10 Kështu thotë Zoti Hyj: Do ta zhduk krenarinë madhështore të Egjiptit me dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit!
11 Ai dhe populli i tij me të ‑ më i pashpirti ndër të gjithë popujt ‑ do të sillet për ta shkretuar vendin. Ata do t’i zhveshin shpatat e veta kundër Egjiptit e do ta mbulojnë vendin me të vrarë.
12 Unë do t’i shter lumenjtë e vendin do ta lë në duart e njerëzve më të këqij e do ta shpartalloj vendin dhe pasurinë e tij me dorën e të huajve. E kam thënë unë Zoti!
13 Kështu thotë Zoti Hyj:
Unë do t’i zhduk tempujt,
do t’i zhduk idhujt e Memfisit,
prijës më s’do të ketë në Egjipt,
do ta mb’lojë Egjiptin tmerri!
14 Do ta shkatërroj tokën Fatures,
do t’i shtie zjarrin Taniut,
në No gjyqet do t’i bëj!
15 Atëherë do ta zbraz zemërimin tim mbi Sinin, fuqinë e Egjiptit, do t’ia shuaj poullin Nos.
16 Do t’ia fus zjarrin Egjiptit: si lindësja do të ketë dhimbje Sini, Noja do të pushtohet, kurse Memfisit do t’i vijë çmoskurrja!
17 Të rinjtë e Heliopolit e të Bubastiut do t’i presë shpata e këto qytete do të bien në skllavëri!
18 Mbi Tafnisin do të errësohet dita kur t’i thyej skeptrat e Egjiptit, kur të ketë rënë krenaria e pushtetit të tij. Reja atë do ta mbulojë, bijat e saj do të bien në skllavëri.
19 Atëherë gjyqet do t’i bëj në Egjipt e do ta dinë se unë jam Zoti.”
20 Më shtatë të të parit muaj të të njëmbëdhjetit vit më qe drejtuar fjala e Zotit:
21 “Biri i njeriut, ia theva krahun faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe, ja, nuk qe mjekuar me barna as lidhur me fasha që t’i kthehej shëndeti e të mund ta përdorte shpatën pasi t’i kthehej fuqia.
22 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po sulem kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, e do t’ia thyej edhe krahun e shëndoshë e të thyerin e do t’ia rrëzoj shpatën prej dorës së tij.
23 Do t’i shpërndaj egjiptianët ndër paganë e do t’i tres në vende të ndryshme.
24 Do t’i jap fuqi mbretit të Babilonit dhe në dorën e tij do t’ia jap shpatën time, kurse do t’ia thyej faraonit krahët dhe do të gjëmojë para tij me gjëmët që i lëshon i plagosuri i shporuar tejpërtej.
25 Unë do t’i forcoj krahët e mbretit të Babilonit, kurse krahët e faraonit s’do të kenë fuqi. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, kur unë t’ia kem dhënë shpatën time mbretit të Babilonit në dorë e ai ta vringëllojë kundër Egjiptit.
26 Do ta tres Egjiptin ndër paganë, do t’i shpërndaj ndër vende të ndryshme: do ta dinë se unë jam Zoti.”