< Ez 27 Ez 29 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 28)
28

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit :

2 “Biri i njeriut, thuaji princit të Tirit:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Pasi mendja t’u rrit e the:

‘Unë jam hyjni,

rri mbi fronin e zotave,

në kërthizën e detit!’,

megjithëse je njeri e jo Hyj,

ti zemrën tënde e barazove me të Hyjit.

3 Ja, po qenke më i mençur se Daneli,

fshehtësi s’paska prej teje të fshehur;

4 me dije e mençuri tënde

e fitove pasurinë,

në thesaret e tua

bashkove ar e argjend.

5 Me dijen tënde të madhe

e me tregtinë tënde

e shtove pasurinë,

por pasuria jote mendjen ta rriti!

6 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

Pse zemrën tënde e barazove me të Hyjit,

7 do t’i dërgoj kundër teje të huajt,

ata më të egrit ndër popuj.

Do t’i zhveshin shpatat

mbi të bukurën dijen tënde

e do ta hedhin në baltë shkëlqimin tënd!

8 Në pellg do të të hedhin e do të vdesësh

me vdekje të të vrarëve në mes të detit.

9 Vallë, a do të thuash më:

‘Jam Hyj!?’,

ndër sy të vrastarëve të tu,

pasi je njeri e jo Hyj

në duart e vrastarëve të tu?

10 Do të vdesësh me vdekjen e të parrethprerëve,

nga dora e të huajve, sepse unë kam thënë kështu.”

‑ thotë Zoti Hyj.

Rënia e mbretit të Tirit

11 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Biri i njeriut, nisja vajtimit mbi mbretin e Tirit

12 e thuaj atij: Kështu thotë Zoti Hyj:

Ishe ti vulë përsosmërie,

plot urti

i mrekullueshëm në pashi.

13 Ishe në gëzimet e parajsës së Hyjit,

të stolisura me gurë të paçmueshëm petkat e tua:

me sard, topaz e jaspis,

krisolit e oniks e beryl,

safir, karbunkul e smaragd,

ar i përpunuar stolisja jote,

të qenë bërë gati ditën e krijimit tënd.

14 Me kerub krahështrirë të vendosa për të ruajtur,

ishe mbi malin e shenjtë të Hyjit,

ecje nëpër gurë të zjarrtë.

15 Ishe i përsosur në udhët e tua

që ditës së themelimit tënd,

derisa në ty u ngjiz fajësia!

16 Duke u rritur tregtia jote,

u mbushe përbrenda me fajësi e mëkate.

Atëherë të flaka nga mali i Hyjit

e të treti kerubini mbrojtës

nga mesi i gurëve të zjarrtë.

17 T’u rrit mendja për shkak të bukurisë,

pasuria të bëri të humbësh urtinë:

atëherë vetë të flaka përtokë,

të vura para syve të mbretërve

që të të shikojnë me përbuzje.

18 Me fajësitë e shumta të tuat

me paudhësinë e tregtisë sate,

i përdhose shenjtëroret e tua.

Futa zjarrin mes teje

që të të përpijë,

hi do të të bëj unë përmbi tokë

në sy të atyre që të shikojnë!

19 Të gjithë popujt që do të shohin,

do të çuditen se çka të gjeti.

Ti u bëre shenjë tmerrimi

e sharrove për jetë të jetës!”

 

Kundër Sidonit

20 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

21 “Biri i njeriut, silli sytë drejt Sidonit, profetizo kundër tij

22 e thuaj:

Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, kundër teje po sulem, Sidon,

i lavdishëm do të bëhem mes teje,

do ta dinë se unë jam Zoti

kur mbi të do të bëj gjyq

e të kem dëftuar në të shenjtërinë time.

23 Do ta dërgoj në të murtajën,

do të rrjedhë gjaku udhëve të tij,

përtokë të vdekur do të bien

prej shpatës të prerë rreth e për qark,

do ta dinë se unë jam Zoti”.

Izraeli i çliruar nga popujt e tjerë

24 Për shtëpi të Izraelit më s’do të ketë

as thumb therës as ferrë shqyese

ndër të gjithë fqinjët që e rrethojnë

që janë kundërshtarët e tyre,

do ta dinë se jam Zoti Hyj.

25 “Kështu thotë Zoti Hyj: Kur ta kem bashkuar shtëpinë e Izraelit nga të gjithë popujt, në të cilët janë të shpërndarë, unë vetë do ta dëftoj shenjtërinë time në ta ndër sy të paganëve. Ata do të banojnë në tokën e vet që ia dhurova shërbëtorit tim Jakobit.

26 Do të banojnë të sigurt në të. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbëltojnë vreshta e do të jetojnë pa farë frike, kur të kem bërë gjyq mbi të gjithë fqinjët e tyre përreth. Atëherë do ta dinë se unë jam Zoti, Hyji i tyre.”



Fjala e Zotit