1 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit:
2 “Ti, pra, biri i njeriut, nisja vajtimit mbi Tirin,
3 dhe thuaj kundër Tirit që banon në hyrje të detit, që tregton me popujt e ishujve të panumërt: Kështu thotë Zoti Hyj:
O Tir, ti që thoshe:
‘Jam i përsosur në pashi!’
4 Kufijtë e tu në zemër të detit arrijnë,
ndërtuesit e tu me përpikëri të stolisën!
5 Bredhi Saniri t’i punuan
të gjitha brinjat,
cedër Libani të sollën
për ta ndërtuar direkun,
6 lis Basani
t’i punuan rremat,
ndenjëset e tua prej fildishi
të larzuara me qiparis Cetimi.
7 Liri të larmë,
të përpunuar prej Egjiptit
veli yt në majë të direkut,
mëndafshi e purpure prej Elisës
ishte mbulesa jote!
8 Banorët e Sidonit e të Aradit
ishin rremtarët e tu;
të dijshmit e tu, o Tir,
u bënë detarët e tu.
9 Pleqtë e Biblit në ty qëndronin
për të ndrequr kur në ty gjë prishej.
Të gjitha anijet me detarët e tyre
ishin në ty për të këmbyer tregti;
10 persianë, lutë e futë
ishin në ushtri tënde
‑ luftëtarët e tu shumë trima:
në ty varën shqyt, përkrenare:
ata të jepnin hijeshi!
11 Djemtë e Aradit me ushtrinë tënde
sogje bënin rreth mureve të tua,
gamadët ruanin mbi pirgjet e tua.
Mburojat i varnin në muret e tua
e kurorëzonin bukur hijeshinë tënde.
12 Për arsye të të gjithë pasurisë sate deri edhe Tarsisi me ty bënte tregti, për mallrat e tu jepnin argjend, hekur, tuç e plumb.
13 Tregti me ty bënin deri edhe Javani, Tubali e Mosoku: këmbenin mallrat e tu me skllevër e me bronz.
14 Ata të shtëpisë së Togormës të sillnin për mallra kuaj karrocash e shale dhe mushq në tregun tënd.
15 Djemtë e Rodit me ty tregtonin. Tregtia e ishujve të shumtë ishte në dorën tënde: të paguanin të dhjetat me dhëmbë elefanti e me ebanoz.
16 Me ty tregtonte Edomi pse kishe prodhime të shumta: për prodhimet e tua sillnin karbunkul, purpur, me greshpe, me pëlhura të çmueshme, me korale e me rubina.
17 Judenj e izraelitë me ty bënin tregti. Të sillnin për këmbim mallrash grurë dore të parë, balsam, mjaltë, vaj e rrëshirë.
18 Damasku me ty tregtonte pse kishe shumë prodhime, për mallrat e tu të çdo lloji këmbenin verë Helboni e lesh Sahari,
19 verë prej Uzalit të jepnin për mallrat e tu: si këmbim sillnin hekur të punuar, kënellë e kallam të ëmbël.
20 Dedani tregtonte me ty mbulojës kuajsh.
21 Arabët e princat e Cedarit tregtonin me ty. Tregtonin me ty qengja, desh e cjep.
22 Tregtarët e Sabës e të Reemës tregtonin me ty e për mallrat e tu sillnin erëra të mira, gurë të paçmueshëm dhe ar.
23 Me ty tregtonin Harani, Keneja e Edeni. Shitësit e tu ishin Saba, Asiria e Kelmadi.
24 Edhe këta tregtonin me ty: veshje të shkëlqyeshme, tabare të purpurta e të larmishme, petka shumëngjyrëshe, litarë të punuar mirë e fort të dredhur.
25 Anijet e Tarsit mbartnin tregtitë e tua,
ishe i begatshëm në zemrën e detit.
26 Në detin e hapur të shpurën rremtarët e tu,
por era e lindjes
të fundosi në zemrën e detit!
27 Pasuria jote, visaret e tua,
mallrat e tu të shumtë,
detarët e timonierët e tu,
mjeshtrit e avarive,
këmbyesit e tregtisë sate,
të gjithë trimat luftëtarë,
që në ty janë
dhe e gjithë shumica jote
do të fundosen në fund të detit
ditën e mbarimit tënd!
28 Në zërin e kushtrimit të timonierëve të tu
do të tranden brigjet e detit!
29 Prej anijesh do të zbresin
të gjithë rremtarët, detarët
e të gjithë timonierët
e do të qëndrojnë në terik.
30 Mbi ty thekshëm do të vajtojnë,
me hidhërim të madh do të gjëmojnë,
me pluhur kokat do t’i mbulojnë
e do të zhgërryhen nëpër pluhur!
31 Për ty kokat do t’i rruajnë
e do të ngjeshen me grathore,
me shpirt të pikëlluar ty do të të qajnë,
gjëmë të hidhur për ty do të bëjnë!
32 Do të fillojnë mbi ty vajtimin
e do të të thonë:
‘Kush na ishte porsi Tiri
që u shua, në fund të detit?!
33 Kur nga deti zbrisnin tregtitë e tua,
i ngopje popujt e panumërt.
Me pasuritë e tua të mëdha
me mallra të tregtisë sate
i pasurove mbretërit e dheut!
34 Tashti u hap deti e të përpiu,
u plandose në ujëra të mëdha!
Barkë e mallra e detarë
të gjithë së bashku u fundosën në det!
35 Për ty mbarë banorët e ishujve
i mbuloi tmerri,
u tmerruan mbretërit e tyre
e mbuluan f’tyrën!
36 Tregtarët e popujve fërshëlluan mbi ty!
U bëre vend që shtie tmerrin:
kurrën e kurrës s’do të përtëritesh!”