1 Të njëmbëdhjetin vit, të parën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Biri i njeriut, pasi Tiri tha kundër
Jerusalemit:
Ah sa mirë! U thye dera e popujve,
u kthye kah unë,
tani do të pasurohem;
ai u shkretua ‑
3 prandaj kështu thotë Zoti Hyj:
Ja, në shpinë më ke, o Tir,
kundër teje po nis popuj të shumtë,
siç tërbohet deti me valë të veta!
4 Do t’i rrafshojnë muret e Tirit
e do t’i shembin kullat e tij,
pluhurin e tij do ta zhduk
do ta bëj rrasë të lëmuar!
5 Vend për terje rrjetash
në det do ta bëj,
sepse kështu thashë unë ‑
thotë Zoti Hyj!
Pre popujsh do të jetë!
6 Edhe bijat e tij që janë në fushë,
me shpatë do të priten
e do ta dinë se unë jam Zoti.
7 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:
Ja, unë po e nis kundër Tirit
Nabukodonozorin,
mbretin e Babilonit,
nga Veriu ‑ mbretin e mbretërve,
me kuaj e me karroca lufte,
me kalorës, me ushtri të madhe,
me popull të panumërt.
8 Bijat e tua që janë në fushë
do t’i presë me shpatë,
kurse ty do të të rrethojë me llogore,
rreth e rreth penda do të ngrehë,
kundër teje do të ngrehë mburojat!
9 Tënda deshësh do t’u mbështesë mureve,
pirgjet e tua do t’i shkatërrojë
me vegla lufte të veta!
10 Prej vërshimit të kuajve të tij
do të të mbulojë anembanë pluhuri!
Nga rropama e kujave e të qerreve
do të dridhen muret e tua,
kur të përshkohet nëpër dyer të tua,
si hyhet në qytet të rrafshuar!
11 Me thundra të kuajve të vet
do t’i shkelë mbarë rrugët e tua,
popullin do ta presë me shpatë,
shtyllat e tua do t’i shembë përdhe.
12 Pasurinë do të ta rrëmbejnë,
mallrat e tua do t’i plaçkisin,
muret e tua do t’i rrafshojnë,
do t’i rrënojnë shtëpitë e buk’ra,
gurë e lëndë e pluhurin tënd
në mes të detit do t’i hedhin!
13 Do të bëj të mejë tingulli i këngëve të tua,
do të pushojë zëri i cetrave të tua!
14 Do të të shndërroj në shkëmb të thatë,
do të jesh vend ku thahen rrjetat,
kurrë më kokën s’do ta çosh,
sepse unë, Zoti, thashë!”
‑ thotë Zoti Hyj.
15 Kështu i thotë Zoti Hyj Tirit: Vallë, nga rropama e rënies sate e nga gjëma e të plagosurve të tu, kur do të bëhet një emnesë në ty, a nuk do të dridhen edhe ishujt?
16 Të gjithë prijësit e detit do të zbresin nga fronet e veta, do t’i hedhin leshnikët e vet e do t’i flakin teshat e veta të larmishme, do të vishen me tmerr, do të ulen për rrafshit, shtang do të mbesin prej habie mbi ty.
17 Do të fillojnë të vajtojnë mbi ty e do të thonë:
“Po si humbe kështu,
ti që banoje në det,
qytet i përmendur,
që ishe i fortë në det,
bashkë me banorët e tu
që të gjithë frikë të kishin!
18 Tashti do të çuditen anijet
ditën e rrënimit tënd,
ishujt e detit do të tmerrohen
për shkak të mbarimit tënd!”
19 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:
Kur të të bëj qytet të shkretë, porsi qytetet në të cilat askush s’banon, e kur mbi ty të sjell Humnerën e të të kenë mbuluar ujërat e shumta,
20 do të të zbres edhe ty me ata që zbresin në Nëntokë, te populli i vjetër e do të të vendos në pjesët më të thella të tokës, në vende të shkretuara me shekuj, së bashku me ata që zbresin në Nëntokë, që kurrë më të mos banohesh, më s’do të jesh në tokën e të gjallëve.
21 Do të të kthej në asgjë, më s’do të jesh, edhe nëse do të të kërkojnë, kurrë më nuk do të të gjejnë ‑ thotë Zoti Hyj.”