1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Biri i njeriut, na kishin qenë dikur dy gra, bijat e së njëjtës nënë.
3 Ato u lavirësuan në Egjipt që në rininë e tyre. Atje u vu së pari dora në parzmat e tyre, atje u përkëdhelën gjinjtë e virgjërisë së tyre.
4 Emrat i kishin: Oolë e madhja e Oolibë motra e saj. I pata të dyja dhe lindën bij e bija. Oola është Samaria e Ooliba Jerusalemi.
5 Oola ma prishi besnikërinë e u largua prej meje: luajti mendsh pas dashnorëve të vet, asirianëve, luftëtarë
6 të veshur me purpur, prijës e qeveritarë, të gjithë djelmosha të hijshëm, kalorës të shkëlqyeshëm.
7 Ua dha trupin e vet të gjithë djemve të asirianëve më të zgjedhur. Në takim me ata pas të cilëve u dha në fëlligështi, u ndot me të gjithë idhujt e tyre.
8 Për më tepër ajo nuk i la as fëlligështitë që i kishte pasur në Egjipt, kur ata kishin bërë shtrat me të në rininë e saj, përkëdhelur gjinjtë e virgjërisë së saj dhe shfryer epshin e vet mbi të.
9 Këndej edhe e lashë në duart e dashnorëve të saj, në duart e bijve të asirianëve, pas të cilëve ishte ndezur në epsh.
10 Ata ia zbuluan lakuriqësinë e saj, bijtë e bijat e saj i robëruan e atë e prenë me shpatë. U bë kështu një qortim për gra në saje të dënimit shembullor që kryen mbi të.
11 Motra e saj Ooliba i pa të gjitha këto, por luajti mendsh edhe më zi se ajo: me epsh e fëlligështi e tejkaloi motrën e vet.
12 U dogj në dashuri ndaj bijve të asirianëve: prijës e qeveritarë, luftëtarë të veshur me petka të çmueshme, kalorës në kuaj shale, të gjithë djelmosha të lakmueshëm.
13 Pashë se ishte ndotur: të dyja morën të njëjtën udhë.
14 Por kjo e tejkaloi në fëlligështi. Kur i pa meshkujt e pikturuar në mur, fytyra kaldenjsh të pikturuara me ngjyrë të kuqe,
15 të ngjeshur ijësh me breza, shallat rreth kokës e të varur, të gjithë në pamje luftëtarë në karroca, marrëshevush si djemtë e Babilonit, atdheu i të cilëve është Kaldeja,
16 u ndez në epsh posa i pa dhe dërgoi lajmëtarë tek ata në Kalde.
17 Babilonezët shkuan tek ajo në shtratin e dashnorisë, e ndotën me mëkatin e ndytë; fëlligështoi me ta derisa iu neverit vetvetja.
18 Pasi mëkatoi botërisht dhe e zbuloi vetveten, edhe vetë u largova prej saj, siç isha larguar prej motrës së saj.
19 Por ajo vazhdoi të bëjë lavirësi duke e përkujtuar kohën e rinisë së vet, kur qe dhënë pas fëlligështisë në tokën e Egjiptit.
20 U përvëlua në epsh pas atyre dashnorëve të vet të fëlliqtë si gomari e të dhënë pas epshit si hamshori.
21 Dëshirove bushtërinë e rinisë sate, kohën në Egjipt, kur ta shtrydhnin parzmën e t’i përkëdhelnin gjinjtë e virgjërisë!
22 Prandaj, o Oolibë, kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë po i dërgoj kundër teje dashnorët e tu, të cilët më nuk t’i do shpirti, do t’i mbledh gjithkund përreth kundër teje,
23 babilonasit e mbarë kaldenjtë, bijtë e Fakudit, të Suehit, të Kuehit, të gjithë asirianët bashkë me ta, të rinj e të lakmueshëm, të gjithë prijës e qeveritarë, luftëtarë të përmendur në karroca e kalorës.
24 Do të vijnë kundër teje me qerre e me koçi, me shumicë popujsh; të armatosur kundër teje në çdo anë me shqyt, me mburojëza, me përkrenare. Në dorë të tyre e kam lënë gjyqin, do të të gjykojnë sipas të drejtës së tyre.
25 Do ta zbraz mendjen e zezë timen kundër teje e ata do ta ushtrojnë me furi kundër teje: do të t’i presin hundë e veshë e, sa të mbesë prej teje, me shpatë do ta grimcojnë; robër do t’i marrin bijtë e bijat e tua e, çka të teprojë prej teje, do ta përlajë zjarri.
26 Do t’i zhveshin petkat e tua e do t’i marrin stolitë e tua.
27 Do të bëj të marrë fund paudhësia jote dhe fëlligështia jote që nisi në Egjipt; s’do t’i lartësosh më sytë e tu drejt tyre e Egjipti as që do të të bjerë ndër mend.
28 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do të të lë në dorën e atyre që i urren, në dorën e atyre që shpirti t’i urren.
29 Ata do të sillen ndaj teje me urrejtje, do ta rrëmbejnë frytin e mundit tënd, do të të nisin lakuriq e plot me turp. Kështu do të dalë në dritë turpi i lavirësive të tua, fajësia dhe fëlligështitë e tua.
30 Kështu do ta bëjnë për shkak të fëlligështisë sate me paganë e pse je ndotur me idhujt e tyre.
31 Ece udhës së motrës sate: kupën e saj do ta vë në dorën tënde.
32 Kështu thotë Zoti Hyj:
“Do ta pish gotën e motrës sate,
të thellë e të gjerë
‑do të jesh përqeshje e qesëndi ‑
gota është plotë e përplot!
33 Me dehje e dhimbje do të mbushesh,
me kupën e frikës e të tmerrit,
me kupën e motrës sate Samarisë.
34 Do ta pish,
edhe fundërrinat do t’i shkundësh
grimcat me dhëmbë do t’ia bresh,
parzmat e tua do t’i copëtosh.
Sepse unë fola kështu ‑
thotë Zoti Hyj.”
35 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: “Pasi ti më harrove e ma solle shpinën, mbarte tashti çnderimin tënd e lavirësinë tënde!”
36 Atëherë Zoti më tha: “Biri i njeriut, a do t’i gjykosh Oolën e Oolibën? Dëftoju poshtërsitë e tyre!
37 Bënë kurorëshkelje, duart i kanë të përlyera me gjak, bënë kurorëshkelje me idhuj; madje edhe bijtë që m’i patën lindur, i kaluan nëpër zjarr për t’ua dhënë për ushqim.
38 Por ata ma bënë edhe këtë: ato ma përdhunuan atë ditë edhe Shenjtëroren time e i çshenjtëruan të shtunat e mia.
39 E megjithëse i flijuan fëmijët e vet idhujve të vet, ato, po atë ditë, shkuan në Shenjtëroren time për ta përdhunuar. Ja se çfarë bënë në Shtëpinë time!
40 Madje edhe më zi: dërguan thirrësin të vijnë meshkuj prej së largu e ata erdhën. Për ta ti u lave, sytë e tu i zbukurove me ngjyrë, u stolise me argjende.
41 U shtrive në shtrat tejet të bukur e tryeza ishte e stolisur para teje e mbi të vure kemin tim e vajin tim.
42 Te ti dëgjohej zëri i një shumice të hareshme prej njerëzve të shumtë të sjellë nga shkretëtira. Ata vunë në duar të grave byzylykë dhe keza të bukura mbi kokat e tyre.
43 Unë mendova për të ‑ grua e dhënë pas fëlligështisë: Tashti edhe kjo do të fëlliqet në fëlligështinë e vet!
44 E hynë tek ajo ashtu si hyhet te një lavire. Kështu hynin tek Oola e tek Ooliba, gra të pandershme.
45 Pra, ka njerëz të drejtë: këta do t’i gjykojnë me gjyqin që u takon kurorëshkelëseve e me gjyq që u përket atyre që derdhin gjak, sepse këto janë kurorëshkelëse dhe duart e tyre kullojnë gjak.”
46 Sepse kështu thotë Zoti: “Thirre mbledhjen kundër tyre, le të merren me të keq e le të plaçkiten,
47 bashkësia pastaj le t’i vrasë me gurë e le t’i therë me shpata. Le t’u vrasin bij e bija e shtëpitë e tyre le t’i djegë zjarri.
48 Kështu do ta pastroj vendin nga poshtërsitë e të gjitha gratë le të mësojnë të mos e përsërisin fajin tuaj.
49 Poshtërsia juaj do të bjerë mbi ju, ju do të përgjigjeni për fajet e idhujve tuaj e kështu do ta dini se unë jam Zoti, Hyji.”