< Ez 21 Ez 23 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 22)
22

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “E ti, biri i njeriut, a do ta gjykosh, vallë, a do ta gjykosh qytetin gjakatar?

3 Dëftoja të gjitha poshtërsitë e tij dhe thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Qytet që derdh gjak në mesin tënd, për të bërë që të vijë dita, qytet që ka ndërtuar idhuj në tokën tënde për t’u fëlliqur!

4 Me gjakun që derdhe u bëre fajtor, u fëlliqe me idhujt që ti i punove: bëre që të afrohen ditët e tua dhe bëre të marrin fund vitet e tua. Për këtë arsye të bëra turpin e paganëve e përqeshjen e të gjtha vendeve.

5 Të afërmit e të largëtit do të ngadhënjejnë mbi ty, qytet i përmendur për ndotje, i madh për kryeneçësi!

6 Ja, të gjithë princat e Izraelit ‑ secili në dorën e vet ‑ ndenjën gati për të derdhur gjak!

7 Në ty nënë e babë janë të përbuzur, në mesin tënd ndrydhet ardhacaku, bonjak e vejushë në ty merren nëpër këmbë!

8 S’ke nderim për gjërat e mia të shenjta, të shtunat e mia i prish!

9 Në ty ka njerëz që shpifin për të derdhur gjak, në ty hanë në lartësi, në mesin tënd bëhen turpësi!

10 Në ty zbulohet lakuriqësia e babait, në ty dhunohen gratë në gjendje të papastër!

11 Njëri bën fëlligështi me gruan e të afërmit të vet, një tjetër me vepër të turpshme e çnderon të renë; vëllai motrën, bijën e babait të vet, e dhunon në ty!

12 Në ty vrasin njerëz me para! Ti huajon me ujem e me shtesë, me dhunë e plaçkit të afërmin tënd e mua më harron ‑ thotë Zoti Hyj.

13 Ja, unë i rrah shuplakat për shkak të cubnive që ti i bëre e për shkak të gjakut që në ty u derdh.

14 A do të qëndrojë zemra jote e a do të mund të bëjnë ballë duart e tua në ditët që unë po i bëj gati për ty? Fola unë Zoti e do të bëj:

15 do të të shpërngul ndër paganë, do të të tres në toka të huaja që ta heq prej teje të gjithë papastërtinë;

16 në ty do ta çnderoj vetveten në sy të paganëve e atëherë do ta dish se unë jam Zoti.”

17 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

18 “Biri i njeriut, shtëpia e Izraelit m’u kthye në bramcë: të gjithë këta: argjend, bakër, kallaj, hekur e plumb në furrë ‑ janë zgjyrë!

19 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi të gjithë jeni bërë bramcë, këndej edhe vetë do t’ju bashkoj në Jerusalem,

20 ashtu siç mblidhet argjendi, bakri, hekuri, plumbi e kallaji në furrë e ndizet zjarri për shkrirje: kështu edhe vetë do t’ju bashkoj në zemërimin tim e në zemërimin tim do t’ju hedh e do t’ju shkrij.

21 Do t’ju bashkoj e do t’ju djeg në zjarrin e zemërimit tim dhe do të shkriheni mes tij!

22 Sikurse shkrihet argjendi në furrë, po ashtu do të shkriheni mes tij. Atëherë do ta dini se unë Zoti e zbraza hidhërimin tim mbi ju.”

23 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

24 “Biri i njeriut, thuaj: Ti je një vend, mbi të cilin nuk ra shi as breshër në ditën e zemërimit,

25 princat e të cilit janë në ty porsi luani ulëritës që shqyen prenë. Ata i kanë përpirë gjinden, u rrëmbyen pasuri e gjëra të çmueshme, në mesin tënd i shumuan vejushat!

26 Priftërinjtë e tu e kanë prishur Ligjin tim dhe i dhunuan shenjtëroret e mia. Ndërmjet gjësë së shenjtë e jo të shenjtë nuk bënë dallim dhe nuk mësuan të bëhet dallim mes së pastërtës e të papastërtës, të shtunat e mia as s’i shikuan me sy dhe unë isha i çnderuar në mesin e tyre.

27 Prijësit e tij në mesin e qytetit, porsi ujqër grabitqarë présh për të derdhur gjak, për të vrarë njerëz, të dhënë pas plaçkës.

28 Profetët e tij ua zbardhnin të gjitha me gëlqere duke u parakallëzuar kotësi e paraparë rrena, thonin: ‘Kështu thotë Zoti Hyj’, kur Zoti nuk kishte folur!

29 Populli i vendit e ka shtuar dhunën e cubninë, skamnorin e të vobektin e shtypte e ardhacakun e ndrydhte pa farë arsyeje.

30 E kërkova ndër ta një njeri, i cili do ta ndërtonte një pritë ndërmjet meje e tij e të dilte përpara meje në grykë për të mirën e vendit që unë të mos e shpartalloja, por nuk e gjeta.

31 Atëherë e zbraza mbi të zemërimin tim, i zhduka me zjarrin e zemërimit tim. Bëra që sjellja e tyre të bjerë mbi kokën e tyre ‑ thotë Zoti Hyj.”



Fjala e Zotit