< Ez 20 Ez 22 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 21)
21

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, sille fytyrën tënde drejt jugut, fol në drejtim të mesditës e profetizo kundër pyllit të fushës së Nagebit.

3 Thuaji pyllit të Nagebit: Dëgjoje fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë dua ta ndez një zjarr mes teje: do të digjet çdo dru i njomë dhe çdo dru i thatë. Flaka e zjarrit s’do të ndalet: do të digjet krejt sipërfaqja nga jugu deri në veri.

4 Do të shohë çdo njeri se unë, Zoti, e ndeza e nuk do të fiket.”

5 Unë thashë: “Eheu, Zot, Hyj! Po ata do të thonë për mua: ‘Ky po flet me shëmbëlltyrë!’”

6 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

7 ”Biri i njeriut, sille fytyrën tënde drejt Jerusalemit e fol kundër shenjtëroreve e profetizo kundër dheut të Izraelit.

8 Thuaji tokës së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: Ah pritëm, se e nxora shpatën time prej millit e do të vras në ty të drejtë e mëkatarë!

9 Kur them se i vrava në ty të drejtë e mëkatarë, do të thotë se do të nxirret shpata prej millit të vet për t’i zhdukur të gjithë të gjallët, prej jugut deri në veri,

10 që ta dijë çdo i gjallë se unë Zoti e nxora shpatën nga milli e aty më s’do ta kthej.

11 Ti, o biri i njeriut, gjëmo zemërplasur, gjëmo me hidhërim të madh ndër sy të tyre.

12 E kur të të pyesin: ‘Pse gjëmon?’, thuaj: Për shkak të lajmit që ka arritur, sepse do të dridhet çdo zemër, pa fuqi do të mbesin të gjitha duart, do të liget çdo shpirt e çdo gju do të gjunjëzohet! Ja, ia behu, këtu është! Fjala e Zotit Hyj!”

13 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

14 “Biri i njeriut, profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Thuaj:

Shpata, Shpata!

Është mprehur e lëmuar!

15 U mpreh për t’i prerë njerëzit,

u lëmua për të vezëlluar!

16 Qe lehtësuar

që të mbahet me dorë.

U mpreh e u limua shpata

që të jetë në dorë të vrastarit.

17 Klith e ulërit, biri i njeriut,

se është drejtuar kundër popullit tim,

kundër princave të Izraelit,

për shpatë u gjykuan bashkë me popullin tim.

18 Prandaj rrahe me grushte parzmën

se ia behu prova,

thotë Zoti Hyj.

19 Ti, pra, biri i njeriut,

profetizo e rrah shuplakë për shuplakë.

Le të dyfishohet shpata,

le të trefishohet shpata e vrastarëve:

është shpata që bën emnesë,

që i rrethon në çdo anë,

20 që zemrat të shkrihen,

e të shumohen të vrarët.

Në çdo derë vuri një shpatë:

heu, u mprehën, u limuan për të vezëlluar,

të limuara për të bërë emnesë!

21 ‘Mprehe, sulu djathtas, majtas,

kudo tehu i shpatës le të drejtohet!’

22 Edhe vetë do të duartrokas,

do ta ngop zemërimin tim!

Thashë unë, Zoti!”

Mbreti i Babilonit në rrugëkryq

23 Më qe drejtuar fjala e Zotit. Më tha:

24 ”E ti, biri i njeriut, vizatoji dy udhë për kalimin e shpatës së mbretit të Babilonit. Të dy udhët le të dalin nga e njëjta tokë. Vëre shenjën udhërrëfyese në krye të rrugës që shpie në qytet!

25 Vizatoja rrugën e kalimit të shpatës drejt Rabatit të bijve të Amonit dhe drejt në Judë në Jerusalemin e fortifikuar.

26 Sepse mbreti i Babilonit ka zënë vend në udhëkryq, në krye të dy udhëve, kërkon dijetarinë, përzin shigjetat, pyet terafimët, këshillon mëlçinë.

27 Në të djathtën e tij shorti ka rënë mbi Jerusalem: për t’i vënë kundër tij deshtë, të urdhërojë shfarosjen, për të klithur ulërimat e luftës, për t’i vendosur deshtë kundër dyerve, për të ngritur pritën, për të ndërtuar llogoret.

28 Por atyre do t’u duket se shenjat janë të rreme, sepse iu përbetuan për besnikëri. Por ai do t’i përkujtojë për pabesinë në të cilën u zunë.

29 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasi ju bëtë që të kujtohet paudhëria juaj dhe u zbuluan mëkatet tuaja dhe dolën në shesh pabesitë tuaja në të gjitha veprimet tuaja; pasi, po them, vazhdoni t’i përkujtoni, me dorë do të kapeni.

30 Kurse ty, o i çshuguruar, prijës i patenzonë i Izraelit, të cilit i erdhi dita t’i marrë fund paudhësia, ‑

31 kështu të thotë Zoti Hyj ‑ le të të hiqet tiara, le të të merret keza: gjithçka do të ndërrojë, çka është e ulët, do të ngrihet e çka është e lartë, do të ulet.

32 Rrënime, rrënime, rrënime, ja se çka do të bëj unë: të tilla rrënime s’do ketë derisa të vijë ai, të cilit i përket gjyqi e të cilit do t’ia lë në dorë.”

Ndëshkimi i Amonit

33 “Ti, biri i njeriut, profetizo e thuaj: Kështu u thotë Zoti Hyj bijve të Amonit për turpin e tyre: Thuaj: Shpata, shpata është nxjerrë për të vrarë, lëmuar për të zhdukur, pret e vezëllon!

34 E ty ndërkaq të parashohin kotësi e të parakallëzojnë rrena që t’u vihet shpata në fyt të çshuguruarve të patenzonë, të cilëve u erdhi dita e paudhësisë së fundit.

35 Le të kthehet shpata në mill! Në vendin ku qe krijuar, në tokën ku ke lindur, atje do të të gjykoj.

36 Do ta zbraz mbi ty zemërimin tim e do t’i fryj flakës së zemërimit tim kundër teje. Do të të lë në duar të njerëzve të pashpirtë mjeshtër vrasjesh!

37 Shujtë do të bëhesh për zjarr e gjaku yt do të rrjedhë për tokë. Do të biesh në harresë, sepse fola unë, Zoti.”



Fjala e Zotit