1 Nisja vajtimit mbi princat e Izraelit
2 e thuaj:
E kush ishte nëna jote?
Luaneshë mes luanësh!
Shtrirë në strofull ndër luan’zit
i ushqente k’lyshët e vet.
3 Prej luanzish luan’zësh njërin rriti:
u bë luan!
Mësoi të kapë prenë,
të përlajë njerëzit!
4 Kundër tij u bashkuan popujt,
u zu luani në grop’n e tyre:
të lidhur në pranga e çuan në Egjipt.
5 Kur pa e ëma se kot po priste
e se shpresa koti shkoi,
zgjodhi tjetrin prej luan’zve të vet
luan e bëri edhe atë.
6 Shkonte e vinte me luanë,
edhe ai luan u bë.
Mësoi të kapë prenë,
të përpijë njerëzit!
7 U rrënoi kullat
u shpartalloi qytetet:
u dridh vendi e gjithçka në të
nga zëri i ulërimës së tij!
8 Kundër tij u bashkuan gjindja
nga krahinat gjithkund përreth,
e i hodhën rrjetën:
u zu luani në grop’n e tyre.
9 Të lidhur e ndryen në kafaz,
ia çuan mbretit të Babilonisë.
Ai luanin në burg e qiti
që më zëri të mos i ndihet
nëpër bjeshkët e Izraelit.
10 Si hardhi ish’ nëna jote
e mbëltuar përmbi ujë,
shermendmadhe e plot me fruta
në saje të ujit me mbushullim.
11 Gemat iu bënë të fortë
u bënë për mbretër skeptra,
u lartësua trupi i saj
deri në re
e mrekullueshme për lartësi,
për shermendet e saj të shumtë!
12 Por e çrrënjosën me furi,
përtokë e flakën,
era përcëlluese ia thau frutat:
u bë copë edhe u tha
gemin e saj aq të fortë,
e përlau zjarri!
13 Qe mbëltuar në tokë të shkretë,
në tokë të thatë, të paujë.
14 Por doli zjarri nga gemi i saj
i dogj shermende e fruta.
Në të më s’ka gem të fortë,
për skeptrin mbretëror.”
Është ky një vajtim e për vajtim le të shërbejë!