1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Pse shkoni duke e përsëritur në tokën e Izraelit këtë thënie:
‘Etërit hëngrën rrushin e thartë
e të bijve u mpihen dhëmbët’?
3 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kurrë më s’do ta përsëritni këtë fjalë në Izrael!
4 Ja, çdo jetë është imja: si jeta e babait, ashtu edhe jeta e birit është imja, njeriu që do të mëkatojë, ai do të vdesë.
5 Njeriu që është i drejtë, që kryen drejtësinë e të drejtën,
6 që nuk ha në lartësi, që s’i lartëson sytë drejt idhujve të Izraelit, që nuk e çnderon gruan e të afërmit, që nuk i afrohet gruas në gjendjen e mujoreve të saj,
7 që nuk i bën dhunë njeriut, që ia kthen detorësit pengun, që nuk cubnon, që i jep bukë atij që s’ka, që e vesh të zhveshurin,
8 që s’huajon me ujem, që nuk kërkon shtesë, e ruan dorën nga paudhësia, pleqëron drejt ndërmjet njërit e tjetrit,
9 që ecën urdhërimeve të mia, që i mban gjyqet e mia për të bërë të vërtetën: ky është i drejtë dhe i tilli do të jetojë ‑ është fjala e Zotit Hyj.
10 Por në qoftë se i lind djali cub, vrastar, që bën ndonjë nga këto,
11 e i ati nuk i bën këto ‑ kurse i biri ha në lartësi, dhunon gruan e të afërmit,
12 keqtrajton nevojtarin e skamnorin, cubnon, nuk e kthen pengun, i lartëson sytë e vet drejt idhujve, bën turpësi,
13 huajon me ujem, merr shtesë, a thua do të jetojë? Jo, s’do të jetojë! Pasi i bën të gjitha këto poshtërsi, patjetër do të vdesë: gjaku i tij mbi të do të bjerë.
14 Por, në qoftë se i lind djali që i sheh të gjitha mëkatet që i ka bërë i ati, ka frikën e Zotit e nuk bën si ai,
15 nuk ha në lartësi, sytë e vet nuk i lartëson drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nuk e çnderon gruan e të afërmit të vet,
16 askënd nuk keqtrajton, nuk e ndalon pengun, nuk bën cubni, i jep bukën e vet të uriturit, të zhveshurin e vesh,
17 e ruan dorën e vet nga padrejtësia, s’huajon me ujem e me shtesë, i zbaton rregulloret e mia, ecën urdhërimeve të mia ‑ ky nuk do të vdesë për shkak të paudhësive të babait të vet, por do të jetojë.
18 Pasi i ati ka qenë i dhunshëm dhe cub dhe nuk ka bërë mirë në mes të popullit të vet, ja, vdiq në fajësinë e vet.
19 Ju thoni: ‘Pse s’u përgjigj i biri për fajin e të atit?’ Por biri ka zbatuar të drejtën e drejtësinë, i mbajti të gjitha urdhërimet e mia dhe të gjitha i bëri vepër, këndej edhe do të jetojë.
20 Ai që mëkaton do të vdesë: djali s’do të përgjigjet për fajet e të atit, as babai s’do të përgjigjet për fajet e të birit. Të drejtit do t’i takojë drejtësia e të paudhit paudhësia.
21 Por, në qoftë se i paudhi pendohet për të gjitha mëkatet e veta që i ka bërë dhe i mban të gjitha urdhërimet e mia, e bën të drejtën e drejtësinë, po, do të jetojë, nuk do të vdesë!
22 Asnjë prej mëkateve të tij që ka bërë nuk do t’i kujtohet; do të jetojë në saje të drejtësisë që bën.
23 Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?
24 Por, në qoftë se i drejti largohet nga drejtësia e vet dhe bën padrejtësinë e të gjitha turpësitë që i bën i patenzoni, vallë a do të jetojë? Asnjë prej drejtësive të tij që i ka bërë, nuk do t’i merren parasysh; për shkak të pabesisë së vet me të cilën e theu besën e të mëkatit që e bëri, në to do të vdesë.
25 Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?
26 Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë.
27 E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes:
28 ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e, jo, nuk do të vdesë.
29 Thotë shtëpia e Izraelit: ‘S’është e drejtë mënyra e veprimit të Zotit’. A thua mënyra e sjelljes sime vërtet nuk qenka e drejtë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe?
30 Prandaj, unë do t’ju gjykoj të gjithëve, secilin sipas mënyrës së veprimit të vet, o shtëpia e Izraelit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s’do të jetë më shkak për rënien tuaj.
31 Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj? Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së vdekatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!