1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 ”Biri i njeriut, gjeje një gjëegjëzë e tregoja shtëpisë së Izraelit një shëmbëlltyrë.
3 Thuaj:
Kështu thotë Zoti Hyj:
Një shqiponjë e madhe,
me krahë të mëdhenj,
me pupla të gjata
me pendë të dendura
e shumëngjyrëshe
ia behu në Liban
dhe ia mori majën cedrit,
4 ia këputi gemin më të lartin
dhe e çoi në tokën Kanaan,
e vendosi në qytetin e tregtarëve.
5 Mori një pinjoll nga toka
dhe e qiti në tokë të punuar
përbri ujërave të shumta
e mbëltoi si shelgun
6 që të bulëzojë e të rritet
në hardhi që merr haptas,
jo shumë të lartë
që drejt shqiponjës gemat t’i shtrijë
e rrënjët t’i rriten nën të.
U bë trung i fortë,
i qiti pipat
gjatë i lëshoi pinjollat.
7 Ishte edhe një shqiponjë tjetër,
me krahë të mëdhenj,
me pupla të dendura:
dhe, ja, trungu
drejt saj i lëshoi rrënjët,
pipat drejt saj i lëshoi
që ta ujitë
më mirë se dheu ku ishte mbëltuar.
8 Në tokën e mirë,
bri ujërave të shumta
është e mbëltuar
që të lëshojë shermende
që të japë fruta
e të jetë hardhi madhështore.
9 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj:
A thua do të përparojë?
A thua shqiponja
rrënjët s’do t’ia nxjerrë
frutat s’do t’ia këpusë?
A s’do t’i thahen
posa t’i dalin pipat?
S’do të duhet një mund i madh
as popull i shumtë
rrënjët për t’ia nxjerrë!
10 Ja, e mbëltuar është:
a do të përparojë?
Vallë, a nuk do të thahet
posa ta ketë prekur
era përvëluese e lindjes?
Pikërisht në tokën ku mbiu
do të thahet!”
11 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
12 “Thuaji, pra, shtëpisë kryekëcyer: A nuk e kuptoni se ç’do të thotë kjo? Ja, erdhi mbreti i Babilonit në Jerusalem; e mori mbretin e princat e tij dhe i çoi te vetja në Babilon.
13 Mori njërin nga pinjollët e mbretit e lidhi me të besëlidhje, mori prej tij përbetimin pasi i mori të gjithë të vyerit e vendit,
14 me qëllim që mbretëria të jetë e ligshtë e të mos mund të çohet në kryengritje, por ta ruajë e ta mbajë besëlidhjen me të.
15 Porse ky u çua kundër tij, dërgoi lajmëtarë në Egjipt që t’i jepeshin kuaj e shumë ushtarë. A do të mund të përparojë ose të shpëtojë kush bën kështu? Kush e thyen besën, a thua mund të shpëtojë?
16 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ pse e theu përbetimin dhe e prishi besëlidhjen me mbretin që e vuri në fron, do të vdesë në vendin e mbretit, pikërisht në mes të Babilonit.
17 E faraoni, me gjithë ushtri të madhe e me popull të shumtë, s’do të mund t’i ndihmojë gjë në luftë, kur ai të lartësojë brigje e të punojë llogore për të vrarë njerëz të shumtë.
18 E bëri në asgjë përbetimin për ta zhbërë besëlidhjen. Po edhe pse e kishte dhënë besën, veproi kështu. Jo, assesi s’do të shpëtojë!
19 Prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: Pasha jetën time: përbetimin që e përbuzi, besëlidhjen që e theu do t’ia kthej mbi kokën e tij,
20 do ta ngreh kundër tij rrjetën time e do të zihet në rrjetën time dhe do ta çoj në Babilon, atje do ta gjykoj për pabesinë me të cilën më doli i pabesë.
21 Të gjithë më të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës, kurse teprica do të shpërndahet në të gjitha erërat. Do ta dini se unë Zoti fola.
22 Kështu thotë Zoti Hyj:
Edhe unë do ta marr
prej majës së cedrit të madh
prej majës së gemave të tij
do ta këpus një gemëz
e do ta mbëltoj mbi një mal
të lartë e të madhërishëm.
23 Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit:
do të shpërthejë në pinjolla e do të bëjë fruta:
cedër do të jetë i madhërueshëm.
Nën të do të banojnë të gjithë shpendët,
çdo shpend nën hijen e gemave të tij
çerdhen do ta bëjë.
24 Të gjitha pemët e fushës do ta dinë
se unë jam Zoti
që e zvogëlon pemën e madhe
dhe e lartëson të voglën,
e thaj lëndën e njomë
dhe e bëj të bulëzojë të thatën.
Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.