< Ez 15 Ez 17 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 16)
16

1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, njoftoja Jerusalemit të gjitha turpësitë e tij!

3 Thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj kundër Jerusalemit: Prejardhja jote dhe vendlindja jote nga toka Kanaan. Yt atë amorreas e nëna jote hetite.

4 Ti kur linde, ditën e lindjes sate, nuk të qe prerë kërthiza, nuk të lanë në ujë për t’u pastruar as s’qe kripur me kripë as s’qe mbështjellë me shpërgënj.

5 Asnjë sy s’pati dhembshuri për ty që ta bëjë ndonjërën nga këto gjëra, as s’pati mëshirë, por ditën e lindjes sate të përbuzur të hodhën përmbi faqen e dheut.

6 Ndërsa unë po kaloja të pashë duke u zhgërryer në gjakun tënd e të thashë ndërsa ishe ende në gjakun tënd: Jeto! Të thashë ‑ po them atëherë kur ishe në gjak: Jeto!

7 E bëra që të rritesh porsi bari në arë. Ti u rrite, u bëre e madhe, arrite moshën e të përmuajshmeve. Parzmat e tua u ngufatën, flokët t’u rritën; por ishe lakuriq dhe e mbuluar me turp.

8 Kalova përbri teje e të pashë; mosha jote, ja, ishte mosha e dashurimit. E hodha mbi ty mallotën time dhe e mbulova lakuriqësinë tënde; atëherë unë t’u përbetova dhe lidha besëlidhjen me ty ‑ thotë Zoti Hyj ‑ e ti u bëre imja.

9 Unë atëherë të lava me ujë dhe ta pastrova gjakun dhe të leva me vaj.

10 Të vesha me petka të larme, në këmbë t’i mbatha sandalet prej më të mirës lëkurë, të ngjesha me li të përpunuar e të vesha me mëndafsh.

11 Të stolisa me stoli, të vura në duar mëdorëzat, gjerdan në fytin tënd.

12 Me unazë të zbukurova hundën, me vathë veshët e tu e me kurorën e shkëlqimit kokën tënde!

13 U stolise me ar e me argjend, u veshe me li të përpunuar e me mëndafsh shumëngjyrësh. U ushqeve me më të mirin miell, me mjaltë e me vaj. U bëre shumë e bukur, tejet e hijshme, e denjë për mbretëreshë.

14 Zëri yt i mirë u hap ndër popuj për shkak të bukurisë sate, sepse ishe e përsosur në stolinë time që ta kisha dhënë ‑ thotë Zoti Hyj.

15 Por ty t’i mori mendtë bukuria jote dhe e shfrytëzove zërin e mirë tëndin për të bërë fëlligështi dhe lute me fëlligështinë tënde gjithkënd, të gjithë kalimtarët.

16 More petkat e tua dhe i stolise lartësitë lara‑lara ku ti lavirësoje ashtu si nuk ka ndodhur kurrë as s’do të ndodhë.

17 I more edhe stolitë e arta e të argjendta me të cilat unë të kisha stolisur e me to punove përfytyrimet e meshkujve dhe lavirësove me to.

18 More edhe petkat shumëngjyrëshe të tuat e me to i mbulove; vajin tim dhe kemin tim i kushtove para tyre.

19 Po edhe bukën time që ta dhashë, më të mirin miell, vaj e mjaltë, me të cilët të ushqeva, i kushtove përpara tyre në erë të erëndshme. Po, ashtu bëre! ‑ është fjala e Zotit Hyj.

20 Pastaj i more bijtë e bijat e tua, që m’i linde, dhe ua kushtove atyre që t’i përpijnë! A thua punë e vogël të duket fëlligështia jote?

21 I there bijtë e mi dhe ua dhe atyre si kusht!

22 E pas të gjitha këtyre turpësive e fëlligështive as ndër mend nuk të ranë ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq e të mbulonte turpi e zhgërryheshe në gjakun tënd!

23 Ja që, pas të gjithë kësaj paudhësisë sate, ‑ Vaj, vaj për ty! ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑

24 ti punove nga një shenjtërorëze e nga një lartësirë në çdo shesh.

25 Në çdo kryerrugë punove lter dhe e çnderove bukurinë tënde duke ua dhuruar trupin tënd secilit kalimtar dhe i shumëzove fëlligështitë e tua.

26 Bëre fëlligështi me bijtë e Egjiptit, fqinjët e tu gjymtyrëmëdhenj dhe i shumëzove fëlligështitë e tua për të më ngacmuar mua.

27 Ja, unë e lartësova dorën time mbi ty dhe ta mungova sasinë e ushqimit tënd, dhe të dhashë në dorë të atyre që të urrejnë ‑ bijave të palestinezëve që deri ato skuqen për sjelljen tënde të paturp.

28 Ti bëre fëlligështi me bijtë e asirianëve dhe nuk u ngive; edhe pasi bëre fëlligështi, prapë nuk u ngope.

29 Atëherë i shumëzove lavirësitë e tua deri edhe me njerëzit e tokës së kaldenjve tregtarë; por as kështu nuk u ngive.

30 Po me çka ta pastroj zemrën tënde ‑ thotë Zoti Hyj ‑ kur i bën të gjitha këto vepra të një gruaje lavire të pafytyrë?!

31 Në çdo kryeudhë ia punove vetes shenjtërorëzen e në çdo shesh lartësirën; por jo porsi laviret e tjera, sepse ti e përbuze shpagimin.

32 Gruaja kurorëshkelëse në vend të burrit pranon një njeri tjetër.

33 Të gjitha lavireve u paguhet çmimi, kurse ti i paguaje dashnorët e tu dhe u jepje dhurata që të hynin te ti nga çdo anë për të bërë fëlligështi me ty.

34 Ti ishe lavire e pashoqe: ndodhi me ty çka s’ndodh me laviret e tjera: askush s’vrapoi pas teje për të bërë fëlligështi: me atë që ti jepje shpërblim e nuk merrje, kaq ti kishe rënë poshtë!

35 Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit:

36 Kështu thotë Zoti Hyj: Pse e shpërdorove pasurinë tënde, pse ua zbulove veten dashnorëve të tu në fëlligështitë e tua dhe idhujve të tu të urryeshëm, për gjakun e bijve të tu që ua kushtove idhujve,

37 ja, pra, unë do t’i bashkoj të gjithë dashnorët e tu, të cilët i kënaqe, të gjithë ata që i deshe së bashku me të gjithë ata që i urreve; prej ngado do t’i bashkoj të gjithë kundër teje, do ta qes në dritë turpësinë tënde ndër sy të tyre dhe do ta shikojnë të gjithë marren tënde.

38 Do të të gjykoj ashtu si gjykohen kurorëshkelëset e vrastaret: do të të lë në dorë të zemërimit e mendjes së zezë gjakësore.

39 Do të të lë në duar të tyre: do ta rrënojnë shenjtërorëzen tënde, do t’i rrafshojnë lartësirat e tua, ty do të të zhveshin nga petkat e tua, do t’i heqin stolitë e tua dhe do të të lënë lakuriq e të mbuluar me turp.

40 Rreth teje pastaj do të bashkojnë fundërrinën e njerëzve, do të të godasin me gurë e do të të grimcojnë me shpatat e veta.

41 Shtëpitë e tua do t’i djegin me zjarr e ty do të të dënojnë ndër sy të një shumice grash. Do të bëj të mos lavirësosh më e më të mos japësh dhurata për fëlligështi.

42 Në ty do ta shfryj zemërimin tim dhe do të më shkojë mendja e zezë për ty. Do të qetësohem e nuk do të zemërohem më.

43 Pasi nuk u kujtove për ditët e rinisë sate e me të gjitha këto më ngacmove, prandaj edhe vetë mbi kokën tënde do ta sjell sjelljen tënde ‑ thotë Zoti Hyj. Prapë, nuk u solla me ty sipas paudhësive të tua në të gjitha turpësitë e tua.

44 Ja, secili që në popull i përdor fjalët e urta do ta thotë këtë në lidhje me ty: ‘Si e ëma, ashtu e bija!’

45 Bija e sat’ëme je ti, që e përbuzi burrin e vet e fëmijët e vet! Ti je motra e motrave të tua, që i përbuzën burrat e vet e fëmijët e vet! Nëna juaj qe hetite e babai juaj amorreas!

46 Motra jote e madhe Samaria, ajo e bijat e saja që banon në të majtën tënde. Motra jote, më e vogël se ti, që banon në të djathtën tënde, Sodoma e bijat e saj.

47 Por, mjerisht, as udhëve të tyre nuk ece, as s’i bëre vetëm paudhësitë e tyre: do të kishte qenë pothuajse pak, por ti bëre punë shumë më të këqija se ato në të gjithë sjelljen tënde!

48 Pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ nuk bëri Sodoma, motra jote e bijat e saja, siç bëre ti e bijat e tua!

49 Ja, cili qe faji i Sodomës, motrës sate: krenaria, mbushullim buke, papunësia e prunjtë si për të ashtu edhe për bijat e saj dhe nuk u ndihmonin nevojtarëve e skamnorëve:

50 u krenuan dhe bënë çka është e urryeshme para syve të mi dhe i çrrënjosa siç ke parë.

51 E Samaria nuk e bëri gjysmën e mëkateve të tua, por i tejkalove me kobësitë e tua motrat e tua dhe me të gjitha kobësitë e tua që i bëre, bëre të duken të drejta motrat e tua.

52 Prandaj merre mbi vete turpin e fajeve të tua me të cilat i bëre të shfajësuara motrat e tua, pasi mëkatove më kobësisht se ato: ato duken të shfajësuara krahasuar me ty. Prandaj, turpërohu dhe mbarte kobësinë tënde ti, që i shfajësove motrat e tua.

53 Unë do ta përmirësoj fatin e tyre. Fatin e Sodomës e të bijave të saj edhe fatin e Samarisë e të bijave të saj; edhe fatin tënd do ta ndërroj në mesin e tyre,

54 që ta mbartësh turpin tënd e të të vijë turp për çka ke bërë që t’i ngushëllosh.

55 Motra jote Sodoma e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre, Samaria e bijat e saj do të kthehen në gjendjen e parë të tyre edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

56 Pse a s’e vije në bisht të lahutës motrën tënde Sodomën në ditët e krenarisë sate

57 para se të zbulohej kobësia jote? Ti tani je bërë përqeshje për bijat e Sirisë e të gjithave përreth teje e të bijave të palestinezeve që të zgërdhihen përreth.

58 Mbaji, pra, turpësitë e tua e kobin tënd ti vetë ‑ është fjala e Zotit.

59 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Unë do të sillem me ty sikurse edhe ti u solle, ti që e theve besën me përbetim, sa që e theve deri edhe besëlidhjen.

60 Por unë do ta kujtoj besëlidhjen time që e lidha me ty në ditët e rinisë sate e do të caktoj në të mirën tënde një besëlidhje të përhershme.

61 Ti prej anës sate do t’i kujtosh udhët e tua e do të të vijë turp kur t’i marrësh motrat e tua ‑ më të mëdha e më të vogla ‑ e t’i jap për bija, por jo në fuqi të besëlidhjes sate.

62 Unë do të bëj besëlidhje me ty e do ta dish se unë jam Zoti,

63 që të kujtohesh e të turpërohesh e të mos guxosh kurrë më ta çelësh gojën tënde prej turpit kur unë të kam falur gjithçka ke bërë ‑ thotë Zoti Hyj.”

Fjala e Zotit