1 Më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
2 “Biri i njeriut, ç’vlerë më të madhe ka
druri i hardhisë se lëndët e tjera të pyllit?
3 Pse a përdoret druri i saj
për të gdhendur ndonjë gjë?
Ose a punohet prej saj ndonjë gozhdë
që të varet ndonjë gjë në të?
4 Ja, në zjarr hidhet që të digjet:
kur zjarri t’ia djegë dy skajet
edhe mesi t’i jetë shkrumbuar,
a thua atëherë vlen për punim?!
5 As kur ishte e tërë
prej saj gjë s’mundej të punohet;
aq më pak kur ta djegë, ta përpijë zjarri,
s’mund të punohet me të kurrgjë.
6 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:
Porsi druri i hardhisë ndër lëndë të tjera të pyllit,
që në zjarr e hodha ta përpijë,
ashtu i hodha banorët e Jerusalemit!
7 Faqen time e solla kundër tyre!
Prej zjarrit ata kanë dalë,
prapë zjarri do t’i përpijë.
Do ta dini se unë jam Zoti,
kur të sillem kundër tyre,
8 kur mbarë vendin ta bëj të shkretë
pse s’ma ruajtën besnikërinë
‑ është fjala e Zotit Hyj.”