< Ez 9 Ez 11 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 10)
10

1 Shikova dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte përmbi kokë të kerubinëve diçka si gur safiri dhe përmbi ta u duk diçka e ngjashme me një fron.

2 Ai i tha njeriut të veshur në të linjta: “Hyr ndërmjet rrotave që janë nën kerubinë dhe mbushi grushtat e tu me prush zjarri që është ndërmjet kerubinëve e zbrazi mbi qytet.” Ai njeri hyri ndër sy të mi.

3 Kerubinët ishin në të djathtën e Tempullit kur njeriu hyri brenda e reja e mbushi oborrin përbrenda.

4 Atëherë u ngrit Lavdia e Zotit nga kerubinët drejt pragut të Tempullit dhe Tempulli u mbush me re, kurse oborri u mbush me shkëlqimin e Lavdisë së Zotit.

5 Rrahja e krahëve të kerubinëve dëgjohej deri në tremen e jashtme, porsi jehona e zërit të Zotit të gjithëpushtetshëm kur flet.

6 E kur ai i dha urdhër njeriut që ishte i veshur me të linjta: “Merr zjarr prej mesit të rrotave, ndërmjet kerubinëve”, ai njeri hyri dhe zuri vend përbri rrotës.

7 Një kerubin e shtriu dorën nga mesi i kerubinëve drejt zjarrit që ishte ndërmjet kerubinëve, mori dhe i qiti në grushtat e atij që ishte i veshur me të linjta. Ky e mori zjarrin e doli.

8 Atëherë pashë se kerubinët kishin nën krahët e tyre diçka në përgjasimin e dorës së njeriut.

9 Shikova, dhe ja, ishin katër rrota përgjatë kerubinëve, nga një rrotë përgjatë secilit kerubin. Dukja e rrotave ishte e ngjashme me gurin krisolit.

10 Të katërtat ishin si njëra ‑ tjetra, thuase njëra rrotë ishte e futur në tjetrën.

11 Kur lëviznin, mund të shkonin në të katër drejtimet pa pasur nevojë të sillen, por ecnin drejt vendit ku u printe e para, të tjerat e ndiqnin e nuk silleshin kur lëviznin.

12 E mbarë trupi i tyre, shpina, duart e krahët edhe rrotat ishin plot me sy gjithkund përreth, të katërtat.

13 Dëgjova se këto rrota u quajtën: “Vorbull”.

14 Secili kerubin kishte katër fytyra: faqja e parë, faqja e kerubinit, faqja e dytë, faqja e njeriut, faqja e tretë, faqja e luanit, faqja e katërt, faqja e shqiponjës.

15 Kerubinët u ngritën në ajër: ishte gjallesa që e kisha parë te lumi Kobar.

16 Kur niseshin kerubinët, niseshin edhe rrotat përgjatë tyre; kur kerubinët i luanin krahët për t’u ngritur nga toka, rrotat nuk silleshin, por qëndronin përgjatë tyre.

17 Kur qëndronin ata, qëndronin, kur ngriheshin ata, ngriheshin; sepse shpirti i gjallesave ishte në to.

Lavdia e Zotit largohet nga Tempulli

18 Lavdia e Zotit doli nga pragu i Tempullit e zuri vend mbi kerubinë.

19 Kerubinët i hapën krahët e vet ndër sy të mi e u ngritën nga toka, e, duke u nisur, me ta shkuan edhe rrotat. U ndal në hyrje të derës së Shtëpisë së Zotit, në lindje. Lavdia e Zotit të Izraelit ishte mbi ta.

20 Është kjo po ajo gjallesë që e pashë nën Hyjin e Izraelit bri lumit Kobar dhe e kuptova se ishin kerubinë.

21 Secili ishte me katër faqe e me katër krahë edhe secili kishte nën krahë diçka të ngjashme me dorën e njeriut.

22 Fytyrat i kishin të njëjta me ato që i pashë bri lumit Kobar. Secili ecte para vetes.



Fjala e Zotit