< 2Kro 36 Esd 2 >
Lexim prej librit të Esdrës(Esd 1)
1

1 Në vitin e parë të sundimit të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit e dërguar përmës gojës së Jeremisë, Zoti e frymëzoi shpirtin e Kirit, dhe ky shpalli ‑ madje edhe më shkrim ‑ në mbarë mbretërinë e vet:

2 ”Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Të gjitha mbretëritë e tokës m’i dhuroi Zoti, Hyji i qiellit, dhe ai më urdhëroi ta ndërtoj për të një Tempull në Jerusalem të Judesë.

3 Të gjithë ju që i përkisni popullit të tij ‑Hyji i juaj qoftë me ju ‑ shkoni në Jerusalem të Judesë, dhe ta ndërtoni Tempullin e Zotit, Hyjit të Izraelit ‑ Hyjit që është në Jerusalem.

4 Dhe mbarë Tepricës së këtij populli që ka mbetur gjallë, kudo që të jetë, duhet të ndihmohen nga njerëzit e tjerë të vendbanimeve të tyre, me ar e argjend, me pasuri, bagëti e me dhurata vullnetare për ta ndërtuar Tempullin e Hyjit, që është në Jerusalem”.

5 Atëherë u çuan krerët e vëllazërive të Judës e të Beniaminit, priftërinj e levitë, dhe të gjithë ata që Hyji ua zgjoi shpirtin, e u nisën për ta ndërtuar Tempullin e Zotit që është në Jerusalem.

6 Të gjithë fqinjët e tyre u ndihmuan bujarisht me enë të argjendta, të arta, me pasuri, bagëti e me gjëra të paçmueshme, pa i llogaritur dhuratat e vullnetshme.

7 Po kështu edhe mbreti Kir i nxori enët e Tempullit të Zotit, që Nabukodonozori i kishte rrëmbyer prej Jerusalemit dhe i kishte vënë në tempullin e hyjit të vet.

8

Kiri, mbreti i Persisë, ia dha ato Mitridatit, përgjegjësit të thesarit, e ky ia numëroi Sasabasarit, prijësit të Judës.

9 Dhe ja, numri i tyre:

gota të arta: tridhjetë;

gota të argjendta: një mijë;

thika: njëzet e nëntë;

kupa të arta: tridhjetë;

10 kupa të argjendta: katërqind e dhjetë;

enë të tjera: të shumta.

11 Gjithsej enë ari e argjendi: pesë mijë e katërqind. Të gjitha këto i mori Sasabasari me vete kur të humburit ktheheshin nga Babiloni në Jerusalem.



Fjala e Zotit