1 Pas këtyre ngjarjeve, kur më mbretit Asuer i kaloi flaka e hidhërimit, i ra ndër mend për Vastin dhe gjithë ç’ishte vendosur kundër saj.
2 Atëherë oborrtarët që ishin në shërbim të mbretit, i thanë: “Le të kërkohen për mbretin vajza virgjëra dhe të bukura.
3 Mbreti le të caktojë njerëz të aftë që do të mund të zgjedhin vajza të bukura e virgjëra, le t’i bien në qytetin Suzë dhe le t’i dorëzojnë në shtëpinë e grave nën mbikëqyrjen e eunukut Egjej, që është kryekujdestari dhe rojësi i grave të mbretit. Ai le të kujdeset për gjithçka që do t’u nevojitet për t’u bërë gati.
4 Cilado prej tyre që do t’u pëlqejë syve të mbretit, le të bëhet mbretëreshë në vend të Vastit”.
Mbretit i pëlqeu kjo dhe urdhëroi të bëhet ashtu siç qe parashtruar.
5 Në qytetin Suzë ishte një njeri që quhej Mardoke, çifut, biri i Jairit të Semejit të Cisit, nga fisi i Beniaminit.
6 Ky qe humbur bashkë me të robëruarit të tjerë nga Jerusalemi, të cilët qenë humbur me Jekoninë, mbretin e Judës, që e shpërnguli Nabukodonozori, mbreti i Babilonit.
7 Mardokeu e rriti bijën e ungjit të vet Edisën, e cila ndryshe quhet Esterë. Kjo kishte mbetur bonjake pa nënë e pa baba. Ishte e bukur dhe e pashme. Mardokeu e bëri bijë në shpirt.
8 Si u shpall urdhri i mbretit, sipas urdhrit të tij, u sollën shumë vajza të bukura në Suzë, të gjitha virgjëra. I qenë dorëzuar Egjeut. Po ashtu qe dorëzuar edhe Estera në shtëpinë e mbretit në duar të Egjeut, rojtarit të grave.
9 Vajza i pëlqeu dhe gjeti hir para syve të tij dhe u kujdesua menjëherë t’i japë çka i nevojitej për zbukurim e ushqim. Ia dha pjesët që i takonin si dhe shtatë femra shumë të bukura nga shtëpia mbretërore edhe atë, bashkë me përcjellëset e saja, e kaloi në pjesën më të mirë të shtëpisë së grave.
10 Estera nuk i kishte treguar as për popullin as fisin të cilit i përkiste, sepse Mardokeu i kishte urdhëruar të mos fliste për këtë gjë assesi.
11 Mardokeu kalonte për çdo ditë përpara shtëpisë së grave ku ruheshin vajzat e zgjedhura dhe pyeste për shëndetin e Esterës dhe çfarë po ndodhte me të.
12 Secila vajzë duhej të hynte te mbreti kur t’i vinte rendi, pasi të kishte kryer gjithçka, kërkohej që zbukurimi i vajzave të zgjaste dymbëdhjetë muaj: gjashtë muaj të lyheshin me vaj mirre dhe gjashtë muajt e tjerë me mjete zbukurimi e me erëra të ndryshme grash.
13 Vajza që hynte te mbreti, mund merrte gjithçka të dëshironte nga shtëpia e femrave dhe ta shpiente me vete në dhomën e mbretit.
14 Hynte në mbrëmje, e në mëngjes përsëri kthehej në shtëpinë e femrave nën kujdesin e eunukut Sasagazi, i cili ishte kryekujdestari i konkubinave. Më nuk kishte kurrfarë pushteti për të hyrë te mbreti, përveç nëse dëshironte vetë mbreti dhe nëse ai jepte urdhër të vinte për emër ajo që ai donte.
15 Me kalimin e kohës, erdhi rendi të shkonte te mbreti edhe Estera, bija e Abihajlit, ungjit të Mardokeut, të cilën ky e kishte bërë bijë në shpirt. Estera nuk kërkoi asgjë, përveç sa i tha eunuku Egjej, rojëtari i grave. Të gjithëve u dukej e hijshme dhe e dashur.
16 Kështu pra, qe sjellë në dhomën e mbretit Asuer në muajin e dhjetë, që quhet Tebet, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.
17 Mbretit i pëlqeu më tepër se të gjitha femrat e tjera; ajo gjeti hir e përkrahje tek ai më shumë se të gjitha të tjerat. Mbreti ia vuri mbi kokë kurorën e mbretëreshës dhe kështu e bëri mbretëreshë në vend të Vastit.
18 Atëherë mbreti urdhëroi të bëhej një gosti e mrekullueshme për nder të Esterës, për të gjithë princat e oborrtarët e vet, e pushoi angarinë në të gjitha krahinat dhe ndau dhurata me bujari mbretërore.
19 Ndërkaq Mardokeu qëndronte me punë në oborrin e mbretit,
20 e Estera nuk kishte treguar se ç’fisi dhe kombi i përkiste, ashtu si ai i kishte urdhëruar. Estera dëgjonte gjithçka ai i urdhëronte, ashtu si e kishte pasur shprehi ta dëgjonte kur ishte ende vogëlushe nën kujdesin e tij.
21 Kështu, pra, aso kohe, kur Mardokeu ishte në oborrin e mbretit, u hidhëruan Bagatani e Taresi, dy oborrtarë të mbretit që ishin derëtarë, dhe vendosën të çojnë dorë kundër mbretit.
22 Këtë gjë e hetoi Mardokeu. Menjëherë e njoftoi mbretëreshën Esterë e kjo në emër të Mardokeut ia bëri me dije mbretit.
23 U bënë hetimet, u gjet se ishte pikërisht ashtu dhe të dy qenë varur.
Kjo gjë në praninë e mbretit u shënua në Librin e kronikave.