< Jt 16 Es 2 >
Lexim prej librit të Esterës(Es 1)
1

1 Ndodhi në kohën e Asuerit, që sundoi nga India në Etiopi, mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina.

2 Në këtë kohë, derisa qëndronte në fronin e mbretërisë së vet në qytezën Suzë,

3 në vitin e tretë të mbretërimit të vet, përgatiti një gosti të madhe për të gjithë zyrtarët e lartë, shërbëtorët, oficerët e ushtrisë së persianëve e të medëve, për bujarët e qeveritarët e krahinave,

4 për t’ua dëftuar pasurinë e madhe dhe madhështinë e lavdisë së vet, gjatë një kohe të gjatë, domethënë njëqind e tetëdhjetë ditëve.

5 Kur kaloi kjo kohë, mbreti përgatiti në tremen e kopshtit të vet një gosti tjetër dhe e thirri mbarë popullin e qytetit të Suzës, të madh e të vogël, dhe urdhëroi që gostia të bëhej shtatë ditë rresht.

6 Dhe në çdo anë vareshin gjithfarë pëlhurash liri, të bardha, të purpurta, leshi, ngjyrë vjollce, të lidhura me litarë bezeje e grimizi të kuq, të kaluar në rrathë të argjendtë e të lidhur në shtylla mermeri. Shtrojet, pastaj, ishin ari e argjendi, të hedhura mbi truallin e shtruar me smerald e me margaritarë dhe me gurë të ngjyrave të ndryshme.

7 Të ftuarit pinin me gota të arta formash të ndryshme, ndërsa vera, për të qenë ashtu si e kërkon denjësia e madhërisë mbretërore, ishte me shumicë dhe jepej kush sa donte.

8 Askush nuk shtyhej të pinte përdhunë, sepse mbreti kështu u kishte urdhëruar mëkëmbësve të vet, të vepronin sipas dëshirës së secilit të ftuar.

9 Po ashtu edhe mbretëresha Vasti bëri një gosti për gra në pallatin e mbretit, aty ku mbreti zakonisht banonte.

10 Në ditën e shtatë, mbreti, plot qejf nga vera e shumtë që kishte pirë, i urdhëroi Maumanit, Bazatës, Harbonës, Bagatës, Abgatës, Zetarit e Harhasit, shtatë eunukëve që ishin në shërbim të tij personal,

11 ta sillnin para tij mbretëreshën Vasti, me kurorën e mbretëreshës në kokë, sepse donte t’ua tregonte të gjithë popujve e të gjithë prijësve bukurinë e saj: sepse vërtetë ishte shumë e bukur.

12 Por ajo nuk pranoi dhe, duke e përbuzur urdhrin e mbretit, të dërguar me anë të eunukëve, kundërshtoi të vijë. Mbreti, prandaj, i hidhëruar aq shumë,

13 i pyeti të diturit, ata që i njohin kohërat – gjithçka bënte sipas këshillave të njohësve të ligjit e të zakoneve të të parëve –

14 e këta ishin më të afërmit e tij: Karsena, Setari, Admata, Tarsisi, Maresi, Marsana e Mamukani, shtatë prijësit e persianëve e të medëve. Këta ishin ata që rrinin pranë mbretit dhe ishin njerëz të vendeve të para të mbretërisë.

15 Mbreti i pyeti: “Sipas ligjit çfarë duhet të bëhet me mbretëreshën Vasti, e cila nuk e dëgjoi urdhrin e mbretit Asuer që ia çoi me anë të eunukëve”?

16 Mamukani u përgjigj në praninë e mbretit e të princërve: “Mbretëresha Vasti kështu nuk e ka fyer vetëm mbretin, por edhe të gjithë princërit dhe popujt e të gjitha krahinave të mbretit Asuer”.

17 Fjala e mbretëreshës do t’u shkojë në veshë të gjitha grave, e do t’i përbuzin burrat e vet, e do të thonë: “Mbreti Asuer dha urdhër që mbretëresha Vasti të shkonte tek ai e ajo s’e përfilli”.

18 Dhe që prejsot, gratë e princave persianë e medë, po sa të dëgjojnë për sjelljen e mbretëreshës, do t’ua thonë princave. Kështu do të krijohet një çrregullim dhe padëgjesë e madhe.

19 Nëse, ty, o mbret të pëlqen, nxirre një ligj që do të ishte një nga ligjet e persianëve e të medëve, nga ato që nuk mund të ndryshohen, që Vasti kurrë më të mos dalë pranë mbretit dhe mbretëreshë le të bëhet një tjetër që është më e mirë se ajo.

20 Ky urdhër le të shpallet në mbarë perandorinë tënde që është tejet e madhe, pra në të gjitha krahinat. Kështu të gjitha gratë do t’i nderojnë burrat e vet qofshin ata të mëdhenj apo të vegjël”.

21 Mbretit dhe princave të tij u pëlqeu këshilla e Mamukanit, prandaj edhe veproi kështu.

22 Dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë së vet, të shkruara në gjuhë të ndryshme dhe me shkronja të ndryshme, që çdo komb të mund t’i lexonte e t’i merrte vesh: kështu që çdo burrë të jetë prijës e zot në shtëpinë e vet e të gjitha gratë t’u binden burrave të vet.



Fjala e Zotit