< Ef 5 Fil 1 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve(Ef 6)
6

1 Fëmijë, dëgjojini prindërit tuaj në Zotin, sepse është e drejtë.

2 “Ndero babain tënd dhe nënën” ‑ është urdhri i parë me premtim:

3 ”që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe!”

4 Ju, o prindër, mos i hidhëroni fëmijët tuaj, por edukojini me disiplinë e me këshilla që vijnë prej Zotit.

Skllevërit dhe zotërinjtë

5 Skllevër, dëgjojini zotërinjtë tuaj tokësorë me nderim e bindje në thjeshtësinë e zemrës ‑ porsi Krishtin.

6 Jo për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si skllevërit e Krishtit, të cilët me vetëdije e kryejnë vullnetin e Hyjit,

7 dhe me ëndje shërbejnë, porsi Zotit e jo njerëzve,

8 duke ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav qoftë i lirë, për këtë do ta marrë pagën prej Zotit.

9 Por edhe ju, zotërinj, silluni edhe ju ashtu kundrejt tyre: larg jush mendimi t’i ndëshkoni! Dijeni se Zotëruesi i tyre dhe juaji është në qiell! Te Ai nuk ka krahambajtje!

Luftojeni të keqen

10 Kështu këndej forcohuni në Zotin dhe në fuqinë e pakufishme të tij!

11 Ngjeshuni me armët e Hyjit që të mund t’u bëni ballë pritave të djallit.

12 Sepse, nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij të hapësirës qiellore.

13 Prandaj ngjeshni të gjitha armët e Hyjit që të mund të qëndroni përballë në ditën e ligë e, pasi të ngadhënjeni mbi të gjitha, të qëndroni zotërues të fushës.

14

Në këmbë, pra! Ngjeshni ijët me të vërtetën dhe veshni drejtësinë në vend të pancirës,

15 mbathni këmbët me zellin e kumtimit të Ungjillit të paqes!

16 Në çdo gjë mbani në dorë shqytin e fesë: me të do të mund t’i fikni shigjetat e zjarrta të të Keqit!

17 Merrni përkrenaren e shëlbimit dhe shpatën e Shpirtit Shenjt, d. m. th. Fjalën e Hyjit!

18 Lutuni në bashkim me Shpirtin Shenjt me çdo uratë e lutje në çdo rast! Prandaj edhe rrini zgjuar me shumë qendresë dhe në lutje për të gjithë shenjtërit.

19 Lutuni edhe për mua, që Hyji të ma zhdërvjellë gjuhën dhe të më japë fjalë të përshtatshme për ta kumtuar plot guxim misterin e Ungjillit,

20 i dërguari i të cilit jam në pranga, që të mund të flas me guximin e duhur.

Përshëndetjet e fundit

21 Dhe që ju të dini si jam dhe çka bëj, për çdo gjë do t’ju vërë në dijeni Tihiku, vëllai i dashur dhe ndihmësi besnik në Zotin.

22 Atë po e dërgoj te ju pikërisht për këtë punë që të dini si jemi dhe që t’i ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Hyji Atë dhe Zotëria Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri bashkë me fenë!

24 Paçin hir të gjithë ata që e duan Jezu Krishtin, Zotërinë tonë me dashuri që nuk mbaron.

 


 



Fjala e Zotit