< Ef 4 Ef 6 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve(Ef 5)
5

1 Përngjajini Hyjit porsi bij të dashur

2 dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli “që jep erë të mirë”.

3 Fëlligështia ose çdo lloj papastërtie ose lakmimi as të mos zihet në gojë ndër ju, siç u ka hije shenjtërve.

4 Po as llafe të ndyta, as marri, as fjalë me dy vështrime që nuk kanë hije, por më mirë falënderime.

5 Sepse dijeni mirë këtë: asnjë fëlligështar, asnjë kurvar, asnjë lakmues pasurie ‑ që është idhujtar ‑ nuk ka pjesë në Mbretërinë e Krishtit e të Hyjit.

Jetoni porsi bij të dritës

6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota: për këto gjëra bie hidhërimi i Hyjit mbi njerëzit e padëgjueshëm.

7 Mos kini, pra, kurrgjë të përbashkët me ta!

8 Po, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës.

9 Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta ‑

10 vendosni të bëni çka i pëlqen Hyjit!

11 Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbulojini!

12 Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të fliten!

13 E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vet të vërtetë,

14 sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë:

Zgjohu ti që fle,

ngrihu nga të vdekurit,

dhe do të të shndrisë Krishti!’

15 Vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë,

16 të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija.

17 Prandaj mos jini të paarsyeshëm, por të dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit.

18 Mos u dehuni me verë, në të cilën është shfrenia, por mbushuni me Shpirtin Shenjt.

19 Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja!

20 Gjithmonë dhe për çdo gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit!

21 Nënshtrohuni njëri‑tjetrit në frikën e Krishtit!

Bashkëshortët

22 Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit.

23 Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës ‑ Ai, Shëlbuesi i Trupit.

24 Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka.

25 Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të

26 për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me larje dhe me fjalë,

27 që të bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë gjë si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë.

28 Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta ‑ porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten.

29 Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën.

30 Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij.

31 ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të jenë një trup i vetëm.’

32 Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën.

33 Shkurt, për sa u përket juve, secili prej jush le ta dojë gruan e vet porsi vetveten e gruaja le ta nderojë burrin e vet.

 



Fjala e Zotit