1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit për vullnet të Hyjit:
shenjtërve që janë (në Efes), besimtarëve në Jezu Krishtin.
2 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!
Bekimi shpirtëror në Krishtin
3 Qoftë bekuar Hyji.
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi
me çdo bekim shpirtëror
në qiell
në Krishtin.
4 Në Të na zgjodhi
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij
në dashuri.
5 Ai na parashënoi për vete
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit
me pëlqimin e vullnetit të vet
6 për nder të lavdisë së hirit të tij
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
7 në Të, në saje të gjakut të tij,
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet
me anë të begatisë së hirit të tij,
8 të cilin Hyji e ndikoi në ne
bashkë me çdo urti e kuptim.
9 Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet ‑ synim që lirisht kishte vendosur që më parë ta kryente në Të ‑
10 kur të plotësohej koha:
d. m. th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit,
të gjitha qeniet që janë
në qiell e në tokë.
11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë
‑ të paracaktuar
me vendim të Atij
që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑
12 të jemi në nder të lavdisë së tij
‑ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin.
13 Po në Të edhe ju
që e dëgjuat fjalën e së vërtetës
‑ Ungjillin e shëlbimit tuaj ‑
pasi besuat në Të,
u vulosët me Shpirtin Shenjt ‑ të Premtuarin ‑
14 që është pengu i trashëgimit tonë:
për shpërblimin e plotë të atyre
që u bënë pronë e Hyjit ‑
në nder të Lavdisë së tij.
Lutja e Palit
15 Prandaj edhe vetë, që kur dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve,
16 nuk pushoj së falënderuari për ju e së kujtuari ju në lutjet e mia,
17 që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë;
18 t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër,
19 dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij,
20 të cilën e tregoi me vepër në Krishtin
duke e ngjallur nga të vdekurit
dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,
21 mbi çdo Principatë, Pushtet,
Fuqi, Zotërim
dhe mbi çdo emër që mund të përmendet
jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme.
22 Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij
e Atë e vendosi mbi çdo gjë
‑ për Krye të Kishës,
23 e cila është Trupi i tij,
plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.