1 Mbreti Astiagj qe varrosur përbri etërve të vet e Ciri persian ia trashëgoi mbretërinë.
2 Danieli jetonte me mbretin, i cili e çmonte më tepër se çdo mik tjetër.
3 Babilonasit kishin një idhull që quhej Bel. Për çdo ditë shpenzonin për të dymbëdhjetë artabë të më të mirit miell, dyzet dele dhe gjashtë masa verë.
4 Gjithashtu edhe mbreti e nderonte dhe çdo ditë shkonte për ta adhuruar. Danieli adhuronte Hyjin e vet. Mbreti i tha: “Pse nuk e adhuron Belin?”
5 Danieli iu përgjigj: “Unë nuk i adhuroj idhujt e punuar me dorë, por vetëm Hyjin e gjallë, që krijoi qiellin e tokën e që ka pushtet mbi çdo gjallesë.”
6 E mbreti i tha: “Pse, a nuk të duket se Beli është hyj i gjallë? Pse a nuk sheh sa ha e pi çdo ditë?”
7 Danieli iu përgjigj me buzë në gaz: “Mos gabo, o mbret, sepse ai përbrenda është prej bote e përjashta është i artë: ai kurrë as s’ka ngrënë as s’ka pirë.”
8 Mbreti, i zemëruar, i thirri priftërinjtë e Belit e u tha: “Në mos më tregofshi se kush i ha këto ushqime, do t’ju vras!
9 Po në qoftë se ma vërtetoni se këto i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit.” Danieli i tha mbretit: “U bëftë sipas fjalës sate!” Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë pa numëruar gratë dhe fëmijët.
10 Mbreti erdhi me Danielin në tempullin e Belit.
11 Priftërinjtë e Belit i thanë: “Ja, ne po dalim jashtë. Ti, o mbret, silli ushqimet e verën e përzier: pastaj mbylle derën e vulose me unazën tënde.
12 Kur të hysh në mëngjes, nëse nuk i gjen të gjitha të ngrëna nga Beli, na vra ne ose Danielin, i cili rrejti kundër nesh.”
13 Ata s’e druanin vdekjen, sepse kishin punuar nën tryezë një hyrje të fshehtë e nëpër të hynin çdo ditë e i përlanin ushqimet.
Danieli zbuloi dredhinë
14 Pasi ata dolën, mbreti i vendosi ushqimet para Belit. Danieli i urdhëroi shërbëtorët e vet e ata i sollën hi dhe e shpërndanë nëpër mbarë tempullin në prani vetëm të mbretit. Pastaj dolën jashtë, e mbyllën derën, e vulosën me unazën e mbretit dhe shkuan.
15 E priftërinjtë hynë natën, siç e kishin zakon, edhe gratë e fëmijët e tyre, i hëngrën dhe i pinë të gjitha.
16 Po edhe mbreti u ngrit në mëngjes shumë herët, e edhe Danieli bashkë me të.
17 Mbreti e pyeti: “Daniel, a janë vulat shëndoshë e mirë? ‑ Shëndoshë e mirë janë, o mbret ‑ iu përgjigj Danieli.
18 Menjëherë, posa e hapi derën, si ia lëshoi hodhi sytë tryezës, mbreti brohoriti me zë të lartë: “I madh je, o Bel, e me ty nuk ka kurrfarë dredhie!”
19 Danielit i shpërtheu gazi, e mbajti mbretin të mos hynte brenda e tha: “Shikoje truallin e mendo gjurmët e kujt janë këto!”
20 Mbreti tha: “Po shoh gjurmë trimash, grash e fëmijësh.” Mbreti u hidhërua.
21 I kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, kurse ata i treguan hyrjen e fshehtë, nëpër të cilën hynin e hanin së bashku gjithçka ishte në tryezë.
22 Mbreti i vrau ata e Belin ia dha Danielit t’i bëjë atij çka të dojë. Ai e rrënoi atë dhe tempullin e tij.
Danieli mbyt gjarprin
23 Ishte një kuçedër e madhe e babilonasit i jepnin nderim.
24 Mbreti i tha Danielit: “S’ke si thua se ky nuk është një hyj i gjallë? Pra, adhuroje!”
25 Danieli iu përgjigj: “Unë adhuroj Zotin, Hyjin tim, sepse ai është Hyj i gjallë.
26 E ti, o mbret, më jep leje e unë do ta vras gjarprin pa shpatë e pa shkop.” Mbreti i tha: “Lejen e ke.”
27 Atëherë Danieli mori peshkve, dhjamë e qime e i zjeu së bashku, bëri me to lëmsha dhe ia futi në gojë gjarprit e, pasi i hëngri, gjarpri plasi. Danieli tha: “Shikoni se çka adhuronit!”
Danieli në shpellën e luanëve
28 Kur morën vesh babilonasit, të zemëruar sa s’ka, u bashkuan kundër mbretit e thanë: “Mbreti u bë çifut: e shkatërroi Belin, e mbyti gjarprin e i vrau priftërinjtë!”
29 Atëherë shkuan para mbretit e i thanë: “Na e dorëzo Danielin, përndryshe do të të vrasim ty dhe familjen tënde.”
30 Pa mbreti se ishin sulur kundër tij me tërbim e, i shtrënguar prej ngushticës, ua dorëzoi Danielin.
31 Ata e hodhën në shpellën e luanëve e ndenji aty gjashtë ditë.
32 Në shpellë ishin shtatë luanë. Për çdo ditë u jepnin dy kufoma e dy dele. Asohere nuk u dhanë asgjë me qëllim që ta përpinin Danielin.
33 Profeti Abakuk ishte në Jude: kishte përgatitur një mëlmesë, në enë kishte përsheshur bukën e po nisej në fushë për t’ua çuar korrtarëve.
34 Por engjëlli i Zotit i tha Abakukut: “Sillën që e ke në dorë, çoja Danielit në Babiloni. Është në shpellën e luanëve.”
35 Abakuku iu përgjigj: “Zotëri, Babiloninë s’e kam parë kurrë e shpella s’di se ku është.”
36 Engjëlli e kapi në majë të kokës e, duke e mbartur për floku me fuqinë e shpirtit të vet e lëshoi në Babiloni përmbi shpellë.
37 Abakuku thirri e tha: “Daniel, o Daniel, merre drekën që ta dërgoi Hyji.”
38 Danieli tha: “Të ka rënë ndër mend për mua, o Hyj; ti nuk i lëshon dore ata që të duan.”
39 Danieli u çua e hëngri drekë, kurse engjëlli i Hyjit menjëherë e ktheu Abakukun në vendin e vet.
40 Të shtatën ditë mbreti erdhi që ta vajtojë Danielin. Kur arriti te shpella, shikoi brenda, dhe ja, Danieli po rrinte ndenjur.
41 Atëherë mbreti bërtiti me sa zë që kishte e tha: “I madh je, o Zot, Hyji i Danielit, përveç teje Zot tjetër nuk ka!”
42 Atëherë dha urdhër që ta nxjerrin Danielin nga shpella e i hodhi në shpellë ata që kishin kërkuar vdekjen e tij: luanët menjëherë i përlanë para syve të tij.