< Ez 48 Dan 2 >
Lexim prej librit të Danielit(Dan 1)
1

1 Në të tretin vit të mbretërimit të Joakimit, mbretit të Judës, erdhi Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, në Jerusalem dhe e rrethoi.

2 Zoti ia la në dorë Joakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të Shtëpisë së Hyjit. Ky i mbarti ato në tokën Senaar, në tempullin e hyjnive të veta dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë së hyjnive të veta.

3 Mbreti e urdhëroi Asfanazin, kryetarin e oborrtarëve të vet, që t’i sjellë prej bijve të Izraelit, nga dera mbretërore e bujarë

4 disa djelmosha pa të meta, të hijshëm për kah pashia e të pajisur me të gjitha dijet, të mësuar mirë e të edukuar mirë: të tillë që të mund të qëndrojnë në pallatin e mbretit me qëllim që të mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve.

5 Mbreti u caktoi sasinë ushqimore për çdo ditë nga ushqimet e vera që pinte vetë. Do të edukoheshin për tre vjet e pastaj do të kishin për të dalë para mbretit.

6 Ndër ta nga bijtë e Judës ishin: Danieli, Anania, Mizaeli dhe Azaria.

7 Kryetari i oborrtarëve ua ngjiti emrat: Danielit Baltazar, Ananisë Sedrak, Mizaelit Mizak dhe Azarisë Abdenago.

Besnikëria e Danielit ndaj Ligjit

8 Por Danieli vendosi në zemrën e vet të mos përdhoset me ushqime nga tryeza e mbretit as me verë të pijeve të tij dhe me lutje iu drejtua kryetarit të oborrtarëve që të mos ndotej.

9 Zoti bëri që Danieli të gjente hir e mëshirë në sytë e kryetarit të oborrtarëve

10 dhe atëherë kryetari i oborrtarëve i tha Danielit: “E kam frikë zotërinë tim, mbretin, i cili iu caktoi ushqimin dhe pijen e në qoftë se e heton se jeni më të thatë në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, atëherë ju do të jeni shkaku i dënimit tim para mbretit.”

11 Por Danieli i tha rojtarit që kryetari i oborrtarëve ua kishte caktuar Danielit, Ananisë, Mizaelit e Azarisë:

12 ”Na vër në provë, po të lutem, ne shërbëtorët e tu, për dhjetë ditë e na jepni për ushqim barishte e për pije ujë,

13 atëherë shiko fytyrat tona e fytyrat e djelmoshave që ushqehen me ushqime të mbretit dhe bëj me shërbëtorët e tu sipas asaj që të kesh parë.”

14 Ai e pranoi këtë kërkesë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë.

15 Pas dhjetë ditësh fytyra e tyre ishte më e mirë dhe më e plotë se e të gjithë djelmoshave që ushqeheshin me shujtën mbretërore.

16 Që atë ditë rojtari ua hoqi ushqimet dhe verën për pije të tyre dhe u jepte perime.

Në shërbim të mbretit

17 Këtyre katër djelmoshave Hyji u dhuroi dije e kuptim në çdo shkrim dhe dituri, kurse Danielit i dhuroi edhe dijen e të gjitha vegimeve e të ëndrrave.

18 Si u plotësuan ditët e caktuara prej mbretit, pas të cilave djelmoshat duheshin të nxirreshin para mbretit, kryetari i oborrtarëve i paraqiti para Nabukodonozorit.

19 Pasi mbreti foli me ta, prej të gjithëve nuk u gjetën të tillë si Danieli, Anania, Mizaeli e Azaria: të cilët mbetën në shërbimin e mbretit.

20 Në çdo çështje urtie e dijeje, për të cilat u bëri pyetje, mbreti gjeti se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët e astrologët që ishin në mbarë mbretërinë e tij.

21 Danieli qëndroi aty deri në vitin e parë të mbretit Cir.



Fjala e Zotit