< Dal 30 Dal 32 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 31)
31

1 Prapë Zoti foli me Moisiun e i tha:

2 ”Për emër e thirra Beseleelin, të birin e Uriut, djalit të Hurit, prej fisit të Judës

3

dhe e mbusha me shpirtin e Hyjit, me shkathtësi, dije e aftësi për çdo veprimtari:

4 të sendërtojë gjithçka mund të punohet me ar, me argjend e me bronz,

5 t’i presë margaritarët e t’i vendojë; të gdhendë në dru, të kryejë çdo vepër.

6 Për shok ia dhashë Ooliabin, birin e Ahisamehut, të fisit Dan; e kam pajisur me dije zemrën e secilit mjeshtër me aftësi që t’i punojnë të gjitha ato që të kam urdhëruar:

7 Tendën e takimit, Arkën e Dëshmisë e Pajtimoren, që është mbi të, dhe të gjitha enët e Tendës,

8 tryezën dhe të gjitha veglat përkatëse të saj, shandanin e pastër me të gjitha veglat përkatëse të tij dhe lterin e kemimit

9 si dhe lterin e flive të shkrumbimit me të gjitha veglat përkatëse të tyre, legenin me fundësorin e tij,

10 petkat e stolisë e petkat e shenjta të Aronit prift dhe të bijve të tij për shërbesën e tyre priftërore,

11 pastaj vajin për shugurim dhe temjanin e erërave të mira për Shenjtërore: do t’i sendërtojnë të gjitha që të kam urdhëruar”.

12 Zoti foli përsëri me Moisiun e i tha:

13 ”Fol me izraelitët dhe thuaju: ‘Mbani të shtunën time, sepse është shenja ndërmjet meje e jush e vlefshme edhe për pasardhësit tuaj, që ta dini mirë se unë jam Zoti që ju shenjtëroj.

14 Mbajeni, pra, të shtunën, sepse e shtuna është e shenjtë për ju. Kush ta çnderojë, le të vritet, e kush të punojë atë ditë, le të shqimet prej popullit të vet.

15 Punoni gjatë gjashtë ditëve; e shtata ditë është e shtunë ‑ pushim i shenjtë në nder të Zotit: kushdo të punojë në këtë ditë, le të vdesë!

16 Le ta ruajnë, pra, izraelitët të shtunën dhe le ta kremtojnë brezni më brezni, sepse është besëlidhje e përhershme

17 mes meje e bijve të Izraelit dhe shenjë e gjithmonshme. Paj, gjatë gjashtë ditëve Zoti e bëri qiellin e tokën, e të shtatën ditë e la punën e mori frymë”.


18 Kur Zoti kreu së foluri me Moisiun në malin Sinai, ia dha dy rrasat e Dëshmisë, rrasa të gurta të shkruara me gishtin e Hyjit.



Fjala e Zotit