< Dal 27 Dal 29 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 28)
28

1 “Prej bijve të Izraelit merre pranë teje Aronin, vëllanë tënd, me bijtë e tij që të ushtrojnë priftërinë për mua: Aroni, Nadabi, Abiuhi, Eleazari dhe Itamari.

2 Puno për Aronin, vëllanë tënd, petkat e shenjta që të paraqesin nderin dhe madhërinë.

3 Thuaju të gjithë mjeshtërve që i kam pajisur me dije që t’ia punojnë petkat Aronit që të kushtohet në shërbesën e priftërisë sime.

4 Dhe ja, petkat që duhet t’i punojnë: parzmorja, shpinorja, guna, këmisha e qendisur, kësula dhe brezi. Le t’i punojnë petkat e shenjta për Aronin e për bijtë e tij që të kryejnë shërbesën priftërore në nderin tim.

5 Ata le të përdorin ar, pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe, të kuqe të mbyllur dhe li të tjerrë”.

6 “Shpinoren le ta punojnë prej arit, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur ‑ të punuar me mjeshtri.

7 Le t’i ketë dy krahëza dhe në dy anët e skajeve të saja të bashkohet me to.

8 Rrypi që është mbi të për ta shtrënguar duhet të jetë i të njëjtës përmbajtje dhe një tërësi me të: prej arit, pëlhure ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur.

9 Merri dy gurë të paçmueshëm alabastri dhe gdhendi në ta emrat e bijve të Izraelit:

10 gjashtë emra në njërin gur e gjashtë tjerët në gurin tjetër, sipas rendit të lindjes së tyre.

11 Gdhendi gurët me mjeshtrinë e gdhendësit të gurëve e zgavroj emrat e bijve të Izraelit ashtu si skalitet vula; përreth tyre vëri rreth ari.

12 Nguli dy gurët mbi krahëzat e shpinores që të jenë në përkujtim të bijve të Izraelit. Kështu Aroni le t’i mbarë para Zotit emrat e tyre mbi të dy krahët për t’i përkujtuar.

13 Edhe skajet punoj prej arit

14 dhe dy vargje prej arit të pastër në trajtë të tejes me mjeshtri gërshetimi e atëherë mbërthej vargjet me skajet e arta”.

15 “Punoje edhe parzmoren e gjykimit me mjeshtri, sipas punimit të shpinores me ar, me pëlhurë ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe me li të dredhur:

16 le të jetë katrore dhe e dyfishtë: një pëllëmbë gjatë e një pëllëmbë gjerë.

17 Vëri në të katër radhë gurësh: në rreshtin e parë vër gurin: rubin, topaz e smaragd.

18 Në rreshtin e dytë: karbunkull, safir e jaspis.

19 Në rreshtin e tretë: hiacint, agat e ametist.

20 Në të katërtin: krisolit, oniks e beril. Le të jenë të rrethuar me ari sipas radhës së tyre.

21 Le t’i kenë emrat e bijve të Izraelit: le të jenë të gdhendur dymbëdhjetë emrat: çdo gur emrin e njërit nga të dymbëdhjetë fiset.

22 Edhe parzmores punoja vargjet si teje të gërshetuar me mjeshtri, ari të pastër.

23 Po edhe dy rrathë ari e vëri në majë të dy anëve të parzmores.

24 Vargjet e arta mbërthej me rrathët që janë në rrethin e saj,

25 kurse dy majët e këtyre vargjeve mbërthej në rrethin e krahëzave të shpinores në pjesët e përparme.

26 Punoji edhe dy rrathë të artë dhe lidhi për dy këndet e poshtme të parzmores në buzë përbrenda që është e sjellë prej shpinores.

27 Punoji po ashtu edhe dy rrathë të tjerë ari që do të vihen në secilin rryp të poshtëm të shpinores në pjesën e përparme të saj aty ku përpiqet rrypi i shpinores

28 e shtërngoje parzmoren për rrathët e saj e për rrathët e shpinores me një shirit purpure ngjyrë vjollce, kështu që parzmorja të rrijë përmbi rrypin e shpinores që parzmorja e shpinorja të mos mund të ndahen.

29 Kështu, pra, Aroni sa herë që të hyjë në Shenjtërore, le t’i mbartë mbi zemrën e vet emrat e fiseve të bijve të Izraelit në parzmoren e gjykimit: që t’i përkujtojë gjithmonë para Zotit.

30 Vëri në parzmoren e gjykimit edhe ‘Urim e Tummim’, që të jenë edhe ata mbi zemrën e Aronit sa herë që të hyjë në praninë e Zotit. Kështu Aroni ta mbarë mbi zemrën e vet në praninë e Zotit përherë gjykimin e bijve të Izraelit”.

31 “Gunën e shpinores punoje të tërë prej pëlhure të ngjyrës vjollce,

32 e në mes të saj grykën për krye. Buza përreth le të qepet porsi gryka në pancir, që të mos shqyhet.

33 Kurse në fund të gunës, gjithkund përreth, punoji prej pëlhurës ngjyrë vjollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur si shega e ndërmjet shegave kumbonëzat ari,

34 kështu që të jetë një kumbonëz e një shegë, e një kumbonëz e një shegë.

35 Le të veshet me të Aroni kur kryen shërbesën që të dëgjohet tingëllima kur hyn e del prej shenjtërores kështu s’do të vdesë”.

36 “ Punoje edhe një paftë krejt ar të kulluar e në të gdhende ashtu si gdhendet në vulën e unazës: “I shuguruar Zotit”.

37 Lidhe me shirit ngjyrë vjollce për kësulë,

38 në ballin e Aronit. Kështu Aroni le t’i marrë mbi vete të gjitha mungesat që do të mund t’i njollosnin kushtet e dhuratat që izraelitët i kushtojnë. Le ta mbajë gjithmonë në ballë që të fitojë për ta përkrahjen e Zotit.

39 Punoja këmishën prej lirit të pastër; po ashtu edhe kësulën prej lirit të pastër; edhe brezin të qendisur me mjeshtri”.

40 “Po edhe për bijtë e Aronit punoj këmisha të linjta; punoji edhe breza dhe kësula në shenjë nderi e madhërie.

41 Veshe me to Aronin, vëllanë tënd, dhe bijtë e tij; atëherë lyeji me vaj, mbushjau duart me pushtet dhe shuguroji që ta kryejnë shërbesën priftërore në nderim tim.

42 Punoju edhe të linjtat që të mbulojnë veten që prej veshkeve e deri kofshët.

43 Le t’i mbartin Aroni e bijtë e tij kur hynë në Tendën e takimit ose kur i afrohen lterit për të kryer shërbesën në shenjtërore që të mos bien në faj e të vdesin: është urdhëresë rituale e përhershme për të dhe për pasardhësit e tij pas tij”.



Fjala e Zotit