1 “Punoje lterin prej drurit të akacies, le të jetë i gjatë pesë kutë e i gjerë pesë kutë ‑ d. m. th. katror, kurse i lartë të jetë tre kutë.
2 Në katër këndet e tij punoji brirët që të jenë një cope me të. Veshe me bronz.
3 Punoji pastaj në përdorimin e lterit enë për mbeturina, tërfurq dhe enë për të mbajtur zjarrin: të gjitha enët farkoj prej bronzi.
4 Punoje edhe skarën prej bronzit në trajtë të rrjetës e në katër këndet e saj le të jenë katër rrathë bronzi për ta lidhur skarën.
5 Vendoje nën rrethin e lterit: le të jetë skara deri në gjysmë të lterit.
6 Punoji edhe dy shtaga prej drurit të akacies dhe veshi me bronz,
7 dhe përshkoji nëpër rrathë; kështu do të jenë në të dy anët e lterit për ta bartur.
8 Punoje dërrasash, por të tytë; le ta punojnë si të qe dëftuar në mal”.
9 “Punoje edhe tremen e Banesës. Në krahun e mesditës, në anën e jugut, le të ketë kurtinë pëlhure liri të dredhur: njëri krah duhet të jetë i gjatë njëqind kutë.
10 Duhet të ketë shtyllakë njëzet dhe po aq baza bronzi dhe le të kenë komçe dhe thupra argjendi.
11 Po ashtu edhe në krahun e veriut: kurtina le të jetë e gjatë njëqind kutë, shtyllakë njëzet copë dhe po aq baza bronzi dhe komçet e shtyllakëve dhe thuprat e tyre argjendi.
12 Kurse për gjerësi të tremes në krahun e perëndimit kurtina duhet të jetë e gjatë pesëdhjetë kutë e shtyllakë duhen dhjetë me aq baza bronzi.
13 Po edhe gjerësia në krahun e lindjes duhet të jetë pesëdhjetë kutë.
14 Njëra anë deri në hyrje duhet të ketë pesëmbëdhjetë kutë dhe tre shtyllakë e aq baza;
15 po ashtu edhe ana tjetër duhet të ketë pesëmbëdhjetë kutë koltrinë me tre shtyllakë e tri baza.
16 Për hyrje të tremes le të punohet koltrina e gjatë njëzet kutë prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur e prej lirit të dredhur: koltrinë e qendisur. Duhet të ketë katër shtyllakë po me aq baza.
17 Të gjithë shtyllakët e tremes rreth e rreth le të jenë të kapur me thupra argjendi dhe komçet e tyre le të jenë të argjendta, kurse bazat bronzi.
18 Tremja le të jetë e gjatë njëqind kutë, e gjerë pesëdhjetë, kurse e lartë le të jetë pesë kutë. Koltrina le të jetë pëlhure të lintë të dredhur, bazat prej bronzit.
19 Të gjitha enët e Banesës për shërbim në përgjithësi si dhe të gjithë shtyllakët e tij dhe të tremes le të jenë prej bronzit”.
20 “Urdhëroju bijve të Izraelit të të sjellin vaj të pastër prej ullinjve të shtrydhur që të rrijë drita e ndezur vazhdimisht
21 në Tendën e takimit jashtë tisit që është i vënë përpara Dëshmisë. Këtë dritë le ta rregullojnë Aroni dhe të bijtë që prej mbrëmjes e deri në mëngjes të ndriçojë para Zotit: le të jetë kjo një rregullore e pandryshueshme për izraelitët prej breznie në brezni”.