< Dal 25 Dal 27 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 26)
26

1 “Kurse Banesën punoje kështu: punoji dhjetë koltrina me pëlhurë liri të tjerrë ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur të qendisura me figura kerubinësh artistikisht.

2 Gjatësia e njërës pëlhurë: njëzet e tetë kutë; gjerësia katër kutë e njërës pëlhurë; masa e njëjtë e të gjitha koltrinave.

3 Pesë koltrina le të bashkohen njëra me tjetrën, e pesë tjerat po ashtu duhet të bashkohen njëra me tjetrën.

4 Punoji edhe vjegëzat prej leshit ngjyrë viollce në kindin e njërës koltrinë në fund në vend ku përpiqen, po kështu puno edhe në koltrinën tjetër në kindin ku duhet të përpiqen.

5 Punoji pesëdhjetë vjegëza në kindin e njërës koltrinë e pesëdhjetë vjegëza në kindin e koltrinës tjetër. Vjegëzat le të punohen njëra kundrejt tjetrës.

6 Punoji edhe pesëdhjetë komçarë ari, me të cilët do të lidhen pëlhurat e koltrinave, që Banesa të bëhet një tërësi.

7 Punoji edhe njëmbëdhjetë çulla me lesh dhish për Tendën mbi Banesën.

8 Gjatësia e çullit të jetë tridhjetë kutë, kurse gjerësia të jetë katër kutë; të gjithë çullat të kenë të njëjtën masë.

9 Përpiqi pesë çulla veçmas e pastaj edhe gjashtë të tjerët veçmas, por ashtu që çulli i gjashtë të bëhet dyfish në ballë të Tendës.

10 Punoj pesëdhjetë vjegëza në buzë të çullit të fundit në vend të përpjekjes të të parit e pesëdhjetë në buzë të çullit në vend të përpjekjes së tjetrit.

11 Punoji edhe pesëdhjetë komçarë bronzi, me të cilët të mbërthehen vjegëzat që prej të gjithëve të bëhet Banesa një tërësi.

12 E sa tepron prej çullave të përgatitur për mbulojë, d. m. th. një çull i dyfishuar, me gjysmën e tij mbuloje pjesën e sprasme të Banesës;

13 një kut që tepron në njërën anë e një kut që tepron në anën tjetër për gjatësi të çullave të Tendës, le të bien mbi dy krahët e Banesës për ta mbrojtur nga njëra anë e nga ana tjetër.

14 Punoje pastaj edhe një mbulesë tjetër për Banesën. Të jetë prej lëkurave të regjura e të ngjyrosura kuq deshësh dhe edhe një mbulesë tjetër me lëkura delfinësh.

15 Prej drurit të akacies punoji dërrasat pingule të Banesës.

16 Secila të jetë e gjatë dhjetë kutë dhe e gjerë një kut e gjysmë.

17 Çdo dërrasë t’i ketë dy kunja me të cilët të lidhet dërrasa me dërrasë; kështu punoji të gjitha dërrasat e Banesës.

18 Këso dërrasash të jenë për krahun e jugut që kthen prej mesditës njëzet.

19 Për ta shkrij dyzet fundra argjendi, dy baza për dy kunjat e dërrasës së parë, e kështu rëndom dy baza për dy kunja të secilës dërrasë.

20 Po ashtu në krahun e dytë të Banesës që është në anë të veriut, punoj njëzet dërrasa,

21 dhe të kenë dyzetë fundra argjendi: nga dy fundra duhet t’i vihen secilës dërrasë.

22 Në anën e fundme të Banesës, në perëndim, vëri gjashtë dërrasa.

23 Punoji edhe dy dërrasa për të tjera që do të ngulen në kënde të Banesës përpas.

24 Kështu le të jenë binjake prej poshtë e deri lart të bashkuara në një tërësi; të tilla le të jenë këto të dyja për të dy këndet.

25 Pra, le të jenë tetë dërrasa me fundrat e tyre të argjendta: gjashtëmbëdhjetë fundra të argjendta, vëri nga dy fundra secilës dërrasë.

26 Punoji edhe tërthorcat prej drurit të akacies: pesë për t’i mbajtur dërrasat në njërën anë

27 e pesë për anën tjetër të Banesës e pesë për pjesën pas në krahun e perëndimit.

28 Tërthorca e mesme le të shkojë për mjedis të dërrasave prej njërit skaj në tjetrin.

29 Dërrasat veshi me ar dhe shkrij për to rrathë ari,

30 nëpër të cilët tërthorcat do të përshkohen; punoji prej ari”.

31 Punoje edhe koltrinën prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur dhe prej lirit të tjerrë me kerubina të qendisur në të me mjeshtri.

32 Vare në katër shtyllakë prej drurit të akacies. Edhe këta duhet të jenë të praruar, komçarët t’i kenë të artë e fundrat të argjendta.

33 Vare koltrinën në varëse e pas saj fute Arkën e Dëshmisë. Kështu tisi do ta ndajë Shenjtëroren nga Shenjtërorja e shenjtërve.

34 Vëre edhe Pajtimoren mbi Arkën e Dëshmisë në Shenjtëroren e shenjtërve,

35 kurse tryezën jashtë koltrinës e shandanin në anën e jugut të Banesës, përballë tryezës. Tryezën vendoje në anë të veriut.

36 Për në hyrje të tendës punoje dhe një napë prej pëlhure ngjyrë viollce, të kuqe e të kuqe të mbyllur me li të përpunuar të qendisur me mjeshtri.

37 Për napën punoji pesë shtyllakë prej drurit të akacies të praruar, para të cilëve do të vihet napa. Komçarët le të punohen prej arit, e bazat prej bronzit”.



Fjala e Zotit