1 Atëherë i tha Moisiut: “Ngjitu te Zoti ti e Aroni, Nadabi e Abihui dhe shtatëdhjetë pleq prej Izraelit e adhuroni prej së largu.
2 Vetëm Moisiu le të ngjitet te Zoti, por këta të mos afrohen, dhe as populli të mos ngjitet me të”.
3 Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do t’i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti”.
4 Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes hëngri dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gurngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
5 Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit viça në nder të Zotit.
6 Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter.
7 Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli u përgjigj: “Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm”.
8 Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve”.
9 Atëherë Moisiu u ngjit me Aronin, Nadabin e Abihuin dhe me shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit.
10 Dhe e panë Hyjin e Izraelit: nën këmbët e tija thuajse shtroja prej gurëve të paçmueshëm të safirit e shkëlqyeshme pothuajse si vetë qielli kur është i kthjellët.
11 As dorën e vet nuk e ngriti mbi të zgjedhurit e Izraelit: mundën ta shikojnë Hyjin. Hëngrën e pinë.
12 Zoti i tha Moisiut: “Ngjitu tek unë në mal e qëndro aty. Do t’i jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që i kam shkruar për t’i mësuar”.
13 U ngritën Moisiu dhe Jozuehi, përcjellësi i tij. Duke u nisur Moisiu për malin e Hyjit,
14 u tha pleqve: “Pritni këtu deri që të kthehemi te ju. Me ju janë Aroni dhe Huri, nëse lind ndonjë çështje, drejtohuni atyre”.
15 Moisiu u ngjit në mal dhe reja e mbuloi malin.
16 Lavdia e Zotit erdhi të banojë në mal të Sinait dhe reja e mbuloi gjashtë ditë. Të shtatën ditë Hyji e thirri prej resë Moisiun.
17 Lavdia e Zotit u dukej në sy të bijve të Izraelit në trajtë të zjarrit përpijës në majën e malit.