1 Këto janë rregulloret që do t’ua shtjellosh:
2 “Kur për skllav do të kesh blerë një hebre, le të shërbejë për gjashtë vjet, të shtatin vit, le të shkojë i lirë, falas.
3 Nëse vjen i vetëm, i vetëm edhe le të shkojë; nëse pati grua, me grua le të shkojë.
4 Nëse zotëria e martoi e gruaja i lindi bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj, do t’i përkasin zotërisë së tij, kurse ai do të dalë vetëm.
5 Por, nëse skllavi thotë: ‘E dua zotërinë tim, gruan time e fëmijët e mi, nuk dua të jem i lirë’,
6 atëherë i zoti le ta bjerë te Hyji, le ta afrojë te dera ose te shtalkat e le t’ia shporojë veshin me bizë dhe le t’i mbesë në shërbim të përhershëm.
7 Kur ndokush ta shesë vajzën e vet skllave, nuk do të lirohet siç është zakon të lirohen skllevërit.
8 Në qoftë se nuk i pëlqen atij që i qe dhënë, le t’ia lejojë të shpërblehet, por nuk do të ketë pushtet t’ia shesë njeriut prej popullit të huaj; sepse veproi me tradhti kundrejt saj.
9 Në qoftë se ia cakton për grua birit të vet, atëherë le të sillet me të si me të bijën.
10 Nëse merr ndonjë tjetër, mos t’ia mohojë ushqimin e veshjen as shtratin.
11 Nëse nuk ia plotëson këto të tria, le të dalë e lirë falas, pa kërkuar të shpërblehet”.
12 “Kush t’i bjerë njeriut e ky të vdesë prej të rrahurit, le të ndëshkohet me vdekje.
13 Porse për atë që nuk i ka dalë në pritë, por Hyji e ka lëshuar në duart e tija, unë do ta tregoj vendin ku do të mund të strehohet.
14 Por kur ndokush e vret të afërmin e vet me qëllim e me tradhti, atëherë kape edhe prej lterit tim e çoje për ta vrarë.
15 Kush t’i bjerë t’et e s’ëmës, le të dënohet me vdekje.
16 Kush e grabit njeriun, si në qoftë se e ka shitur, si në qoftë se i zihet në dorë, le të dënohet me vdekje.
17 Kush e fyen me fjalë të atin e t’ëmën, le të ndëshkohet me vdekje.
18 Nëse njerëzit zihen me fjalë e njëri i bie tjetrit me gur ose grusht, e ky nuk vdes, por bie në shtrat,
19 nëse ngrihet dhe ecën me shkop përjashta, atëherë rrahësi le të falet, por i duhet të paguajë kohën e humbur dhe shpenzimet për shërim.
20 Kush e rreh skllavin ose skllaven e vet me shkop, dhe ata i vdesin në duar, bie në gjak.
21 Porse, në qoftë se jetojnë një ose dy ditë, nuk bie në gjak, sepse janë pronë e tija.
22 Kur, gjatë një grindjeje, rrihen disa vetë e i bien gruas shtatzënë e kjo e qet fëmijën, nëse nuk ka edhe ndonjë të keqe tjetër, ai që i ra, le të paguajë dëmin që do të kërkojë burri i saj e të vendosin pleqtë.
23 Por, nëse ndodh edhe ndonjë e keqe tjetër, do të kthejë jetën për jetë,
24 syrin për sy, dhëmbin për dhëmb, dorën për dorë, këmbën për këmbë,
25 djegien për djegie, varrën për varrë, damkën për damkë.
26 Kush i bie skllavit ose skllavës së vet e i verbon syrin, për shkak të syrit, do t’ia kthejë lirinë.
27 Nëse skllavit të vet ose skllaves së vet i shkul dhëmbin, për shkak të dhëmbit, do t’ia kthejë lirinë.
28 Kur kau e vret me brirë njeriun ose gruan e këta vdesin, kau le të vritet me gurë dhe mos t’i hahet mishi; i zoti i kaut le të jetë i pafajshëm.
29 Por në qoftë se gjedhi e kishte zakon të sulmojë me brirë edhe më parë dhe për të e kanë vënë në dijeni të zotin e tij, e ky nuk e ka ndry, e ky vret ndonjë burrë ose grua: le të vritet me gurë kau e le të vritet edhe i zoti i tij.
30 Nëse pronarit i caktohet çmimi i shpërblimit të jetës së tij, le të paguajë për jetën e vet sa t’i jetë caktuar.
31 Nëse kau vret një djalosh ose një vajzë, le të veprohet me të po sipas kësaj rregulloreje.
32 Po nëse vret një skllav ose skllave, t’i japë zotërisë tridhjetë sikla të argjendta e kau le të vritet me gurë.
33 Kur ndokush e lë grykën e pusit çelur ose e çel pusin e nuk ia mbyll grykën, e shkon e bie kau ose gomari në të,
34 i zoti i pusit duhet të paguajë gjedhin, kurse bagëtia e cofur i takon atij.
35 Kur një ka e shpon një tjetër dhe e mbyt, le ta shesin kaun e gjallë e le t’i ndajnë të hollat; le ta ndajnë edhe kafshën e cofur.
36 Por nëse ka qenë e ditur se kau vret e i zoti nuk e ka ruajtur, le të kthejë kaun për ka, e kau i cofur le t’i mbesë atij.
37 Kur ndokush vjedh ndonjë bagëti të trashë ose një bagëti të imët, si në e pastë prerë si në e pastë shitur: le të kthejë pesë bagëti të trasha për një bagëti të trashë, e katër bagëti të imëta, për një të imët.