1 Një burrë prej familjes së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet.
2 Ajo ngjizi dhe lindi djalë. E pa se fëmija ishte i bukur dhe e fshehi për tre muaj.
3 Pasi s’mundi ta mbante më të fshehur, mori një shportë papirusi, e leu me bitum e me peshkve, brenda e futi fëmijën dhe e la në kallamishte, në breg të lumit.
4 Motra e fëmijës rrinte dhe vërente prej së largu çka do të ndodhë.
5 Dhe ja, bija e faraonit erdhi dhe hyri të lahet në lumë, ndërsa shërbëtoret e saja shëtisnin bregut të lumit. Bija e faraonit, kur e pa shportën në kallamishte, e dërgoi shërbëtoren e vet për ta sjellë.
6 Kur e hapi, pa në të një djalë që po qante. Pati dhimbje për të dhe tha: “Qenka një fëmijë hebrenjsh”!
7 Atëherë i tha motra e fëmijës: “A të shkoj e ta thërras një grua hebrenje që të mund ta ushqejë foshnjën”?
8 iu përgjigj: “Shko”! Vajza u lëshua vrap dhe e thirri t’ëmën e foshnjës.
9 Kësaj bija e faraonit i tha: “Merre këtë foshnjë dhe ma ushqe! Unë do të të paguaj”! Gruaja e mori fëmijën, e ushqeu e, kur u rrit, ia dorëzoi bijës së faraonit.
10 Kjo ia ngjiti emrin Moisi. Tha: “Sepse e nxorra prej ujit”.
11 Ndër ato ditë, Moisiu, si u rrit, shkoi te vëllezërit e vet. Pa se si po vuanin e pa edhe një egjiptian duke e rrahur një hebre ‑ prej vëllezërve të tij.
12 Pasi shikoi këndej e andej e nuk pa kë, e vrau egjiptianin dhe e fshehi në rërë.
13 Doli të nesërmen dhe i pa dy hebrenj që po grindeshin. I tha atij që po e rrihte shokun: “Përse po e rrah të afërmin tënd”?
14 Ai iu përgjigj: “Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? A mos po do të më vrasësh, siç e vrave egjiptianin”?
Moisiun e kapi frika dhe tha: “Po si doli kjo gjë në dritë”?
15 Kur i shkoi kjo ngjarje në vesh faraonit, ai deshi ta vrasë Moisiun. Moisiu iku prej tij dhe shkoi në dheun e Madianit e u ndal të pushojë përbri një pusi.
16 Tashti, prifti i Madianit kishte shtatë vajza. Këto erdhën të nxjerrin ujë. Këto i mbushën lugjet me ujë e donin t’u jipnin ujë grigjave të t’et.
17 Por arritën barinjtë dhe i dëbuan ato. Mirëpo, Moisiu u ngrit, i mbrojti vajzat dhe u dha ujë deleve të tyre.
18 Këto u kthyen tek i ati, Ragueli dhe ai u tha: “Përse u kthyet më shpejt se zakonisht”?
19 Ato përgjigjën: “Një burrë egjiptian na shpëtoi prej barinjve. Për më tepër, nxori ujë për ne dhe u dha edhe berreve tona”.
20 Por ai u tha: “Ku është ai njeri? Përse e latë të shkojë? Thirreni të hajë bukë”!
21 Kështu Moisiu pranoi të jetojë tek ai njeri dhe e mori për grua Seforën, bijën e tij.
22 Ajo i lindi një djalë, të cilin e quajti Gersam. Tha: “Jam i ardhur në dhe të huaj”!
23 Mirëpo, pas një kohe të gjatë, vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende dënesnin në skllavëri. Klithnin të mjerët prej vuajtjeve të robërisë, dhe klithjet e tyre për ndihmë arritën te Hyji.
24 Hyji i dëgjoi klithjet e tyre dhe iu kujtua besëlidhja që e lidhi me Abrahamin, me Izakun e me Jakobin.