< Dal 15 Dal 17 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 16)
16

1 Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit bënë çojën edhe prej Elimit dhe erdhi në shkretëtirën e Sinit, që gjendet ndërmjet Elimit dhe Sinait. Ishte e pesëmbëdhjeta ditë e të dytit muaj pasi kishin dalë prej dheut të Egjiptit.

2 Mbarë bashkësia e bijve të Izraelit zuri të ankohet kundër Moisiut e Aronit në shkretëtirë.

3 I thonin njëri‑tjetrit: “Oh, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në dheun e Egjiptit, kur rrinim mbi vegsha mishi e hanim bukë derisa s’u ngopnim! Po pse na nxorët dhe na sollët në këtë shkretëtirë të vdesë urie mbarë bashkësia”?!

4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Ja, unë po bëj t’ju bjerë bukë prej qiellit. Le të dalë populli e le të mbledhë, aq sa t’i dalë mjaft për çdo ditë. Dua t’i vë në provë palè a do të ecin në ligjin tim apo jo.

5 Të gjashtën ditë, kur të përgatisin çka kanë mbledhur duhet të jetë dyfish se sa kanë mbledhur për çdo ditë”.

6 Moisiu e Aroni u thanë të gjithë bijve të Izraelit:

“Në mbrëmje do ta dini

pse Zoti ju nxori

nga dheu i Egjiptit,

7 kurse në mëngjes do ta shihni

lavdinë e Zotit.

Sepse e dëgjoi ankimin tuaj kundër Zotit. Sepse, kush jemi ne që të nynykatni kundër nesh”?!

8 Atëherë Moisiu shtoi:

“Zoti do t’ju japë

të hani mish në mbrëmje

dhe në mëngjes bukë derisa të ngopeni,

sepse Zoti e dëgjoi ankimin tuaj që e përshperitni kundër tij. Sepse, kush jemi ne? Nynykatja juaj nuk është kundër nesh, por kundër Zotit”.

9 Moisiu i tha Aronit: “Thuaj mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit: Afrohuni në praninë e Zotit, sepse e ka dëgjuar ankesën tuaj!”

10 Dhe, ndërsa Aroni po i fliste mbarë bashkësisë së bijve të Izraelit, e sollën shikimin drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re!

11 Atëherë Zoti iu drejtua Moisiut. I tha:

12 “I dëgjova ankimet e bijve të Izraelit. Thuaju: Sonte do të hani mish e nesër në mëngjes do të ngiheni me bukë e atëherë do ta pranoni se unë jam Zoti, Hyji juaj”!

13 Posa u bë mbrëmje, ia behën shkurtat dhe e mbuluan tëbanishën, kurse në mëngjes një shtresë vese rreth e rrotull zemërimiës.

14 E kishte mbuluar sipërfaqen e shkretëtirës! Atëherë u duk mbi tokë kokërrizë e hollë porsi brymë.

15 Kur e panë bijtë e Izraelit, i thanë njëri‑tjetrit: “Manhu?” /që do të thotë: “Çfarë është kjo?”/. Sepse nuk dinin se çka ishte. Moisiu u tha: “Kjo është buka që Zoti jua dha për ta ngrënë!

16

Dhe ja, çka Zoti urdhëron: ‘Secili le të mbledhë sa i del mjaft për të ngrënë; për çdo anëtar një gomor, sipas numrit të anëtarëve tuaj. Merrni kështu secili sipas numrit të njerëzve që ka në tendë”.

17 Bijtë e Izraelit vepruan kështu:

bashkuan kush më shumë e kush më pak.

18 E matën me masën e gomorit: as ai që kishte mbledhur më shumë, nuk kishte më tepër dhe, as atij që kishte bashkuar më pak, nuk i mungoi: kishin mbledhur të gjithë aq sa mund të hanin.

19 Moisiu u tha: “Askush të mos ruajë gjë për të nesërmen.”

20 Ata që nuk e dëgjuan, por ruajtën ndonjë sasi prej saj për të nesërmen, u mbush me krimba dhe u qelb. Moisiu u zemërua kundër prej tyre.

21 Secili mblidhte në mëngjes aq sa i nevojitej për ushqim. Kur nxente dielli, u shkrinte.

22 Të gjashtën ditë mblodhën ushqim të dyfishtë, d. m. th. dy gomorë për çdo njeri. Erdhën të gjithë të zotët e shtëpive të bashkësisë dhe i treguan Moisiut.

23 Ai u tha: “Është pikërisht ashtu siç u tha Zoti: ‘Nesër është e shtunë, pushim në nder të Zotit: çka keni për të pjekur, piqeni, çka keni për të zier ziejeni. Gjithçka t’ju teprojë lëreni për nesër në mëngjes”.

24 Vepruan ashtu siç u tha Moisiu dhe nuk u prish dhe nuk u gjetën krimba në të.

25 Moisiu u tha: “Hajeni sot, sepse është e shtuna në nder të Zotit, sot nuk do të gjendet në fushë manë.

26 Gjashtë ditë do ta mblidhni, kurse e shtata ditë është e shtuna në nder të Zotit: prandaj edhe nuk do të ketë”.

27 Të shtatën ditë disa prej popullit dolën për të mbledhur, por nuk gjetën.

28 Zoti i tha Moisiut: “Deri kur nuk doni t’i zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjin tim?

29 A s’po shihni se Zoti ju ka dhënë të shtunën? Për këtë arsye ju jep të gjashtën ditë bukë për dy ditë. Secili le të rrijë në shtëpinë e vet! Të shtatën ditë askush të mos dalë nga vendi ku gjendet”!

30 Kështu, pra, populli pushoi të shtatën ditë.

31 Këtë ushqim shtëpia e Izraelit e quajti manë. Ishte porsi kokrra e koriandrit, e bardhë, kurse shijen e kishte porsi kulaçi me mjaltë.

32 Moisiu tha: “Ja urdhri që ka dhënë Zoti: ‘Mbushe me të një gomor dhe të ruhet për pasardhësit tuaj që ta njohin bukën me të cilën ju ushqeva në shkretëtirë, kur qetë nxjerrë nga dheu i Egjiptit’”.

33 Atëherë Moisiu i tha Aronit: “Merre një enë dhe qit në të aq sa nxen një gomor dhe vendose para Zotit e ruaje për pasardhësit e tu”.

34 Po ashtu si i urdhëroi Zoti Moisiut, Aroni e vendosi për ta ruajtur para Dëshmisë.

35 Bijtë e Izraelit hëngrën manën për dyzet vjet, derisa s’erdhën në dheun e banueshëm. Me këtë bukë u ushqyen derisa s’erdhën në kufijtë e dheut të Kanaanit.

36 Gomori është e dhjeta pjesë e efit.



Fjala e Zotit