< Dal 14 Dal 16 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 15)
15

1 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë:

“Le t’i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu:

kalë e kalorës

plandosi në fund t’detit!

2 Zoti është forca dhe fuqia ime,

Ai, veç Ai, më shpëtoi!

Ai është Hyji im,

Atë lavdëroj!

Është Hyji i atit tim:

Atë e lartësoj!

3 Zotin askush s’e mund,

Jahve emrin e ka!

4 Qerre e ushtri të faraonit

në det i plandosi!

Luftëtarët e tij të zgjedhur

Deti i Kuq i mbuloi!

5 Pellgu i përpiu,

humbën si spata në pus!

6 E djathta jote, o Zot,

fuqi e tmerrueshme:

e djathta jote

e goditi armikun!

7 Madhëria jote

i shpartallon kundërshtarët;

i lëshon fre hidhërimit

dhe i përpin si bykun!

8 Me frymën e fëlgrimit tënd

ujërat u bashkuan:

pendë u bënë

valët shkumuese,

thellësitë u ngurën

në fundin e detit”!

9 Thoshte armiku:

“I sulem pas, do ta zë;

do ta ndaj prenë;

shpirti do të më ngopet,

do të vringëlloj shpatën,

dora ime do t’i vrasë”!

10 I fryve detit

e deti i mbuloi!

U zhdukën si plumbi

në ujërat e përfrigueshme!

11 Kush është si Ti

ndër zota, o Zot!?

Kush është si Ti,

i madhërueshëm në shenjtëri,

i tmerrshëm dhe i lavdishëm,

që bën mrekulli!?

12 Ti shtrive dorën,

toka i përpiu!

13 Hiri yt e përcolli këtë popull

që Ti e shpërbleve;

i prin me fuqinë tënde

në banesën tënde të shenjtë.

14 Dëgjuan popujt dhe u dridhën,

rrëqethjet i kapën banorët e Filistesë!

15 U tmerruan atëherë prijësit e Edomit,

mornicat i kapën trimat e Moabit,

u dridhën të gjithë banorët e Kanaanit!

16 Frikë e tmerr

mbi ta u vërsul;

prej madhërisë së krahut tënd

shtangohen, bëhen gur,

deri të kalojë populli yt, o Zot,

deri të kalojë ky, populli yt,

që është prona jote!

17 Do ta shtish dhe do ta mbjellësh

në malin e trashëgimit tënd,

në banesën tënde të përhershme,

që ti vetë e përgatite, o Zot,

shenjtërore, o Zot,

me duar të tua të përftuar!

18 Zoti do të sundojë

përgjithmonë e mot të jetës”!

19 Sepse, si hynë kuajt e faraonit me karroca e me kalorësit e tij në det, Zoti i ktheu mbi ta ujërat e detit, kurse bijtë e Izraelit kaluan nëpër terik!

20 Atëherë Maria profeteshë, motra e Aronit, mori dajren në dorën e vet; pastaj dolën të gjitha gratë me dajre e filloi vallja!

21 Maria po i printe këngës:

“Le t’i këndojmë Zotit,

sepse mrekullisht ngadhënjeu:

kalë e kalorës

plandosi në fund të detit”!



Fjala e Zotit