< Dal 13 Dal 15 >
Lexim prej librit të Daljes(Dal 14)
14

1 Zoti i tha Moisiut:

2 “Thuaju bijve të Izraelit le të kthehen dhe le të ngulin zemërimiën para Fihahirotit që është ndërmjet Magdolit dhe detit përballë Beelsefonit. Përballë tij zini vend në breg të detit.

3 Faraoni do të mendojë për bijtë e Izraelit: ‘Po enden këndej andej; i ka zënë në kocë shkretëtira’!

4 Do t’ia nguroj zemrën dhe ai do t’i ndjekë dhe do ta dëftoj madhërinë time në faraonin dhe në mbarë ushtrinë e tij. Do ta shohin egjiptianët se unë jam Zoti.” Ata bënë ashtu.

5 E lajmëruan mbretin e egjiptianëve se populli ishte larguar. Atëherë faraoni dhe ministrat e tij ndërruan mendimin lidhur me popullin e Izraelit dhe thanë: “Çfarë bëmë ashtu? I lamë të shkojnë izraelitët e të mos na shërbejnë!”

6 I mbrejti kuajt në karrocë dhe e mori popullin e vet me vete.

7 Mori gjashtëqind karroca të zgjedhura dhe të gjitha karrocat e Egjiptit me luftëtarë në çdo karrocë lufte.

8 Zoti e nguroi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe i përndoqi bijtë e Izraelit, që kishin dalë me dorë të lartësuar.

9 Egjiptianët i ndoqën dhe i hetuan të zemërimiuar në bregun e detit. Arritën kuajt e karrocat e faraonit, kalorësit dhe ushtritë e tij në Fihahirot, përballë Beelsefonit.

10 Si po afrohej faraoni, bijtë e Izraelit i çuan sytë dhe i panë egjiptianët se po i ndjekin. U trembën për së tepërmi dhe e thirrën në ndihmë Zotin.

11 Moisiut i thanë: “Vallë, a nuk kishte varreza në Egjipt që na solle të vdesim në shkretëtirë? Po përse bëre kështu që na nxore nga Egjipti?

12 A nuk po del tani fjala që ta thonim në Egjipt: ‘Na u hiq qafe! Do t’u shërbejmë egjiptianëve! Ishte shumë më mirë t’u shërbejmë atyre se të vdesim në shkretëtirë”.

13 Por Moisiu i tha popullit: “Mos kini frikë! Ngulni e shikoni se si sot do t’ju shpëtojë Zoti! Unë po ju them, këta egjiptianë që ju sot po i shikoni, kurrë e për këtë jetë s’do t’i shihni më!

14 Për ju do të luftojë Zoti! Mos u shqetësoni”!

15 Zoti i tha Moisiut: “Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen!

16 Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë përmes detit nëpër terik.

17 Unë do t’ua guroj zemrën egjiptianëve që t’ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij.

18 Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij”.

19 Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa.

20 Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t’i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën.

21 Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë.

22 Bijtë e Izraelit hynë përmes detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre.

23 Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në mes të detit.

24 Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi,

25 ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: “Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh”!

26 Zoti i tha Moisiut: “Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre”.

27 Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, heret, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në mes të detit.

28 Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S’shpëtoi prej tyre as një për be!

29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar mes të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre.

30 Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit

31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.



Fjala e Zotit