1 E kështu Zoti e çoi në vend fjalën e vet
që e tha kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë që e gjykonin Izraelin, kundër mbretërve tanë, kundër princave tanë e kundër çdo njeriu izraelit e judeas,
2 se do të sjellë mbi ne të këqija të mëdha që s’kanë ndodhur askund nën qiell, siç bëri në Jerusalem, siç shkruan në Ligjin e Moisiut,
3 sa që të mbërrijmë të hamë dikush mishin e djalit të vet e një tjetër mishin e vajzës së vet!
4 E Zoti i vuri nën sundim të të gjithë mbretërive përreth nesh, i bëri turp e mallkim për të gjithë popujt që janë përreth nesh, në mesin e të cilëve i shpërndau.
5 I bëri të jenë skllevër në vend që të zotëronin, sepse mëkatuam kundër Hyjit tonë duke mos e dëgjuar zërin e tij.
6 Zotit, Hyjit tonë, i përket drejtësia, kurse neve e etërve tanë, siç është sot, faqja e zezë!
7 Të gjitha áto të zeza që Zoti i kishte parakallëzuar kundër nesh, erdhën e ranë mbi ne.
8 E ne nuk e pajtuam fytyrën e Zotit duke u kthyer secili nga mendimet e zemrës sonë tejet të mbrapshtë:
9 atëherë Zoti ndenji gati të ndëshkojë dhe i çoi mbi ne këto të këqija sepse Zoti është i drejtë në të gjitha veprat e veta që na i ka urdhëruar.
10 Por ne nuk e dëgjuam zërin e tij, që të ecnim në urdhërimet e Zotit, që i vuri para fytyrës sonë.
11 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, ti që e nxore popullin tënd nga toka e Egjiptit me dorë të fuqishme, me shenja e mrekulli, me fuqi të madhe e me krah të shtrirë, dhe e nxore në pah emrin tënd, siç është edhe sot:
12 ne mëkatuam, u sollëm si të patenzonë, vepruam paudhësisht, o Zot, Hyji ynë, në lidhje me të gjitha urdhërimet e tua!
13 Deh, le të largohet zemërimi yt prej nesh, sepse s’kemi mbetur përveçse një pakicë ndër paganë, mes të cilëve na shpërndave!
14 Dëgjoje, o Zot, lutjen e përlutjen tonë: na shpëto për nderin tënd e bëj të gjejmë hir para syve të atyre që na shpërngulën nga atdheu,
15 që ta marrë vesh mbarë dheu se ti je Zoti, Hyji ynë, pasi Izraeli e pasardhësit e tij e mbartin emrin tënd.
16 Na shiko, o Zot, nga Banesa jote e shenjtë e mendo për ne; prire veshin tënd, o Zot, e dëgjo!
17 Priri sytë e tu, o Zot, e shih: sepse jo të vdekurit që janë në Nëntokë, të cilëve u ka dalë shpirti prej trupit, i japin lavdi e nder Zotit,
18 por ai që gjëmon nën barrë, ai që ecën gërmuq e i këputur, ai që i ka sytë e përlotur, ai që është i uritur, këta, o Zot, janë ata që të japin lavdi e nder!
19 Ne nuk mbështetemi në meritat e etërve tanë e të mbretërve tanë, për t’i shtruar përpara fytyrës sate përlutjet tona, o Zot, Hyji ynë;
20 por pse e ke dërguar mbi ne zjarrin e zemërimin tënd pikërisht ashtu si na ke pasë përkujtuar me anë të shërbesës së profetëve të tu, kur the:
21 ‘Kështu thotë Zoti: Ulni zverkun tuaj e shërbejini mbretit të Babilonit që të jetoni në tokën që ua dhashë etërve tuaj.
22 Por, në qoftë se s’do ta dëgjoni zërin e Zotit për t’i shërbyer mbretit të Babilonit, do të bëj të mos dëgjohet më në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit
23 zë hareje e zë gëzimi, zë dhëndri e zë nuseje dhe mbarë vendi do të bëhet shkretëtirë pa banorë.’
24 Por ne nuk e dëgjuam zërin tënd, për t’i shërbyer mbretit të Babilonit, atëherë ti i çove në vend fjalët, me të cilat kërcënove nëpërmjet gojës së shërbëtorëve të tu profetë: eshtrat e mbretërve tanë e të etërve tanë do të nxirren jashtë vendit të tyre.
25 Dhe, ja, u flakën në të nxehtë të ditës e në ngricë të natës. Vdiqën në dhembje të tmerrshme nga uria, nga shpata e nga murtaja!
26 Bëre që Shtëpia, e cila mban Emrin tënd, të jetë në gjendjen që është sot për shkak të paudhësisë së shtëpisë së Izraelit e të shtëpisë së Judës.
27 Megjithatë, ti, o Zot, Hyji ynë, u solle ndaj nesh sipas mirësisë sate të madhe e sipas mëshirës sate të dhimbshme,
28 siç the me anë të shërbëtorit tënd Moisiut atë ditë, kur e urdhërove ta shkruajë Ligjin tënd ndër sy të bijve të Izraelit.
29 Ti the: ‘Nëse s’do ta dëgjoni zërin tim, kjo mori, që tani është kaq e madhe, do të kthehet në një pakicë të vogël në mes të popujve, ndër të cilët do ta shpërndaj.
30 E di se me siguri nuk do të më dëgjojnë, sepse janë popull kokëfortë. Por në vendin ku do të jenë të humbur, ata do të vijnë në vete
31 e do ta kuptojnë se unë jam Zoti, Hyji i tyre. Unë do t’u jap një zemër që “kupton” e veshë që dëgjojnë.
32 Do të më lavdërojnë në tokën e mërgimit e do t’u bjerë ndër mend Emri im.
33 Kur ta kenë menduar fatin e etërve të vet, që mëkatuan ndër sy të Zotit, do të kthehen nga kryeneçësia e tyre e nga veprat e tyre të këqija.
34 Atëherë unë do t’i kthej në tokën që me përbetim ua premtova etërve të tyre, Abrahamit, Izakut e Jakobit. Ata do ta ripronësojnë. Do t’i shtoj e nuk do t’i pakësoj.
35 Me ta do të bëj një besëlidhje të përhershme: unë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Më nuk do ta tres popullin tim Izraelin nga toka që ua kam dhënë.’