1 Ja se çfarë më tregoi Zoti Hyj!
Ishte një kaçile me fruta të pjekura.
2 Ai më pyeti: “Çka po sheh, o Amos?”
Iu përgjigja: “Një kaçile me fruta të pjekura!”
Atëherë Zoti më tha:
“I erdhi fundi popullit tim Izraelit!
Tani e tutje nuk do ta fal më!
3 Atë ditë do të vajtojnë këngëtaret e pallatit
‑ është fjala e Zotit ‑
Të shumta do të jenë kufomat,
të hedhura gjithkah! Heshtim!”
Kundër tradhtarëve e shfrytëzuesve
4 Dëgjojeni këtë ju, që e shtypni skamnorin,
që shfrytëzoni nevojtarët e vendit,
5 ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re,
të mund t’i shesim mallrat?’
Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë?
Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin,
të përdorim peshore të rreme,
6 për t’i blerë skamnorët me para,
të vobektin me një palë këpucë,
t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’
7 Zoti përbetohet me nderin e Jakobit:
“Kurrën e kurrës s’do t’i harroj veprat e tyre!
8 Vallë a jo për këtë nuk dridhet toka,
nuk ia pëlcet vajit banuesi i vendit
e nuk nguf mbarë vendi si lumi,
s’fryhet e nuk bie porsi lumi i Egjiptit?”
Lajmërim ndëshkimi: terr e vaj
9 “E do të ndodhë atë ditë
‑ fjala e Zotit ‑
do të bëj dielli të perëndojë në mesditë,
në pikë të ditës do të bëj të errësohet toka,
10 festat tuaja do t’i shndërroj në vaj,
krejt këngët tuaja në vajtime,
me grathore do të vesh çdo ijë,
tullace do ta bëj çdo kokë!
Në vaj krejt vendin do ta shndërroj
si në vajtim të djalit të dëshirit,
ditët e sprasme ditë hidhërimi!”
Uri e etje për fjalën e Zotit
11 “Ja, po vijnë ditët
‑ është fjala e Zotit ‑
kur mbi vend do të çoj urinë;
jo uri buke e etje uji,
por të dëgjimit të fjalës së Zotit.
12 Do të enden prej detit në det,
prej veriut në lindje do të përshkohen
duke e kërkuar fjalën e Zotit
e s’do ta gjejnë!”
Lajmërim i ri i ndëshkimit
13 “Po atë ditë do të meken etjeje
vajzat e bukura e djelmoshat!
14 Ata që përbehen për faj të Samarisë
e thonë: ‘Pasha Hyjin tënd, o Dan!’
e: ‘Pasha shtegtimin tënd, o Bersabé!’,
do të bien e s’do të ngrihen më!”