1 Ja çka më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, Ai
po i krijonte karkalecat në fillim kur nisi të mbijë bari i dytë, ai që del pas kosës së mbretit.
2 Kur ata po e mbaronin krejt barin e vendit, unë thashë: “Ki dhimbje, po të lutem, o Zot Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”
3 Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, kjo s’do të ndodhë” ‑ tha Zoti Hyj.
Vegimi i dytë: thatësia
4 Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: Ja, Zoti Hyj ftoi zjarrin për të ndëshkuar. Zjarri e përpiu Humnerën e madhe e nisi të përpijë edhe fushën.
5 Unë thashë: “Pusho, po të lutem, o Zot, Hyj! Si do të mund të mbesë gjallë Jakobi? Është aq i vogël!”
6 Zotit i erdhi keq për këtë gjë. “Jo, as kjo s’do të ndodhë ‑ tha Zoti Hyj.
Vegimi i tretë: mistria
7 Ja çfarë më bëri të shoh Zoti Hyj: ja, një njeri po qëndronte mbi mur për t’i dhënë lugë e në dorë mbante mistrinë e muratorit.
8 Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Amos?” Unë iu përgjigja: “Mistrinë e muratorit”. Atëherë Zoti më tha: “Ja, unë do ta qes mistrinë në mes të Izraelit, popullit tim, e nuk do të vazhdoj më ta fal.
9 Do të shemben lartësirat e Izakut e do të shkatërrohen shenjtëroret e Izraelit dhe me shpatë do të ngritem kundër shtëpisë së Jeroboamit”.
Ngatërresa me Amasinë: Amosi dëbohet nga Beteli
10 Atëherë Amasia, prifti i Betelit, dërgoi njeriun te Jeroboami, mbreti i Izraelit, me këto fjalë: “Amosi po bën përbetim kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk do të mund t’i durojë fjalët e tij.
11 Sepse kështu thotë Amosi: ‘Jeroboami do të vdesë prej shpatës e Izraeli do të shpërngulet prej vendit të vet në skllavëri’“.
12 E Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judës. Atje ha bukë e atje profetizo!
13 Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!”
14 Atëherë Amosi iu përgjigj Amasisë:
“Nuk jam profet
as s’jam bir profeti,
por jam tubanik e vjelës fiqsh.
15 Por vetë Zoti më mori
prej pas deleve
e më tha Zotynë:
‘Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit!’
16 Tani dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua:’Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’
17 Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri. ’“