1 Vaj për ata që janë të qetë në Sion,
që janë të sigurt në mal të Samarisë,
që janë paria e më të parit komb,
kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit!
2 Kaloni në Kalane e shikoni,
prej andej shkoni në Ematin e madh,
zbritni pastaj në Get të palestinëve.
A më të mirë se këto mbretëri ju jeni?
Vendi i tyre më i madh se i juaji?
3 Të shtyni mendoni Ditën e mjerimit
e afroni mbretërinë e dhunës!
4 Fjetur në shtretër asht elefanti,
sa gjerë gjatë të shtrirë në shtroja të veta,
hanë qengjat e njomë të grigjës
e viça të zgjedhur të lorisë;
5 me psalter të përcjellë këndojnë,
shpikin vegla muzikore
si Davidi,
6 e pinë verë me gota të mëdha
e lyhen me vajëra të zgjedhur
e për rrënimin e Jozefit
nuk kujdesohen!
7 Prandaj tani në mërgim do të shkojnë,
mu në krye të t’gjithë mërgimtarëve,
do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!
Ndëshkimi do të jetë i tmerrshëm
8 Me kokë të vet u përbe Zoti Hyj!
‑ është fjalë e Zotit Hyj të Ushtrive:
“E urrej krenarinë e Jakobit,
i urrej pallatet e tij,
do të dorëzoj qytetin me çka ka.
9 Nëse do të shpëtojnë dhjetë vetë në një shtëpi,
edhe ata do të vdesin.
10 Do ta marrë i afërmi i vet
për t’i qitur jashtë eshtrat nga shtëpia
e do t’i djegë.
Do t’i thotë atij në fund të shtëpisë:
“A ka më ndonjë te ti?”
Ai do të përgjigjet: “Nuk ka më!”
Ky do të shtojë: “Hesht!”
S’mbeti kush të kujtojë emrin e Zotit!
11 Ja, Zoti po urdhëron,
shtëpinë e madhe rrënojë do ta bëj
shtëpinë e vogël do ta kthej në thërrime.
12 A vrapojnë, vallë, qetës kuajt,
a lëvrohet deti me qe,
që ju të drejtën e kthyet në helm
e frytin e drejtësisë në mendër?
13 Ata gëzohen për Lodabarin
e thonë: “Karnaimin a s’e morëm
s’e pushtuam me forcën tonë!”
14 “Ja, pra, populli i Izraelit,
unë do të ngre kundër jush
‑ thotë Zoti, Hyji i Ushtrive ‑
një popull,
e do t’ju shtypin që nga hyrja e Ematit
deri në përroin e Arabës!”