< Am 4 Am 6 >
Lexim prej librit të Amosit(Am 5)
5

1 Dëgjojeni këtë fjalë

që po e ngre kundër jush,

një vajtim, shtëpi e Izraelit!

2 Ra e s’do të ngrihet më

virgjëra e Izraelit!

E përplasur është mbi truall të vet

e askush s’mundet ta ngritë!

3 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:

“Në qytet nga dilnin një mijë,

do të mbesin vetëm njëqind;

e prej të cilit njëqind dilnin,

vetëm dhjetë në të do të mbesin

për shtëpinë e Izraelit.”

S’ka shëlbim pa kthim

4 Kështu i thotë Zoti shtëpisë së Izraelit:

“Më kërkoni e do të jetoni,

5 mos e kërkoni Betelin,

në Galgalë ruani se hyni,

mos shkoni në Bersabé,

se Galgala do të shkojë në skllavëri

e Beteli do të bëhet prapësi!”

6 Kërkoni Zotin e do të jetoni!

Ndryshe do të hyjë si zjarri

brenda shtëpisë së Jozefit,

të përlajë gjithçka e të mos gjendet

kush ta fikë në Betel!

7 Ata e shndërrojnë të drejtën në helm

e drejtësinë përtokë e flakin!

Këngë lavdi

8 Ai që krijoi Shejzat e Orionin,

Ai që terrin e kthen në agim,

e ditën e errëson në natë,

Ai që u urdhëron ujërave të detit

e i shpërndan mbi faqe të dheut:

emrin Ai Zot e ka!

9 E shfrenon rroposjen mbi të fortin,

sjell rrënimin mbi fortesë.

Kërcënime

10 Urrejnë qortuesin në kuvend të gjyqit,

e përbuzin atë që flet të vërtetën.

11 Pasi ju e shtypni të ligshtin,

e ia merrni një pjesë të grurit,

shtëpitë, që guri të latuar ndërtuat,

s’do t’i banoni,

prej vreshtash të zgjedhura që mbëltuat,

jo prej tyre verë s’do të pini!

12 I di fajet tuaja të shumta,

mëkatet tuaja tejet të mëdha:

shtypni të drejtin, merrni dhurata

i shtypni të varfërit në log të gjyqit.

13 Prandaj të urtit në këtë kohë i duhet të heshtë,

sepse është kohë vërtet e keqe!

Nxitje

14 Kërkoni të mirën e jo të keqen

që të jetoni,

kështu që me ju të jetë, siç thoni,

Zoti, Hyji i Ushtrive.

15 Urrejeni të keqen, duani të mirën

e rikthejeni në gjykatore të drejtën,

ndoshta Zoti, Hyji i Ushtrive,

do të ketë dhimbje për tepricë të Jozefit.

Ndëshkimi shpejt

16 E prandaj kështu thotë Zoti,

Hyji i Ushtrive, Zotëruesi:

“Do të vajtohet në çdo shesh,

në çdo rrugë do të thuhet: ‘Mjerë, mjerë!’;

bujkun do ta ftojnë në vajtim,

e të vajtojnë atë që dinë të vajtojnë.

17 Vaj do të bëhet në çdo vresht,

përmes teje do të kaloj”,

‑ thotë Zoti.

Dita e Zotit

18 Vaj për ata që dësh’rojnë Dit’n e Zotit!

Çfarë do të jetë për ju Dita e Zotit?

Errësirë do të jetë e jo dritë!

19 Do të jetë

si për atë që i ikën luanit

e has në arushë,

hyn në shtëpi

mbështetet me dorë mbi mur

dhe e ha gjarpri!

20 A s’do të jetë ndoshta errësirë

e jo dritë Dita e Zotit?

Terr i zi pa farë drite në të?

Kundër hyjnderimit të jashtëm

21 “I urrej, i përbuz festimet tuaja,

nuk u kënaqem të kremteve tuaja!

22 Po dhe në më kushtofshi fli shkrumbimi,

kushtimoret tuaja s’i pranoj,

as që i shikon

flitë e majme për pajtim.

23 Ma largoni zhurmën e këngëve tuaja,

s’dua ta ndiej zërin e lyrave tuaja!

24 Më mirë të rrjedhë si uji e drejta,

si lumi që s’shter drejtësia.

25 Fli e kushte më kushtuat në shkretëtirë

gjatë dyzet vjetëve, shtëpia e Izraelit?

26 Ju mbartët Sakutin, mbretin tuaj,

e Kaivanin, figurat tuaja

‑ yllin e zotave tuaj që i punuat vetë!

27 Përtej Damaskut do t’ju tres!”,

thotë Zoti

‑ Hyji i Ushtrive është emri i tij!



Fjala e Zotit