1 Dëgjojeni këtë fjalë,
o ju lopët e Basanit,
që jeni në mal të Samarisë,
që të ligshtët i shtypni,
që i mundoni varfanjakët,
që u thoni burrave tuaj:
‘Na sill të pimë!’
2 Zoti Hyj u përbetua
në shenjtërinë e vet:
“Ja, dita juve ju erdhi,
kur do t’ju ngulin në heshtë
e pasardhësit tuaj me fuzhnjën,
3 njëra pas tjetrës do të dilni
n’për biruca
e do të flakeni në Armon!”,
është fjala e Zotit.
Iluzionet e Izraelit, mospendimi e ndëshkimi
4 “Shkoni në Betel e mëkatoni,
në Galgalë e mëkatoni më shumë!
Në mëngjes herët kushtoni flitë,
krye tri ditësh të dhjetat tuaja!
5 Flinë e lavdit kushtojeni me brumë,
shpallni kushte vullnetare botërisht,
pse kështu ju ka ëndje, bij të Izraelit!”
‑ është fjala e Zotit Hyj!
6 “E, pra, dhëmbë për dhëmbë vetë ju lashë
në të gjitha qytetet tuaja,
e pa bukë në të gjithë fshatrat tuaj,
megjithatë tek unë s’u kthyet!”,
‑ thotë Zoti !
7 “Tre muaj para korrjes
shi s’ju çova;
lashë të bjerë shi në një qytet,
por jo në tjetrin:
njëra pjesë lagej me shi,
kurse tjetra, pse shi s’i çova,
bëhej shkrumb!
8 Dy ‑ tri qytete atëherë
vraponin në një qytet
për të pirë ujë,
por s’mund të ngiheshin;
megjithatë tek unë s’u kthyet!”,
‑ është fjala e Zotit.
9 “Ju godita me erë përcëlluese e me
kllogjër;
begatinë e kopshteve e të vreshtave,
të fiqve e të ullishtave tuaja
e hëngri vemja,
por ju tek unë s’u kthyet!”,
‑ është fjala e Zotit.
10 “Kundër jush çova murtajën,
si dikur kundër Egjiptit;
të rinjtë tuaj me shpatë i preva,
kuajt tuaj bëheshin pre.
Hundët jua zura
me qelbësirën e fushimit tuaj,
por ju tek unë s’u kthyet!”,
‑ është fjala e Zotit.
11 “Ju shpartallova
sikur Hyji i shpartalloi
Sodomën e Gomorrën
e u bëtë
porsi cungu i nxjerrë nga zjarri,
por ju tek unë s’u kthyet!”,
‑ është fjala e Zotit.
12 “Prandaj, kështu do të sillem me ty, Izrael!
Pasi kështu duhet të të bëj ty,
bëhu gati, o Izrael,
t’i dalësh përballë Hyjit tënd!”
Këngë lavdi
13 Sepse ja:
Ai që trajtën u jep maleve,
Ai që erërat i krijon,
që njeriut ia zbulon synimet,
që krijon agim e terr,
që ecën mbi lartësitë e tokës
e ka Emrin
Zoti Hyji i Ushtrive!