1 Dëgjojeni këtë fjalë që Zoti e tha në
lidhje me ju, bijtë e Izraelit, dhe në lidhje me të gjitha vëllazëritë, që i nxora nga dheu i Egjiptit. Thotë:
2 “Vetëm juve ju zgjodha
nga të gjitha fiset e tokës,
prandaj do t’ju ndëshkoj
për të gjitha fajësitë tuaja.
S’mund t’i qëndrohet thirrjes profetike
3 A udhëtojnë, vallë, dy vetë së bashku
po qe se nuk bien në përkim?
4 Vallë, ulërin në pyll luani
po qe se pre nuk ka?
Lëshon zë luanthi në strofull
në qoftë se zënë nuk ka asgjë?
5 A thua bie shpendi në tokë
në qoftë se hedhur s’i është laku?
A thua shkrehet nga toka kurthi
para se të ketë zënë ndonjë gjë?
6 Bie boria, vallë, në qytet
e populli nuk kushtrimohet?
Fatkeqësi thua vjen në qytet
që shkaktuar të mos jetë prej Zotit?
7 Zoti Hyj në të vërtetë gjë s’bën
pa ua pasur zbuluar synimin
shërbëtorëve të vet, profetëve.
8 Ulërin luani,
kush nuk trembet?
Foli Zoti Perëndi:
kush të mos profetizojë?
Samaria e prishur do të mbarojë
9 Lajmëroni në pallate të Asyrisë
e në pallate të dheut të Egjiptit;
thoni: ‘Mblidhuni në male të Samarisë!’
Vëreni ç’pshtjellime janë në të,
sa të dhunuar në gjirin e saj!
10 Nuk dinë të veprojnë me drejtësi
‑ thotë Zoti,
grumbullojnë në pallate të veta
dhunë rrëmbime!”
11 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:
“Armiku do të rrethojë vendin;
do të thyhet fuqia jote,
pre do të bëhen pallatet e tua!”
12 Kështu thotë Zoti:
“Si i nxjerr bariu nga goja e luanit
dy kërcinj o një copë veshi,
kështu do të shpëtojnë bijtë e Izraelit
që banojnë në Samari
në kënd të shtratit
e në shtrojë të Damaskut.”
Kundër Betelit e godinave të bukura
13 “Dëgjoni e dëshmoni shtëpisë së Jakobit
‑ thotë Zoti, Hyji i Ushtrive ‑
14 “Ditën kur unë t’i ndëshkoj
keqbërjet e Izraelit,
do të ndëshkoj atë e lterët e Betelit,
do të këputen brirët e lterit,
për tokë do të bien.
15 Do ta rrënoj shtëpinë e dimërimit
bashkë me shtëpinë e verimit,
do të shemben shtëpitë e fildishta,
do të zhduken shtëpitë e mëdha!”,
‑ është fjala e Zotit.
Kundër grave të Samarisë