< Jl 4 Am 2 >
Lexim prej librit të Amosit(Am 1)
1

1 Fjalët e Amosit që ishte bari delesh nga Tekua. Vegimet që pati lidhur me Izraelin në ditët e Ozisë, mbretit të Judës, e në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, mbretit të Izraelit, dy vjet para tërmetit.

Hyrje

2 Ai tha:

“Zoti ulërin nga Sioni,

nga Jerusalemi bën t’i dëgjohet zëri;

u mbuluan në zi kullotat e barinjve,

shkrumb u tha bjeshka e Karmelit!”

I. GJYQ MBI PAGANËT FQINJË TË IZRAELIT E MBI VETË IZRAELIN

Damasku

3 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të Damaskut

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse e shinë Galaadin

me karroca të hekurta

4 do të çoj zjarrin në shtëpi të Azaelit,

do t’i djeg shtëpitë e Benadadit;

5 do t’ia thyej shulin Damaskut,

do t’ia shpërndaj banorët Biceatavenit

edhe mbajtësin e skeptrit të Betedenit,

në Cir populli i Syrisë do të tretet!”

thotë Zotynë.

Gaza e Filisteja

6 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të Gazës

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse shpërngulën popullsi të tëra nëskllavëri

për t’ia dorëzuar Edomit,

7 do të çoj zjarrin në muret e Gazës,

do t’ia përlaj pallatet

8 do t’ia shpërndaj Azotit banorët,

mbajtësin e skeptrit të Askalonit,

do të çoj dorë mbi Akaronin,

do të shuhet teprica e filistenjve!”,

‑ është fjala e Zotit.

Tiri e Fenicia

9 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të Tirit

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse shpërngulën popullsi të tëra

e ia dorëzuan skllevër Edomit

e s’çanë kokën për lidhjen vëllazërore,

10 do të çoj zjarrin në mure të Tirit,

do t’i përlajë pallatet e tij!”

Edomi

11 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të Edomit

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse e përndoqi me shpatë vëllain e vet,

e ndrydhi në vete dhimbjen e vet,

madje e ngacmoi furinë e vet,

zemërimin e egërsoi der’ në fund,

12 do ta çoj zjarrin në Teman,

do t’ia djeg Bosrës pallatet!”

Amoni

13 Kështu thotë Zoti:

“Për tri keqbërje të bijve të Amonit

e për katër

s’do ta kthej prapa vendimin:

pse u shpuan barkun

grave shtatzëna të Galaadit

për t’i shtrirë kufijtë e vet,

14 do t’u jap zjarr mureve të Rabës

pallatet do t’ia përpijë

në ulërimën e ditës së luftës,

në ditë të vorbullës e të stuhisë,

15 mbreti i tyre do të shkojë në skllavëri,

ai, e me të, princat e tij!”,

është fjala e Zotit.



Fjala e Zotit