< 2Gjn 1 Jd 1 >
Lexim prej letrës së tretë të Shën Gjonit apostull(3Gjn 1)
1

1

Udhëheqësi, Gajit të dashur, të cilin e dua në të Vërtetën.

2 Fort i dashuri, Dëshiroj të jesh mirë me gjithçka, siç është mirë edhe shpirti yt.

3 Për të vërtetë u kënaqa shumë kur erdhën disa vëllezër dhe bënë dëshmi për sjelljen tënde në të vërtetën: se si ti jeton në dritën e së vërtetës.

4 Për mua s’ka gëzim më të madh se të dëgjoj se fëmijët e mi jetojnë në dritën e së Vërtetës.

Bashkëpunim dhe kundërshtim

5 Fort i dashur, Vepron porsi besimtar i vërtetë në gjithçka që bën për të mirën e vëllezërve, madje edhe për të huaj.

6 Ata e dëshmuan dashurinë tënde para Kishës dhe do të bësh mirë nëse u jep çka lypet për udhëtim në mënyrë të denjë para Hyjit.

7 Sepse për dashuri të Emrit të Jezusit e morën rrugën pa marrë farë ndihme prej paganëve.

8 Ne e kemi për detyrë t’i panojmë njerëzit e tillë që të jemi bashkëpunëtorë të së Vërtetës.

9 I kam shkruar pak fjalë Kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pranon.

10 Prandaj, kur të vij, do t’ia them ndër sy veprat që bën duke folur keq kundër nesh. Veçse atij as aq nuk i duket mjaft, por nuk dëgjon t’i pranojë vëllezërit dhe, ata që do të donin, i kërcënon dhe i përjashton prej Kishës.

11 I dashur, Mos e ndiq të keqen, por të mirën! Kush bën mirë, është prej Hyjit, kurse kush bën keq, nuk e ka parë Hyjin.

12 Për Demetrin po dëshmojnë mirë të gjithë, madje edhe vetë e Vërteta. Po edhe ne dëshmojmë për të. Ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë.

13 Kam shumë gjëra për të shkruar, por s’po dua të vazhdoj t’i shkruaj me ngjyrë e me pendë,

14 sepse shpresoj se do të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht.

15 Paqja me ty!

Të përshëndesin miqtë.

Përshëndeti miqtë emër për emër!



Fjala e Zotit