1 Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash Ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij:
2 predikoje Fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim!
3 Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin;
4 do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave.
5 Ti veç rri zgjuar në çdo gjë me kujdes, duroji të vështirat, kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde!
6 Sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti!
7 Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta.
8 Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.
Porositë personale
9 Nisu dhe eja sa më parë te unë,
10 sepse Dema, për dashuri të këtij shekulli, më la vetëm. Ai shkoi në Selanik, Kreshenci në Galaci, Titi në Dalmaci.
11 Me mua është vetëm Luka. Markun merre dhe bjere me vete sepse e kam të dobishëm për shërbesë.
12 Tihikun e dërgova për Efes.
13 Kur të vish, ma bjer tabaren që e lashë te Karpi në Troadë. Po ashtu edhe librat, sidomos pergamenat.
14 Aleksandri farkëtar më bëri shumë të këqija: Zoti do t’ia kthejë sipas veprave të tij.
15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i predikimeve tona.
16 Në mbrojen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq!
17 Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve.
18 Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!
Përshëndetjet e fundit
19 Bëju të fala Priskës dhe Akullit edhe familjes së Oneziforit.
20 Erasti zuri vend në Korint. Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.
21 Nesu dhe eja para dimrit!
Të përshëndesin Eubuli, Pudenci, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.
22 Zoti qoftë me shpirtin tënd!
Hiri qoftë me ju!