< 1Tim 6 2Tim 2 >
Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut(2Tim 1)
1

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus:

2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Falënderim Hyjit

3 E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në lutja të mia natë e ditë.

4 Dhe, kur më bien në mend lotët e tu, më kap një dëshirë e madhe të të shoh ty që të mbushem me gëzim.

5 Kujtoj fenë e çiltër që është në ty, që më parë ishte në gjyshen tënde Loidën dhe në nënën tënde Eunikën dhe jam i bindur se banon edhe në ty.

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.

7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.

8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit,

9 i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha që prejamshimit në Jezu Krishtin

10 dhe u dëftua tani me Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit,

11 për të cilin Hyji më caktoi të jem predikatar, apostull dhe mësues.

12 Ja, pra, përse unë edhe i duroj këto vuajtje! Por nuk më vjen turp sepse e di se kujt i kam besuar dhe jam i sigurt se Ai është i zoti ta ruajë thesarin që m’u besua deri në atë Ditë.

13 Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus.

14 Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, thesarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua.

15 Do të kesh marrë vesh se në Azi të gjithë ikën e më lanë. Ndër ta janë edhe Figeli dhe Hermogeni.

16 Hyji e pajistë me mëshirën e vet familjen e Oneziforit sepse shpeshherë ma ka freskuar shpirtin dhe nuk ka pasur turp për prangat e mia.

17 Përkundrazi, kur erdhi në Romë, më kërkoi me kujdes dhe më gjeti –

18 ia dhëntë Zoti fatin të gjejë mëshirën hyjnore në Ditën e Gjyqit! Por edhe sa shërbimet m’i bëri në Efes, ti i di më mirë se askush!



Fjala e Zotit