< 1Sel 5 2Sel 2 >
Lexim prej letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve(2Sel 1)
1

1 Pali, Silvani dhe Timoteu:

Kishës së selanikasve që është në Hyjin, Atin tonë, dhe në Jezu Krishtin, Zot.

2 Paçi hir e paqe prej Hyjit Atë dhe prej Jezu Krishtit Zot!

Gjyqi në Ardhjen e Krishtit

3 Vëllezër, gjithmonë na duhet ta falënderojmë Hyjin për ju, siç është e drejtë, sepse jashtëzakonisht rritet feja juaj dhe shtohet dashuria e secilit prej jush kundrejt njëri‑tjetrit,

4 aq sa ne mburremi me ju në të gjitha kishat e Hyjit për arsye të qëndresës dhe të fesë suaj ndër të gjitha salvimet dhe vështirësitë që ju me duresë i mbartni.

5 Ato janë shenja e gjyqit të drejtë të Hyjit dhe kanë për qëllim t’ju bëjnë të denjë për Mbretërinë e Hyjit, për të cilën edhe pësoni.

6 E njëmend është e drejtë që Hyji ë japë mundim atyre që ju salvojnë,

7 kurse juve, të salvuarve, t’ju dhurojë bashkë me ne pushimin në Ditën e Zbulesës së Zotit Jezus, kur të vijë prej qiellit bashkë me engjëjt e pushtetit të vet

8 me zjarr të ndezur flakë dhe të hakmerret mbi ata që nuk duan ta njohin Hyjin dhe mbi ata që nuk duan ta dëgjojnë Ungjillin e Jezusit, Zotit tonë.

9 Të tillët do të ndëshkohen me dënimin e pasosur larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e madhërisë së tij,

10 atëherë, kur të vijë ‑ atë Ditë ‑ për të qenë lavdëruar në shenjtërit e vet dhe për ë dëftuar i mrekullueshëm në të gjithë ata që kanë besuar: tashti ju i besuat dëshmisë sonë.

11 Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese.

12 Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju po edhe ju në Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.



Fjala e Zotit