1 Davidi pyeti: “A do të jetë ndokush që ka mbetur gjallë prej shtëpisë së Saulit, të cilit të mund t’i bëj ndonjë të mirë për shkak të Jonatanit”?
2 Tashti ishte një shërbëtor i shtëpisë së Saulit që quhej Sibë. Këtë e thirri mbreti dhe i tha: “A mos je ti Siba”? Ai iu përgjigj: “Unë jam, shërbëtori yt”.
3 Atëherë mbreti i tha: “A e di mos ka mbetur ndokush gjallë prej familjes së Saulit, që ta çoj në vend me të besën e Hyjit”? Siba iu përgjigj mbretit: “Është gjallë biri i Jonatanit që çalon në të dy anët”.
4 “E ku është?” ‑ i tha. E Siba i tha mbretit: “Është në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit në Lodabar”.
5 Davidi mbret çoi dhe e mori prej shtëpisë së Makirit, birit të Amielit, prej Lodabarit.
6 Kur erdhi Meribaali, biri i Jonatanit të Saulit, te Davidi, ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi. Davidi i tha: “Meribaal”! Ai iu përgjigj: “Këtu jam shërbëtori yt”.
7 E Davidi vazhdoi: “Të mos kesh frikë, sepse dua ta çoj në vend besën ndaj teje që kam lidhur me Jonatanin, babain tënd. Do t’i kthej të gjitha tokat e Saulit, gjyshit tënd, kurse ti për jetë do të hash bukë në tryezën time.
8 Ai u përkul dhe tha: “Po kush jam unë, shërbëtori yt, që po i prir sytë mbi një qen të ngordhur siç jam unë”?
9 Atëherë mbreti e thirri Sibën, shërbëtorin e Saulit, e i tha: “Gjithçka ka qenë e Saulit dhe e mbarë familjes së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.
10 Punoja, pra, tokën, ti e bijtë e tu e shërbëtorët e tu e mblidhi prodhimet që shtëpia e zotërisë tënd të ketë me se të ushqehet. Kurse Meribaali, djali i zotërisë tënd, do të hajë bukë gjithmonë në tryezën time”. Siba kishte pesëmbëdhjetë djem e njëzet shërbëtorë.
11 Atëherë Siba i tha mbretit: “Gjithë ç’i ke urdhëruar, zotëria im mbret, shërbëtorit tënd, po ashtu do të bëjë shërbëtori yt”.
Kështu, pra, Meribaali ushqehej në tryezën e mbretit si të ishte një prej djemve të mbretit.
12 Meribaali kishte një djalë të vogël që quhej Mikë. Të gjithë ata që banonin në shtëpinë e Sibës, ishin shërbëtorët e Meribaalit.
13 Porse Meribaali jetonte në Jerusalem, sepse vazhdimisht ushqehej në tryezën e mbretit. Ishte i çalë nga të dyja këmbët.