< 2Sam 23 1Mbr 1 >
Lexim prej librit të dytë të Samuelit(2Sam 24)
24

1 Zemërimi i Zotit u ndez edhe një herë kundër Izraelit. E nxiti Davidin kundër popullit duke i thënë: “Shko e numëroje Izraelin e Judën”!

2 Atëherë mbreti i tha Joabit e prijësve të ushtrisë së vet që ishte me të: “Përshko të gjitha fiset e Izraelit prej Danit e deri në Bersabee, dhe numëroni popullin që ta di numrin e tij.”

3 Joabi i tha mbretit: “Zoti, Hyji yt, e shtoftë popullin sa është tani edhe njëqind herë aq para syve të zotërisë tim mbretit! Por çfarë i duhet zotërisë tim mbretit kjo gjë”?

4 Porse fjala e mbretit ishte më e fortë se fjala e Joabit dhe e prijësve të ushtrisë. Kështu pra, doli Joabi dhe prijësit e ushtrisë prej pranisë së mbretit dhe shkuan për të numëruar popullin e Izraelit.

5 Si e kaluan Jordanin, ia filluan prej Aroerit dhe prej qytetit që është në mes të luginës dhe kaluan prej andej drejt Gadit e Jazerit.

6 Arritën në Galaad dhe në tokën e hetenjve në Kades dhe shkuan në Dan. Prej Danit u drodhën në Sidon

7 e arritën në qytezën e Tirit dhe në të gjitha qytetet e Heveut e të Kananeut dhe dolën në Nagebin e Judës në Bersabee.

8 Pasi kaluan mbarë tokën, u kthyen në Jerusalem pas nëntë muajsh e njëzet ditësh.

9 Joabi ia dha mbretit numrin e regjistrimit të popullit: Izraeli kishte tetëqind mijë burra të aftë për shpatë, kurse prej Judës ishin pesëqind mijë luftëtarë.

10 Por pasi kreu Davidi regjistrimin, filloi ta brejë ndërgjegjja e Davidi i tha Zotit: “Me këtë veprim kam bërë mëkat të madh, por tani po të lutem, o Zot, falja shërbëtorit tënd fajin, sepse kam vepruar tepër marrëzisht”.

11 Kur u ngrit Davidi në mëngjes, fjala e Zotit i kishte ardhur Gadit profet, vëguesit të Davidit. I kishte thënë:

12 “Shko e thuaj Davidit: Kështu thotë Zoti: Po t’i parashtroj tri gjëra, zgjidh njërën ndër to dhe atë do ta bëj”.

13 Gadi erdhi te Davidi dhe e lajmëroi. I tha: “A do të vijnë tre vjet urie në tokën tënde, ose të ikësh tre muaj para armiqve të tu e ata të të ndjekin, ose të ketë tri ditë murtajë në tokën tënde? Tani pleqëro dhe vendos çfarë më duhet t’i përgjigjem atij që më ka dërguar”?

14 Atëherë Davidi i tha Gadit: “Jam tepër ngushtë! Por më mirë le të biem në duar të Zotit ‑ sepse e madhe është mëshira e tij ‑ sesa në duar të njerëzve”.

15 Dhe Davidi zgjodhi murtajën.

Ishte koha e korrjes së grurit. Dhe Zoti e çoi murtajën në Izrael prej mëngjesit e deri në kohën e caktuar dhe vdiqën prej popullit që nga Dani e deri në Bersabee shtatëdhjetë mijë vetë.

16 Kur engjëlli i Zotit e shtriu dorën e vet përmbi Jerusalem për ta asgjësuar, iu dhimb Zotit për shkak të asaj së keqeje e i tha engjëllit shuplakues të popullit: “Mjaft! Ndale tani dorën tënde”!

Atëherë engjëlli ndodhi te lëma e Areunë Jebuseut.

17 Davidi, kur e pa engjëllin, vrasësin e popullit, i tha Zotit: “Unë mëkatova, unë e kam bërë këtë të keqe, e këto dele ç’të keqe kanë bërë? Le të bjerë dora jote mbi mua e mbi familjen e tim eti”!

18 Po atë ditë Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: “Ngrihu dhe ndërto për nder të Zotit një lter në lëmin e Areunë Jebuseut”.

19 Dhe Davidi shkoi me fjalën e Gadit si i kishte urdhëruar Zoti.

20 Kur shikoi Areuna, pa se mbreti dhe oborrtarët e tij po shkonin tek ai.

21 Areuna doli përpara, u përkul me fytyrë përdhe në shenjë nderimi e tha: “Ç’e mirë ka ndodhur që të vijë imzot mbreti te shërbëtori i tij”? Davidi iu përgjigj: “Për ta blerë prej teje këtë lëmë e për të ndërtuar një lter për nder të Zotit që të pushojë vdekja që po rëndon mbi popull”.

22 Areuna i tha Davidit: “Le ta marrë dhe le të flijojë imzot mbreti si t’i pëlqejë. Ja, gjedhi për fli shkrumbimi, qerri dhe pendët e qeve për dru.

23 Areuna ia jep mbretit të gjitha, o mbret”! Edhe këto i tha Areuna mbretit: “E pranoftë Zoti, Hyji yt, kushtin tënd”!

24 Porse mbreti iu përgjigj: “Assesi! Por do t’i blej prej teje e do t’i paguaj sa të kushtojnë se nuk dua t’i kushtoj Zotit, Hyjit tim, fli të dhuruara”.

Kështu Davidi e bleu atë lëmë dhe gjedhin pesëdhjetë sikla të argjendtë.

25 Aty ndërtoi Davidi lterin për nder të Zotit dhe i kushtoi flitë e shkrumbimit dhe të pajtimit.

Atëherë Zoti pati dhimbje për vendin dhe pushoi vdekja në Izrael.



Fjala e Zotit