1 Pas kësaj, Davidi e pyeti Zotin: “A do të shkoj në ndonjërin prej qyteteve të Judës”? E Zoti iu përgjigj: “Shko”! Atëherë Davidi i tha: “Në cilin të shkoj”? Ai iu përgjigj: “Në Hebron”.
2 Kështu, pra, shkoi Davidi e dy gratë e tija, Akinoama, nga Jezraheli, dhe Abigajla, gruaja e Nabalit, prej Karmelit.
3 Po kështu Davidi mori me vete edhe të gjithë njerëzit që ishin me të, secilin me familjen e vet dhe ngulën në fshatrat e Hebronit.
4 Atëherë erdhën njerëzit e Judës dhe aty e lyen Davidin për mbret që të sundojë mbi shtëpinë e Judës.
I çuan fjalë Davidit se njerëzit e Jabesit të Galaadit e kishin varrosur Saulin.
5 Prandaj edhe Davidi i dërgoi lajmëtarët te njerëzit e Jabesit të Galaadit dhe u tha: “Paçi bekimin e Zotit që keni kryer këtë vepër mëshire ndaj zotërisë tuaj Saulit, që e keni varrosur.
6 Prandaj Zoti ju paftë me dashurinë e vet e me besnikërinë e vet; po edhe unë nuk do të harroj t’ju bëj gjithashtu mirë, pasi e keni bërë këtë punë të mirë.
7 Tani merrni zemër e jini burra të fortë. Megjithëse ka vdekur Sauli, zotëria juaj, prapëseprapë shtëpia e Judës më ka lyer mua për mbret të vetin”.
8 Porse Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë së Saulit, e mori Isbaalin, djalin e Saulit, e çoi në Mahanaim
9 dhe aty e bëri mbret mbi Galaadin, mbi Aserin, mbi Jezrahelin, mbi Efraimin, mbi Beniaminin dhe mbi mbarë Izraelin.
10 Isbaali, biri i Saulit, kur filloi të mbretërojë, kishte dyzet vjet dhe mbretëroi dy vjet. Vetëm fisi i Judës e ndiqte Davidin.
11 Davidi mbretëroi mbi shtëpinë e Judës me qëndrim në Hebron shtatë vjet e gjashtë muaj.
12 Doli Abneri, biri i Nerit, e shërbëtorët e Isbaalit, të birit të Saulit, prej Mahanaimit në drejtim të Gabaonit.
13 Po ashtu edhe Joabi, biri Sarvisë, dhe shërbëtorët e Davidit dolën edhe ata dhe u takuan në brigjet e liqenit të Gabaonit. Këta qëndronin në njërën anë të liqenit, kurse ata në anën tjetër.
14 Abneri i tha Joabit: “Le të ngrihen djelmoshat e le të luftojnë para nesh”. Joabi iu përgjigj: “Le të çohen”!
15 U ngritën pra, prej anës së Isbaalit, birit të Saulit, prej Beniaminit e u rreshtuan dymbëdhjetë vetë, po edhe dymbëdhjetë nga ana e djelmoshave të Davidit.
16 Çdonjëri kapi kundërshtarin e vet për koke e ia nguli shpatën në ije, kështu që të gjithë ranë vdekur së bashku. Për këtë arsye ai vend u quajt Fusha e Ijeve e ndodhet te Gabaoni.
17 Përleshja u bë atë ditë shumë e ashpër dhe Abneri me njerëzit e Izraelit qe vënë në ikje prej djelmoshave të Davidit.
18 Aty ndodheshin tre bijtë e Sarvisë: Joabi, Abisai dhe Asaeli. Porse Asaeli ishte vrapues tejet i shpejtë, porsi sorkadhi në fushë të larë.
19 Asaeli iu vu në shpinë Abnerit dhe nuk i shmangej as djathtas as majtas, por e ndiqte drejt Abnerin.
20 Abneri e solli kokën prapa dhe tha: “A mos je ti Asael”? Ai iu përgjigj: “Unë jam”!
21 Abneri i tha: “Shko djathtas ose majtas, kap një djalosh dhe merri plaçkat e tija”. Por Asaeli nuk deshi ta linte e të mos e ndiqte.
22 Përsëri Abneri i tha Asaelit: “Hiqu! Mos më ndiq më. Mos më detyro të të godas e të të përplas për tokë. Atëherë s’do të mund t’i ngre sytë e mi e ta shikoj Joabin, vëllanë tënd”.
23 Por ky s’deshi të bindej e të largohej. Atëherë Abneri i ra me anën e sprasme të heshtës në baqth dhe heshta i doli anëpërtej. Aty edhe vdiq. Dhe të gjithë që kalonin aty ndaleshin e shikonin vendin ku ra dhe vdiq Asaeli.
24 Por Joabi e Abisai e ndoqën Abnerin që po ikte derisa perëndoi dielli. Arritën deri në malin Amë, që është përballë Gajahut në udhën e shkretëtirës drejt Gabaonit.
25 Atëherë u bashkuan bijtë e Beniaminit me Abnerin, u mblodhën në çetë dhe zunë vend në majë të një bregu.
26
Atëherë Abneri i thirri Joabit: “Deri në shfarosje do të tërbohet shpata jote a? A s’po sheh se dëshpërimi po na sjell rrënim? Deri kur nuk do t’i urdhërosh popullit që të zërë vend e të mos i ndjekë vëllezërit e vet”?
27 Joabi iu përgjigj: “Pasha Hyjin e gjallë, po të mos kishe folur, deri në mëngjes populli nuk do të ishte ndalur duke ndjekur secili vëllanë e vet”.
28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe mbarë ushtria u ndal. Nuk e ndoqi më Izraelin dhe nuk luftuan më.
29 Abneri dhe njerëzit e tij udhëtuan tërë atë natë nëpër Arabë, e kaluan Jordanin dhe, pasi kaluan tërë grykën e Betronit, arritën në Mahanaim.
30 Kurse Joabi e la ndjekjen e Abnerit dhe bashkoi ushtrinë. Atëherë panë se prej ushtrisë së Davidit mungonin nëntëmbëdhjetë burra, përveç Asaelit.
31 Shërbëtorët e Davidit vranë treqind e gjashtëdhjetë vetë prej beniaminëve, ushtarëve të Abnerit.
32 E morën Asaelin dhe e varrosën në varrezën e t’et në Betlehem. Pastaj Joabi dhe njerëzit që ishin me të, vazhduan udhën gjithë natën dhe në agim arritën në Hebron.