1 Sapo Davidi e kaloi paksa majën e malit, dhe ja, Siba, shërbëtori i Meribaalit, po i del në takim. Kishte dy gomarë të ngarkuar. Bartnin dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një rrëshiq me verë.
2 Mbreti i tha Sibës: “Çfarë t’u deshën këto”? Siba iu përgjigj: “Gomarët do t’u vlejnë anëtarëve të familjes së mbretit për të udhëtuar me ta, buka dhe pemët djelmoshave për ushqim e vera për pije atyre që do të lodhen duke ecur nëpër shkretëtirë”.
3 Atëherë mbreti i tha: “Ku është biri i zotërisë tënd”? Siba iu përgjigj mbretit: “U ndal në Jerusalem, sepse i thotë mendja: ‘Sot shtëpia e Izraelit do të ma kthejë mbretërinë e tim eti’”.
4 Mbreti i tha Sibës: “Ja pra, gjithçka ka pasur Meribaali, le të jenë të tuat”! E Siba tha: “Po bie në nderim para teje! Oh, sikur të mund të gjeja hir para syve të tu, Imzot, o mbret”!
5
Davidi mbret po arrinte në Bahurim, dhe ja, prej andej dilte një burrë prej vëllazërisë së familjes së Saulit, me emrin Semei. Ishte biri i Gerës. Ecte e mallkonte
6 dhe gjuante pesha kundër Davidit dhe kundër të gjithë shërbëtorëve të mbretit David. E pra, mbarë populli dhe trimat e zgjedhur ecnin djathtas e majtas përreth mbretit.
7 E Semei kështu fliste duke e nëmur mbretin: “Ik, ik o gjakësor, o i poshtër!
8 Zoti e solli mbi ty gjithë gjakun e familjes së Saulit, sepse ti e pushtove mbretërinë e tij. Por Zoti e lëshoi mbretërinë në dorën e Absalomit, djalit tënd! Ja, po të ndrydhin të zezat e tua, sepse je njeri vrastar”!
9 Atëherë Abisai, biri i Sarvisë, i tha mbretit: “Pse po e mallkon ky qen i ngordhur zotërinë tim mbretin? Po shkoj e po ia shkurtoj kokën”.
10 Por mbreti i tha: “Po ç’po na bën mua e ty, o djali i Sarvisë? Nëse mallkon e nëse Zoti i ka urdhëruar ta mallkojë Davidin, kush është ai që ka guxim t’i thotë: ‘Pse po bën ashtu?’”.
11 Prandaj Davidi i tha Abisait dhe mbarë oborrtarëve të vet: “Ju po shihni se im bir, që ka dalë prej barkut tim, po e kërkon jetën time, po aq më tepër ky tashti që është beniaminas. Lëreni le të mallkojë në qoftë se Zoti i ka thënë të më mallkojë.
12 Ndoshta Zoti e merr parasysh mjerimin tim e mallkimin e sotëm ma sjell në bekim”.
13 Kështu Davidi dhe shokët e tij e vazhduan rrugën, kurse Semei shkonte shpatit të malit, krahas me të duke e mallkuar e duke hedhur pesha kundër tij e duke ngritur pluhur.
14 Mbreti dhe mbarë populli që ishte me të, erdhën deri tek ujët të lodhur e të këputur dhe aty pushuan.
15 Ndërkaq Absalomi dhe mbarë njerëzit e tij, burrat e Izraelit, hynë në Jerusalem. Me të hyri edhe Akitofeli.
16 E kur Kusai Arakiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, i tha: “Rroftë mbreti! Rroftë mbreti”!
17 Absalomi iu përgjigj: “Kjo është besnikëria jote ndaj mikut tënd a? Pse nuk shkove me mikun tënd”?
18 Por Kusai iu përgjigj Absalomit: “Assesi! Por me atë që e ka zgjedhur Zoti dhe ky popull madje edhe mbarë Izraeli, i tij do të jem dhe me atë do të qëndroj.
19 Por, që ta shtoj edhe këtë, kujt do t’i shërbej unë? Pse vallë jo birit të mbretit? Sikurse dëgjova babain tënd, ashtu do të të dëgjoj edhe ty”.
20 Atëherë Absalomi i tha Akitofelit: “Këshillohuni tani ç’na duhet të bëjmë”.
21 Akitofeli i tha Absalomit: “Hyr te ja e tët eti që i la për ta ruajtur shtëpinë, që kur ta marrë vesh mbarë Izraeli se je në armiqësi me tët atë, t’u forcohet krahu të gjithë atyre që janë me ty”.
22 Atëherë e shtrinë çadrën e Absalomit në tarracën e pallatit dhe Absalomi hyri te ja e të atit në sy të mbarë Izraelit.