1 Joabi, biri i Sarvisë, pa se zemra e mbretit po kthehej nga Absalomi.
2 Atëherë dërgoi në Tekua, e solli një grua të mençur dhe i tha: “Bëj sikur je në zi dhe vishu me petka zie. Mos u lyej me vaj që të dukesh si një grua që për një kohë të gjatë je në zi për të vdekurin.
3 Hyr te mbreti e thuaj kështu”. Dhe Joabi i tregoi çka duhej t’i thoshte.
4 Gruaja nga Tekua, kur hyri te mbreti, ra përpara tij me fytyrë përdhe, u përkul në nderim dhe tha: “Ndore tënde, o mbret”!
5 Mbreti i tha: “Po ç’të ka gjetur”? E ajo iu përgjigj: “Heu, unë e mjera jam një grua e ve: burri më ka vdekur.
6 Shërbëtorja jote ka pasur dy djem, por këta zunë të grinden në fushë dhe askush nuk ndodhi që t’u hynte ndërmjet e kështu njëri i ra tjetrit dhe e la të vdekur.
7 Po tani u ngrit e mbarë vëllazëria kundër shërbëtores sate e thotë: ‘Qite atë që e vrau vëllanë e vet e ta vrasim për gjakun e të vëllait, të cilin e vrau dhe t’ia humbim farën’. Kështu duan ta shuajnë edhe atë shkëndijë që më ka mbetur, me qëllim që të mos i mbetet emri asfarë shenje mbi tokë burrit tim”.
8 Mbreti i tha gruas: “Shko ti në shtëpinë tënde e unë do të jap urdhra lidhur me çështjen tënde”.
9 Gruaja nga Tekua i tha mbretit: “Imzot mbret! E keqja rëntë mbi mua dhe mbi shtëpinë e tim eti, kurse mbreti dhe froni i tij mos paçin farë faji”!
10 E mbreti vijoi: “Atë që të guxojë të të thotë gjë, sille tek unë e më nuk do të guxojë të të prekë”!
11 Por ajo shtoi: “Le ta ketë mirësinë mbreti të përmendë emrin e Zotit, Hyjit të vet, se kërkuesi i gjakut nuk do t’i shumojë vrasjet dhe se assesi nuk do të ma vrasin djalin”. E mbreti u përgjigj: “Pasha Zotin fije floku s’do t’i bjerë në tokë djalit tënd”.
12 Atëherë gruaja vazhdoi: “Më lejo që shërbëtorja jote t’ia thotë zotërisë së vet një fjalë”. I tha: “Fol”!
13 E gruaja tha: “Atëherë e pse mendon kështu kundër popullit të Hyjit? Ndërkaq mbreti duke e dhënë një vendim të tillë e ka rrëfyer veten si fajtor, pasi mbreti nuk bën që të kthehet i arratisuri.
14 Neve na duhet të vdesim dhe jemi porsi uji kur derdhet në tokë, më nuk mund të mblidhet, e Hyji nuk do që ndokush ta humbasë jetën, por tërheq vëmendjen që të mos humbasë plotësisht i dëbuari.
15 Tashti erdha për t’ia thënë mbretit zotërisë tim këtë fjalë, sepse populli ma futi frikën. Shërbëtorja jote tha me vete: ‘Do të flas me mbretin, ndoshta mbreti ia dëgjon fjalën skllaves së vet.
16 Sepse mbreti do ta dëgjojë e do ta shpëtojë shërbëtorin e vet prej dorës së atij që do ta shlyejë atë dhe të birin e saj prej trashëgimit të Hyjit.
17 Prandaj edhe mendoi skllavja jote: ‘Fjala e mbretit, zotërisë tim, le të ma kthejë qetësinë e shpirtit’. Sepse porsi engjëlli i Hyjit i tillë është mbreti, zotëria im, që e dëgjon të mirën e të keqen. Zoti, Hyji yt, qoftë me ty”.
18 Atëherë mbreti iu drejtua gruas: “Mos më fsheh asgjë nga ato që tani dua të të pyes”. Gruaja i tha: “Le të pyesë imzoti mbret”.
19 E mbreti vijoi: “A mos është me ty në të gjitha këto dora e Joabit?” Gruaja u përgjigj e tha: “Pasha jetën tënde, imzot e mbret, s’është me të vërtetë e mundur të shmanget as djathtas as majtas prej të gjitha atyre që tha imzot mbreti; vërtet shërbëtori yt Joabi më urdhëroi dhe ai vetë m’i mësoi t’i them të gjitha këto fjalë unë skllavja jote.
20 Për t’i dhënë çështjes një pamje tjetër, shërbëtori yt Joabi e bëri këtë. Por ti, imzot, je vetë i dijshëm, ke dijeni porsi engjëlli i Hyjit për të kuptuar gjithçka që ndodh përmbi tokë”.
21 Atëherë mbreti i tha Joabit: “Mirë, ashtu edhe po bëj. Shko, pra, e thirre djaloshin Absalom”.
22 Atëherë Joabi ra me fytyrë përdhe në shenjë nderimi dhe e bekoi mbretin. Joabi tha: “Sot e mori vesh plotësisht shërbëtori yt se gjeta hir para syve të tu, imzot e mbret! Ia dëgjove fjalën shërbëtorit tënd”.
23 Kështu pra, Joabi u ngrit, shkoi në Gesur dhe e solli Absalomin në Jerusalem.
24 Porse mbreti tha: “Le të kthehet në shtëpinë e vet, por të mos dalë para syve të mi”. Kështu Absalomi u kthye në shtëpinë e vet dhe nuk doli para syve të mbretit.
25 E në mbarë Izraelin nuk kishte një burrë tjetër aq të bukur si Absalomi për të cilin do të mund të thuheshin aq fjalë lavdie: prej fundit të këmbës e deri në majë të kresë s’kishte asnjë mungesë.
26
E kur i qethte flokët ‑ e i qethte një herë në vit, sepse i bëheshin tepër të rëndë ‑ i peshonte flokët e vet: peshonin dyqind sikla të masës së mbretit.
27 Absalomit i lindën tre djem e një vajzë, e cila quhej Tamarë. Ishte shumë e pashme.
28 Absalomi qëndroi në Jerusalem dy vjet dhe mbretit nuk i doli ndër sy.
29 Atëherë çoi e thirri Joabin për ta dërguar te mbreti, por Joabi nuk dëgjoi të shkojë tek Absalomi. Dërgoi për së dyti e, kur ai prapë s’dëgjoi të vijë,
30 u tha shërbëtorëve të vet: “Shikoni: ara e Joabit është afër arës sime dhe është e mbjellë me elb. Shkoni e jepni zjarr”. Shërbëtorët e Absalomit ia dogjën elbin Joabit. Kur shkuan shërbëtorët e Joabit, i shqyen petkat e veta e thanë: “Shërbëtorët e Absalomit ia futën zjarrin arës”!
31 Atëherë Joabi u çua dhe shkoi në shtëpi të Absalomit dhe i tha: “Pse e dogjën shërbëtorët e tu elbin tim me zjarr”?
32 Absalomi iu përgjigj Joabit: “Unë dërgova tek ti njerëzit e t’u luta të vije tek unë me qëllim që të të dërgoja te mbreti për t’i thënë: ‘Pse u ktheva ndopak prej Gesurit? Më mirë do të kishte qenë për mua të isha ende atje’. Po të lutem, pra, bëj që ta shoh fytyrën e mbretit. Nëse jam fajtor, le të më vrasë”!
33 Joabi hyri të mbreti dhe ia tha këto fjalë. Mbreti çoi dhe e thirri Absalomin, hyri tek ai, ra më fytyrë përdhe para tij në shenjë nderimi e mbreti e përqafoi Absalomin.