1 Zoti e dërgoi Natanin te Davidi. Ky erdhi te Davidi dhe i tha: “Në një qytet jetonin dy vetë. Njëri ishte pasanik e tjetri skamnor.
2 Pasaniku kishte bagëti të imëta e të trasha me shumicë të madhe.
3 Kurse skamnori nuk kishte asgjë tjetër përveç një deleje të vocërr. E kishte blerë dhe e kishte ushqyer. Ishte rritur tek ai bashkë me fëmijët e tij duke ngrënë bukën e tij e duke pirë prej gotës së tij dhe duke fjetur në gjirin e tij. Për të ishte sikur ta kishte pasur bijë.
4 Porse, kur një shtegtar erdhi te pasaniku, ky, duke kursyer bagëtitë e veta të imëta e të trasha për t’i bërë gosti atij shtegtari që kishte ardhur tek ai, shkoi e mori delen e skamnorit dhe i bëri gati bukën njeriut që kishte ardhur tek ai”.
5 Davidi u hidhërua pa masë kundër këtij njeriu e i tha Natanit: “Pasha jetën e Zotit, njeriu që ka bërë këtë punë, meriton vdekjen!
6 Katërfish do ta paguajë delen për arsye se ka bërë një punë të tillë dhe është dëftuar njeri i pashpirt”.
7 Atëherë Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit.
8 Në dorë tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde e lëshova edhe mbarë Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër.
9 Pse atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve të Amonit!
10 Për këtë arsye kurrën e kurrës nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.
11 Prandaj kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do të bëj që e keqja jote të vijë mu prej familjes sate! Ndër sy të tu do t’i marr gratë e tua e do t’ua jap të afërmve të tu e do të flenë me gratë e tua në dritën e këtij dielli.
12 Ti, vërtet, e bëre këtë fshehtazi, por unë do ta bëj ballafaqas në sy të mbarë Izraelit, ditën për diell’”!
13 Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit”! E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh.
14 Megjithatë, pasi me këtë veprim i bëre të blasfemojnë armiqtë e Zotit, djali që të ka lindur, me siguri do të vdesë”.
15
Zoti e goditi djalin që gruaja e Urit ia lindi Davidit, dhe u sëmur rëndë.
16 Davidi iu lut Zotit për foshnjën dhe Davidi agjëronte e, kur kthehej në shtëpi, natën e kalonte shtruar për tokë.
17 Krerët e shtëpisë së tij qëndronin përreth tij dhe i thoshin të ngrihej nga toka, por ai nuk dëgjoi as nuk hëngri bukë me ta.
18 Të shtatën ditë vdiq fëmija. Shërbëtorët e tij kishin frikë t’i lajmëronin Davidit se kishte vdekur fëmija. Sepse mendonin: “Derisa foshnja ishte ende gjallë, ne i thoshim, por ai s’na dëgjonte. Po tani si t’i themi: ‘Ka vdekur djali?’ Do të bëjë edhe më zi”!
19 Kur vuri re Davidi se shërbëtorët e tij po pëshpëritnin me njëri-tjetrin, ia preu mendja se foshnja kishte vdekur. U tha shërbëtorëve të vet: “A ka vdekur fëmija”? Ata iu përgjigjën: “Ka vdekur”.
20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la dhe u ja. Pasi i ndërroi petkat, hyri në shtëpinë e Zotit dhe adhuroi. Pastaj u kthye në shtëpinë e vet dhe kërkoi që t’i shtronin bukën dhe hëngri.
21 Shërbëtorët e tij e pyetën: “Ç’po bën ashtu? Ndërsa fëmija ende ishte gjallë ti për shkak të tij agjërove e qaje, kurse tani që ka vdekur foshnja po çohesh e po ha”?
22 Ai tha: “Kur foshnja ishte ende gjallë unë agjëroja dhe qaja sepse mendoja: ‘Kush e di? Ndoshta Zoti do të ketë dhembshuri për mua e do të jetojë fëmija.
23 Por tani që ka vdekur, pse të agjëroj? Pse a mund ta kthej më? Unë do të shkoj tek ai, kurse ai nuk do të kthehet tek unë”.
24 Davidi e ngushëlloi Betsabenë, gruan e vet, hyri tek ajo, ra me të dhe ajo i lindi djalin. Djalit ia ngjiti emrin Salomon. Zoti e deshi Salomonin
25 dhe e dëftoi këtë me anë të Natanit profet. Ky e quajti Jedidjë /domethënë: I dashuri i Zotit/, siç i urdhëroi Zoti.
26 Ndërkaq Joabi e sulmoi Rabën e bijve të Amonit dhe e pushtoi qytetin mbretëror.
27 Atëherë Joabi dërgoi lajmëtarë te Davidi me këto fjalë: “Luftova kundër Rabës dhe e pushtova qytetin e ujërave.
28 Tani bashkoje popullin tjetër, rrethoje e pushtoje qytetin që të mos pushtohet qyteti prej meje e të quhet me emrin tim”.
29 Kështu pra, Davidi e bashkoi mbarë popullin dhe u nis kundër Rabës. E sulmoi dhe e pushtoi.
30 E hoqi prej kokës së Melkomit kezën, që ishte e rëndë një talent ari dhe në të cilën kishte një gur të paçmueshëm dhe keza qe vënë mbi kokë të Davidit. Mori edhe një pre të madhe prej qytetit.
31 Po edhe popullin që ishte, e nxori nga qyteti dhe e dënoi të punonte në skalitje të gurit, në latim me sakica e me sëpata hekuri dhe i caktoi në punim të tullave. Kështu bëri me të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Atëherë Davidi dhe mbarë ushtria u kthyen në Jerusalem.