< 2Sam 10 2Sam 12 >
Lexim prej librit të dytë të Samuelit(2Sam 11)
11

1 Tani, në kthim të vitit, në kohën kur mbretërit e kanë zakon të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretëruan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.

2 Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur.

3 Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut.

4 Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastrisë së saj.

5 Pastaj u kthye në shtëpi të vet.

Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: “Ngjiza”!

6 Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: “Dërgoje tek unë Uri Heteun”. Joabi e dërgoi te Davidi Urin.

7 Uri erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës.

8 Atëherë Davidi i tha Urit: “Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua”. Uri doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit.

9 Porse Uri fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.

10 Erdhën dhe e lajmëruan Davidin: “Uri nuk shkoi në shtëpinë e vet”. Atëherë Davidi i tha Urit: “Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?”

11 Uri iu përgjigj Davidit: “Arka, Izraeli e Juda banojnë nën çadra, Joabi, imzot, dhe shërbëtorët e zotërisë tim kanë për dyshek tokën e unë të hyj në shtëpinë time për të ngrënë e për të pirë e për të fjetur me gruan time? Pasha jetën tënde, pasha shpirtin tënd, unë nuk do të bëj një gjë të tillë”.

12 Prandaj Davidi i tha Urit: “Qëndro këtu edhe sot e nesër do të të nis”. Uri qëndroi në Jerusalem edhe atë ditë e të nesërmen.

13 Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.

14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urin.

15 Në letër shkruante: “Vëreni Urin në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë”.

16 Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urin aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë.

17 Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.

18 Atëherë Joabi dërgoi ta njoftojnë Davidin lidhur me rrethanat e përleshjes

19 dhe kasnecit i urdhëroi të thoshte: “Kur t’i kesh treguar mbretit të gjitha këto fjalë lidhur me përleshjen,

20 nëse vë re se mbreti hidhërohet e thotë: ‘Përse iu afruat mureve për të luftuar? A nuk e keni ditur se prej murit hidhen shigjetat?

21 Kush e vrau Abimelekun, birin e Jerobaalit? A s’qe një grua që ia hodhi prej murit mbi të gurin që sillet të mokrës dhe ai mbeti vdekur në Tebes? Pse iu afruat murit?’, ti thuaji: Edhe shërbëtori yt Uri Heteu mbeti i vrarë”.

22 Shkoi, pra, lajmëtari, arriti te Davidi dhe i tregoi gjithçka i kishte urdhëruar Joabi.

23 Lajmëtari i tha Davidit: “Sepse armiqtë patën njëfarë epërsie mbi ne, dolën kundër nesh në fushë të larë, por ne bëmë një sulm të furishëm dhe i ndoqëm deri në dyer të qytetit.

24 Atëherë shigjetarët i gjuajtën me shigjeta shërbëtorët e tu nga lart prej murit e mbetën besa disa prej shërbëtorëve të mbretit, madje mbeti i vrarë edhe shërbëtori i mbretit Uri, ai Heteu”.

25 Atëherë Davidi i tha kasnecit: “Kështu i thuaj Joabit: “Mos u prish për këtë punë: lufta ashtu e ka: tani ha shpata këtë, pastaj atë. Sulmoje qytetin më rreptësisht dhe shpartalloje. Edhe ti jepi zemër”.

26 Kur gruaja e Urit mori lajmin se i kishte vdekur Uri, burri i saj, ia bëri vajin.

27 Pasi kaloi koha e zisë, Davidi çoi dhe e solli në shtëpinë e vet dhe ajo u bë gruaja e tij dhe i lindi një djalë. Por kjo që bëri Davidi nuk i pëlqeu Zotit kurrsesi.



Fjala e Zotit